TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Kamzës deklaron se akuzat ndaj tij kanë prapavijë politike dhe janë të pavërteta. Xhelal Mziu ishte sot në Gjykatën e Tiranës për të marrë pjesë në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për pabarazi në tendera, por seanca u shty.

Shkak i shtyrjes së gjyqit është bërë mungesa në seancë e drejtorit të tatimeve të Bashkisë, Bujar Loshi.

Në një deklaratë për median jashtë ambienteve të gjykatës Mziu shprehu gadishmërinë e tij për t'u paraqitur sa herë që kërkohet në seancë.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore, veçse me prapavijë politike. Kjo akuzë që është bërë ndaj meje është e pavërtetë. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë në çdo moment. Do të vij në çdo seancë gjyqësore.- tha Mziu.

Kreu i Bashkisë Kamëz, juristi Altin Hoti dhe kreu i Tatimeve në Bashkinë e Kamzës Bujar Loshi janë akuzuar për pabarazi në tendera.

Hetimi nisi pas denoncimeve të kompanive "Gjoka Kontruksion" dhe "Albavia". "Gjoka Kontrukstion" u përjashtua nga ndërtimi i rrugës “Zgjimi” në Valias edhe pse kishte fituar tenderin, për shkak të disa pretendimeve të ngritura nga Mziu dhe Hoti më pas.

Ndërsa Loshi akuzohet se i ngarkonte abuzivisht me tatime dy kompanitë, për shkak se i rezistonin presionit për t’u tërhequr nga tenderat.

Redaksia online 
(ak/sg/shqiptarja.com)