Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kërkuar një interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit për të diskutuar sigurinë në shkolla pas një serie ngjarjesh të rënda që kanë tronditur opinionin publik. Në një komunikatë për shtyp, Xhixho vuri në dukje se arsimi shqiptar është në një gjendje alarmante dhe siguria e nxënësve është në nivele kritike.

Sipas Xhixhos, “institucionet kanë dështuar në mbrojtjen e nxënësve dhe përgjegjësia shtetërore është zero.” Duke sjellë në kujtesë vrasjen e Martin Camit një vit më parë, dhe rastet e fundit të dhunës në Durrës dhe Shkodër ku janë përfshirë adoleshentë dhe minorenë, Xhixho tha se ngjarje të tilla dëshmojnë dështimin e sistemit të sigurisë në shkolla.

Xhixho citoi edhe të dhëna të Policisë së Shtetit për vitin 2025, sipas të cilave, dy të mitur kanë humbur jetën, 346 janë dëmtuar dhe 420 të tjerë janë regjistruar për kanosje, plagosje dhe rrahje mes bashkëmoshatarëve. Në total, sipas Xhixhos, në 5 vitet e fundit 10 të mitur kanë humbur jetën nga konfliktet me njëri tjetrin, 1600 të tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta, ndërsa afro 1550 janë regjistruar si autorë. “Këto raste alarmante dëshmojnë se siguria në shkolla kërkon ndërhyrje urgjente. Ajo nuk zgjidhet as me propagandë, as duke fshehur të dhënat” tha ajo. 

Xhixho kritikoi Ministrinë e Arsimit për mungesën e sistemeve funksionale të sigurisë në shkolla, protokollet e pazbatuara dhe shërbimin psikosocial joefektiv, ndërsa koordinimi mes institucioneve mungon. Ajo theksoi se rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për parandalimin e dhunës nuk janë zbatuar, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare, duke e lënë sigurinë e fëmijëve në mëshirë të fatit. Deputetja e Partisë së Lirisë, kritikoi edhe vendimin për mbylljen e TikTok pas tragjedisë së Martin Canit, një veprim që sipas saj “nuk adresoi shkaqet reale të dhunës dhe shmangu përgjegjësinë institucionale”.  Nëpërmjet interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, Xhixho kërkon përgjigje “të qarta dhe konkrete” mbi moszbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, masat reale dhe urgjente për sigurinë e nxënësve, përgjegjësitë institucionale për ngjarjet e rënda, funksionimin e shërbimit psikosocial, mungesat e oficerëve të sigurisë dhe psikologëve në shkolla, si dhe pajisjet dhe burimet e nevojshme për nxënësit”.

Në përfundim të komunikatës për shtyp, Xhixho thekson se jeta e fëmijëve shqiptarë nuk mund të trajtohet si statistikë dhe se siguria në shkolla është një detyrim kushtetues dhe ligjor i panegociueshëm.