Durrës -Dy të rinj do të hetohen në gjendje të lirë, pasi gjatë natës, kanë prishur qetësinë publike me zhurmat e shkaktuar nga xhirimet e gomave të automjeteve që drejtonin në Bulevardin Dyrrah, Durrës.
Uniformat blu bëjnë me dije se kanë sekuestruar dy automjetet, Audi dhe BMW, dhe një fenelinë.
“Gjatë patrullimeve 24-orëshe, me objektiv garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës konstatuan gjatë natës se 2 të rinj po shqetësonin banorët dhe qytetarët në Bulevardin Dyrrah dhe në zonën përreth, nëpërmjet gjenerimit të zhurmave nga sistemet e shkarkimit të 2 automjeteve që drejtonin dhe duke xhiruar gomat.
Për këtë paligjshmëri, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve A. Ll., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. K., 21 vjeç, banues në Durrës”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Komente








