Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës zhvilluan një takim me banorët e Dajtit, ku u evidentuan problematikat e tyre dhe theksuan se platforma e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” është e duhura për zgjidhjen e tyre pas 21 qershorit.

Kryesuesja e listës së kandidatëve për anëtar në këshillin bashkiak të Tiranës Erisa Xhixho tha se Dajti ka nevojë për më shumë shërbim dhe punësim, veçanërisht për gratë dhe vajzat e reja.
“Me Bashkinë e madhe, tashmë Dajti ka nevojë për më shumë shërbime në infrastrukturë, të ujit të pijshëm apo shërbime të cilat do të sjellin mundësi punësimi për të gjithë qytetarët e Dajtit. Ne kemi një plan konkret për integrimin e tyre dhe punësimin e të gjitha grave dhe vajzave të komunës Dajt.  Në bashkëpunim edhe me kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Tiranës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, janë të angazhuar për ofrimin e kurseve profesionale për gratë dhe vajzat e Dajtit që të kenë mundësi për përvetësimi të një profesioni të caktuar dhe mbështetjes së tyre përmes kredive të buta në mënyrë që ato të hapin një biznes të ri këtu në Dajt dhe të punësojnë edhe gra e vajza të tjera”, - u shpreh  Xhixho. Ajo specifikoi se 21 qershori është dita për të ndryshuar faqen e qeverisjes vendore.

Shezai Rrokaj nga ana e tij evidentoi faktin se me ndarjen e re territoriale–administrative Dajti do të marrë të njëjtin shërbim si çdo zonë e Tiranës.

“Ndarja e re administrative është ndarja për ta njehsuar Tiranën, për ta bërë njësh nga qendra e deri në periferi, në mënyrë që qytetari i Dajtit të mos ndihet qytetar inferior, por të ndihet një qytetar i integruar, një qytetar i barabartë me atë që banon në qendër, duke pasur të njëjtat kushte, në mënyrë që Dajti të jetë mushkëria e Tiranës, të jetë model i pastërtisë dhe i ekologjisë për Tiranën. Dhe këtë model ne duhet ta ndërtojmë së bashku , duke i shtrirë arteriet e Tiranës edhe në Komunën aktuale të Dajtit, e cila do të jetë pjesë integrale e Tiranës. Në këtë mënyrë, ne do të shikojmë se e gjithë kjo njësi e madhe administrative me 11 njësi aktuale të Tiranës, dhe 13 njësi të tjera që do ti bashkohen, që nga Farka, Bërzhita, Petrela etj. Të gjitha këto njësi duhet të bëhen pjesë e një koncepti të vetëm organik ku të kemi prodhime të cilat duhet të jenë prodhime të garantuara për tregun, prodhime që prodhohen nga bujqit e Dajtit, dhe të kthehen në një kulturë të veçantë, të cilën ta përçojmë në vizita që do të bëjmë në malin e Dajtit. Tirana jonë do të jetë më e gjelbër, më çlodhëse, por edhe një Tiranë e cila nuk meriton vetëm shërbim, meriton edhe zhvillim e punësim”, - përfundoi Rrokaj. 

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)