TIRANE- Një krim i dyfishtë ka tronditur ditën e djeshme banorët e fshatit Mullet në periferi të Tiranës, i cili ka përfunduar me dy viktima. Ka qenë pikërisht një konflikt për pronën që i ka marrë jetën dy personave, xhaxha e nip.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 09:00 ku Besim Hoxha 62 vjeç, vrau me armë gjahu të tipit “Teke” nipin e tij Hasan Hoxha 31 vjeç. Por, kjo ngjarje nuk mundi të përfundonte këtu, pasi 62 vjeçari, pas vrasjes së nipit të tij, i dha fund edhe jetës së tij po me të njëjtën armë. Besim Hoxha qëlloi mbi veten e tij në stallën e bagëtive rreth 100 metra më tej. Mësohet se Hasan Hoxha fillimisht është dërguar në spitalin e Traumës por nuk mundi të mbijetojë.