Xheloz për celularin, tentoi të
vrasë gruan, djali: E falëm prapë

Xheloz për celularin, tentoi të<br />vrasë gruan, djali: E falëm prapë
TIRANE - “Erdhi i dehur në shtëpi dhe filloi të grindej me nënën. Konflikti mes tyre nisi për shkak të celularit. Babai i kërkoi nënës që ti jepte celularin e saj. Ajo nuk pranonte të ja jepte celularin, duke i thënë që është celular pune dhe ai nuk ka përse ta kontrollojë. Babai në atë moment mori thikën e bukës në guzhinë dhe tentoi që ta vriste. U futa në mes që ti ndaja por ai tentoi që të më qëllonte edhe mua me thikë”. Nis kështu rrëfimi i Emiljano Macalla, djalit të Shpëtim Uka, 47-vjeç i cili mbrëmjen e së premtes, tentoi që të vrasë me thikë ish-bashkëshorten e tij Elvira Macalla 50-vjeç.

Emiljano rrëfen për “Shqiptarja.com” se shkak i kësaj tentative për vrasje ishte për motive xhelozie. Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit në rrugën “Dhimitër Kamarda” në Tiranë. 23-vjeçari ka qenë në banesë, kur mes babait dhe nënës së tij ka nisur debati dhe situata ka degjeneruar derisa i ati ka marrë thikën e bukës dhe ka tentuar që të vrasë ish-bashkëshorten e tij. Sipas Emiljanos, prindërit e tij kanë qenë të divorcuar prej kohësh, por pavarësisht kësaj ata vazhdonin që të jetonin bashkë në të njëjtën banesë.

Elvira Macalla, prej një viti kishte kërkuar urdhër mbrojtje në Gjykatë, për shkak se bashkëshorti ushtronte dhunë ndaj saj dhe ishte tepër xheloz. Të njëjtën gjë e konfirmon dhe djali i saj 23-vjeçar, i cili thotë se babai i tij përveçse e tepron me alkolin, ka edhe një xhelozi të sëmurë ndaj nënës së tij. Pas kërkesës së Elvirës, Gjykata e Tiranës lëshoi menjëherë urdhër mbrojtje për një kohë prej një viti që Shpëtimi të mos ushtrojë dhunë ndaj Elvirës dhe të mos hynte në banesën e familjes së tij.

Por, pavarësisht kësaj 23-vjeçari, thotë se babai i tyre ka jetuar bashkë me nënën dhe atë në të njëjtën banesë. Gjatë gjithë kësaj kohe çifti ka pasur konflikte të shpeshta, por mbrëmjen e së mërkurës, Uka tentoi që ta vrasë ish-bashkëshorten e tij. “Prindërit e mi janë ndarë që kur unë kam qenë i vogël. Por, pavarësisht kësaj ata kanë vazhduar të jetojnë bashkë. Përherë kanë pasur konflike mes tyre. Grinden sepse babai vjen në shtëpi në gjendje të dehur, derisa fillon me ofendime dhe sherre ndaj nënës.

Ai edhe pse janë të ndarë vazhdon të bëhet xheloz për nënën time. Ka një xhelozi të sëmurë dhe bëhet nevrik për çdo gjë. Unë isha në marrëdhënie pune dhe u largova nga puna sepse nuk i lë dot prindërit vetëm në shtëpi, sepse përndyshe ata vriten” rrëfen 23-vjeçari, Emiljano Macalla. Ndërsa vëllai i autorit të ngjarjes, tregon se çifti edhe pse janë të divorcuar vazhdonin që jetonin bashkë. Ai thotë se vëllai i tij është tepër xheloz ndaj ish-bashkëshortes dhe për këtë lindin konfliktet e shumta mes tyre. “Vëllai im është shumë nevrik dhe bëhet i padurueshëm, kjo pasi është xheloz.

I kemi folur të gjithë, se ne jemi 6 vëllezër, por ai nuk na dëgjon. Familja e tij e ka falur shumë herë, pasi edhe pse janë të divorcuar ata vazhdojnë që të hanë bashkë e të jetojnë në të njëjtën banesë.” tregon vëllai i 47-vjeçarit. Ndërsa, 23-vjeçari mëngjesin e djeshëm është paraqitur në polici dhe ka tërhequr padinë ndaj të atit. “E tërhoqa padinë sepse pavarësisht çdo gjëje ai është babai jonë. Do mundohemi ta largojmë nga alkoli. Do ta falim edhe këtë herë” përfundon ai.
 
Emiljano, mund të na tregoni se cffarë ndodhi mbrëmjen e së premtes në familjen tuaj, si nisi debati?
Unë isha në shtëpi bashkë me nënën time. Pas pak erdhi edhe babai, i cili ishte në gjendje të dehur. Aty filloi të grindej me nënën për arsye të kota. I kërkoi asaj celularin, pasi donte që ta kontrollonte. Nëna nuk ja dha celularin, duke i thënë që nuk ka pse tja kontrollojë sepse është celular pune. Aty ai filloi të bëhej agresiv dhe shkoi në guzhinë. Në sherr e sipër mori thikën e bukës dhe tentoi që të qëllonte nënën.
 
Ju çfarë bëtë në ato momente?
Unë u futa në mes që ti ndaja, por më kërcënoi edhe mua me thikë. Pas këtij sherri komshinjtë lajmëruan policinë. Pas pak erdhi policia, duke parandaluar një tragjedi.
 
Kjo ishte hera e parë që bënit debat?
Jo. Kjo ishte hera e disatë që prindërit e mi grindeshin. Babai gjithmonë vjen në shtëpi i pirë dhe vazhdon të bëjë debate dhe të zihet për gjëra të kota. Edhe pse janë të ndarë ai bëhet xheloz pa shkak për nënën.
 
Kur janë divorcuar prindërit tuaj?
Janë divorcuar që kur unë kam qenë në moshë të vogël. Por pavarësisht kësaj ata kanë vazhduar që të jetojnë bashkë. Kjo pasi ne e kishim problem ta linim babain vetëm sepse nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pavarësisht çdo gjëje është babai jonë.
 
Çfarë problemesh ka babai juaj?
E tepron shumë me alkolin. Para 5 vitesh e kemi çuar në spital në gjendje të rëndë psikologjike. Ka pasur dhe probleme mendore dhe ka qenë duke vdekur. Por prap nuk ndryshon, vazhdon të pijë si gjithmonë dhe të bëjë të njëjtat veprime, derisa arriti të marrë thikën dhe të tentojë që ta vrasë nënën, madje edhe mua.
 
Nëna juaj e lajmëroi policinë?
Jo. Nuk e lajmëroi nëna ime policinë, por fqinjët e pallatit. Ata dëgjuan sherrin dhe debatin mes nesh dhe lajmëruan policinë. Pas pak erdhi policia dhe morën babain dhe ne që dëshmuam. Mbrëmë babai ka qenë në polici, ndërsa sot ka dalë.
 
Kush e tërhoqi padinë?
Unë. Shkova që në mëngjes dhe e tërhoqa padinë, sepse nuk mund ta lija në atë gjendje. Ai është sëmurë dhe pavarsisht çdo gjëje është babai jonë.
 
Por, si do ta zgjidhni këtë problem, nuk keni frikë se ai tenton sërisht të vrasë nënën tuaj?
Frikë kam shumë. Unë kam qenë në punë dhe jam larguar nga puna vetëm se kisha frikë që ti lija prindërit vetëm në shtëpi, sepse përndryshe vriteshin. Dhe tani ka disa muaj që më thotë motra që të shkoj në Itali të punoj atje, por prap nuk iki dot nga shtëpia. Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mundohemi që ta largojmë nga alkoli, të mundohemi që ti heqim pijen.
 
Nëna juaj çfarë thotë?
Asgjë. Çfarë do thotë nëna. Padinë në polici e tërhoqa unë. Do ta falim edhe këtë herë.

Faksimile e vendimit të Gjykatës për urdhrin e mbrojtjes me logo
(Në foto: Faksimile e vendimit të Gjykatës për urdhrin e mbrojtjes)

Apartamenti ku jeton çifti Shpëtim Uka dhe Elvira Macalla me logo

(Në foto: Apartamenti ku jeton çifti Shpëtim Uka dhe Elvira Macalla)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.08.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës

Mero Baze: Mosbindja civile e demokratëve ndaj Berishës