Xhorxh Fred Uilliams/ Ditari i ministrit amerikan në Shqipërinë e Princ Vidit

Xhorxh Fred Uilliams/ Ditari i ministrit amerikan në Shqipërinë e Princ Vidit

Këto janë shënimet e një diplomati amerikan në Shqipërinë e 1914-ës. Përmbajnë gjykimin e një të huaji mbi Shqipërinë. Ai e krijoi këtë vetgjykim duke qenë një periudhë kohe të rëndësishme në kontakt me shqiptarët e duke parë me sytë e tij çdo gjë që ka shkruar. “Shqiptarët” është një tablo mbi prejardhjen e këtij populli, mbi rrënjëjt pellazgjike, traditat dhe kultet, mbi sundimin turk në Shqipëri, i cili e nxorri Shqipërinë në gjendje tejet mjeruese në fillimshekullin e XX-të, por mbi të gjitha për atmosferën, porapaskenat, dëshmitë dhe personazhet e kohës kur në krye të Shqipërisë erdhi princ Vidi. Autori i këtyre rreshtave Xhorxh Fred Uilliams më 1914 ishte Ministri i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës, komision i cili do të udhëhiqte dhe do të bashkëpunonte me qeverinë e Vidit. Por siç shkruan përkthyesi i këtij libri në vitin 1934 Shaban Balla, zoti Uilliams e pa të pamundur bashkëpunimin mes tyre. Ai kuptoi se punët po shkonin mbrapsht, marrëveshja e Londrës e kishte mbjellë shumë ters farën.

Pas shumë mundimesh për marrëveshje sa me kryengritësit e Shqipërisë së mesme, sa me ata të Jugut, Uilliams u bind se këto punë ishin të kota dhe vendosi të marrë një masë të fundit. Shkoi në Shqipërinë e Jugut ku arriti një marrveshje mes “epirotëve” kryengritës dhe vlonjatëve që të bashkoheshin e të shpallnin pavarësinë e tyre. Ai kishte si qëllim që sapo të zhdukej qeveria  e Vidit e cila doemos nuk kishte jetë të gjatë, t’i bashkonte kësaj pavarësie edhe pjesën e sipërme të Shqipërisë. Por shumë shpejt këtë marrveshje e përmbysën diplomatët e Europës, të cilët dërguan në Vlorë dy luftanije që përmbanin anëtarë të komisionit të Durrësit. Ata e ndaluan këtë bashkim. Atëherë Uilliams e Kuptoi se marrveshja e Londrës kurrësesi s’kishte qëllim të krijonte një Shqipëri të lirë.

“Kësisoj ai vendosi ta lërë këtë skenë mëkatesh, por njëherazi edhe të shfaqë publikisht “komedinë tragjike dhe shpirtin e zi të diplomacisë  Europiane”, shkruan Balla. Një libër i rikthyer në libraritë shqiptare pas 60 vjetësh me një ribotim sipas botimit të parë të ’34-ës, “Shqiptarët” është një vepër që vlen mjaft t’i rikthehesh edhe sot. Numrin e shkuar në “Rilindasi”, botuam një pasazh nga kapitulli “Rënia e qeverisë së Vidit”. Këtë herë do të botojmë vijimin e këtij kapitulli dhe disa pjesë të tjera të shkurtra nga shënimet e këtij diplomati në vitin 1914./ Ad.Pe

Nga Xhorxh Fred Uilliams
Mbërrita në Durrës me datën 18 Qershor. Gjatë një jave që kalova në Gjirokastër me kryetarët e kryengritësve unë pata mësuar për vrasjen e 70 mohamedanëve të pa armatosur, të cilen komisioni e kishte vërtetuar por kryengritësit e mohuan dhe e pata vurë vehten në dijeni me gjithë mosmarrëveshtjet që qëndronin në mes të “epirotasve” dhe komisionit nderkombetar per te bërë paqe. Unë jo vetëm që u habita, por edhe u tmerrova për ngatërresat që gjeta në Durrës. Secili anëtar i komisionit ishte me armë në dorë kundra tjetrit dhe në vend që të ndëgjonin lajmet e dobishme që solla une, secili e shkonte kohën duke më përshpëritur në vesh gjërat pa mend dhe keqbërjet e tjetrit. Asnjeri nuk kishte as më të voglën ide se kush e kishte sundimin ose komandën më të lartë, e cila kërkohej me një farë autoriteti nga princi, nga komisioni, nga oficerët hollandezë dhe nga kabineti. (Sepse marrëveshja e Londrës e kishte zhytur këtë punë duke ia dhënë në njërën anë komandën njërit e në një tjetër tjetrit, herë komisionit e herë Princit e herë oficerëve hollandezë – shën. përkth.).

Me i përshkruar hollësirat e ngatarresave që çdo ditë u bënë edhe më të këqija në Durrës, nuk do të ishte edhe aq e dobishme. Qeveria shkoi një herë në Vlorë dhe iu desh me u kthyer prapë në Durrës për arsye kompllotesh dhe aty gjeti kryengritjen e Esad Pashës. Një oficer italian u zu natën në Durrës duke i bërë shenjë kryengritësve e në këtë mënyrë duke iua drejtuar udhët e operacionit. Kur e arestuan u gjet se ai qe duke bashkëpunuar me oficerin që kish pas qenë ngarkuar me mision nga Princi për të mbrojtur Durrësin nga kryengritësit; atëhere misioni u pezullua. Një oficer hollandez më tha se Princit nuk mund t’i mbushej mendja kurrësesi për t’i prirë ushtrisë e as me u dukur më para luftës. Luftaniet e gjashtë fuqive rrinin në një qetësi të vdekur në port. Kur qyteti u mësye, komandantët e tyre u thirrën për të shtirë ca topa sa me trembur kryengritësit, por ato kundërshtuan duke thënë se kanë urdhëra të rrepta me vepruar vetëm për mbrojtjen e personit të princit e të familjes së tij. Kjo tregoi qartazi se fuqitë e mëdha kishin vendosur mos me shtirë asnjë top për mbrojtjen e qeverisë që kishin marrë përsipër me themeluar. Përvoja ime e fundit në Durrës qe një natë para se të largohesha, kur qeshë zgjuar prej një krisme të tmerrshme pushkësh në kënetë pothuaj nën dritaret e mia. Oficerët më lajmëruan në mëngjes se kishin dërguar nja 15 vetë nëpër kënetë për të kërkuar të vrarë e të plagosur, por njerëzit e tyre duke i kujtuar këta se ishin armiku qe po iu afrohet, shtine mbi ta dhe i vranë të gjithë.  E lashë këtë skenë mëkatesh, ngatërresash të ndyra dhe gjakderdhjesh me një zemër plot mëri kundër krimit të madh të Europës dhe plot simpati për popullin që iu desh me derdhur gjak për të mbajtur larg zgjedhen dhe një nga gabimet më skandaloze në historinë e Europës. Tre muaj pas kësaj, princi, familja e tij, oborri e kabineti i tij, komisioni ndërkombëtar, ministrat e huaj, xhandarmëria dhe luftanijet ikën nga Durrësi dhe Shqipëria u la sikurse është sot, pa qeveri. (Domethënë në kohën e Luftës I Botërore – shën. përkth.).

Masa për shpëtim
Të nesërmen, pasi pata lënë Durrësin mbërrita në Vlorë. Kryetarët e Vlorës ishin besnike të princit Vid dhe i patën dhënë ushtarë për të luftuar kyengritësit e Shqipërisë së mesme dhe “epirotet” në Jug të Vlorës. Prandaj këta gjindeshin në një frikë të përditshme prej ndonjë mësymjeje nga vëllezërit e vet. Që mos të vazhdohej më rrënimi në mes tyre, i këshillova që të shpallin pavarësinë dhe të bëjnë paqe me vëllezërit e vet. Në emër të tyre shkova në Delvinë dhe takova kryetarin e qeverisë së perkohshme të Epirit, Zografo, i cili ishte i sëmurë në zemër pasi po kthehesh nga varrimi i 14 djelmoshave Delvinnjotë që sapo ishin vrarë në shpat të malit, ndërsa 40 burra shtriheshin të plagosur. Ai qe gati me bërë paqe me vlonjatët dhe kur ky lajm mbërriti Vlorën u prit me shumë kënaqësi dhe duartrokitje. Atë mbasdreke dy luftanije të fuqive të mëdha që bënin pjesë në komisionin ndërkombetar, u ngulën në port dhe nën hijen e topave të Europës nuk lejuan bashkimin që unë kisha parashtruar. Ata e dinin mirë që qeveria e tyre po kotesh mbi fronin e saj dhe se do të binte.

Po ashtu e dinin që përmbajtja e veprave të tyre do të shkaktonte edhe më shumë gjakderdhje vllazërore. Prej asaj kohe e mbrapa fuqitë “epirote” dhe kryengritsit e Shqipërisë së mesme përparuan. Më tepër se 100 000 barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnje lanë shtëpijat e tyre, të cilat ua dogjën e ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia, sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim, u raportua se nga këta 100’000 emigrantë 30’000 kishin vdekur urie dhe s’kishin as mbulesë e as kasolle ku me shtirë kryet. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi. Në pranverë nuk ka me patur misër për farë për ata që do të shpetojnë.

Zbulimi i padrejtësisë
Mirë do ishte po ta kishte përshkruar gazeta Times e Londrës skenën e Durrësit si një komedi tragjike, që brenda pallatit mbretëror luheshin shakatë cinike më të mëdha, që mbrapa maskave buzëqeshëse të diplomatëve të Europës fshiheshin fytyrat e errta e kriminele, shkaktare të vdekjes së këtyre njerëzve, se jashtë në kënetë shtriheshin qindra Shqiptare mbrojtes të vatrave të veta, të fortë e të ngrirë, me sytë e tyre dhimbisurisht të drejtuar kah qielli i cili dukej e pamëshirshëm per ta. Dukesh një detyrë njerëzore, haptazi, me shqyer maskën që mbulonte diplomacinë Europiane e me nxjerr fytyrën e saj të lyer me gjak atdhetarësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe pasi qeshë i shtrënguar e tregova këtë panjerzi dhe këtë padrejtësi të fuqive Europiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi e në Mal të Zi, sikurse patjeter qeshë i shtrënguar me bërë. Drejtesia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e dipllomacisë!

Qe shorti im me ngritur perden që t’i jepja dritë kësaj komedie, e cila qe loja më tragjike që është vu në skenë prej duarve të njerëzve. Ky veprim qe ai që me ka hapur rrugën me iu lutur popullit të lirë të Amerikes të ndihmojë Shqiptarët që po mundohen me luftë e me vdekje për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Kur Europa, e përgjakosur, e mjeruar, e shfarosur, e falimentuar dhe e këputur do të hyjë duke çaluar në një periudhë të re qytetërimi, atëhere le të mësojë prej vuajtjeve të veta mëshirën që duhet të ketë për kombin e vogël malësor; e cila dëfrehesh me shtërngimet e shpirtit e me britmat e vdekjes së tij dhe vepronte paturpësisht duke i quajtur asgjë tmerret dhe vuajtjet e këtij populli për liri dhe humbjen e lirisë të një populli e quante një sakrificë të zakonshme për qejfin e tyre

Historia e tmerrshme e Turqisë në Shqipëri
Kur kam folur për robërinë e Shqiptarëve nën Turqi, nuk kam patur në mendje mizori, tortura, vrasje dhe therje. Këto veprime bien mbi persona të veçuar të cilët vuajnë, vdesin dhe harrohen. Shkenca e torturës, thelbi i tiranisë dhe djallëzia e vrasjes janë në kulmin e tyre kur i drejtohen një grupi dhe shpirtit e jetës së një shteti. Duket si e pamundur që një qeveri të tregojë haptazi vendimin e vet për të shkatërruar lumtërinë e për të mohuar shpresat dhe dëshirat e një populli nën sundim. Por kjo është historia e tmerrshme e Turqisë në Shqipëri. Malësorët trima nuk u shtruan kurrë dhe shumica e tyre kundërshtuan edhe pagesen e taksave.

Ata vdisnin në grupe pse rrinin së bashku për t’u mbrojtur nga mësymjet e herë pas herëshme të ushtrive turke, të cilave kurrë s’ia lëshuan shtëpitë e tyre. Por ata nuk mund të rnbronin edhe fushat ku ishte mundësia më e madhe e përparimit dhe qytetërimit. Për Turqinë, fushat kishin dy vlera: e para si burim të ardhurash dhe e dyta për të mbledhur ushtarë. Popullit i vinin taksa të mëdha që i mblidhnin pa mëshirë. Taksat dërgoheshin në Turqi dhe shumë pak shpenzoheshin në vend. Në këtë mënyrë e ropi Turqia pasurinë e vendit. San Xhuliano, tani vonë ministër i jashtëm i Italisë, thotë se qyteti i Vlorës paguante 1’000’000 franga në vit dhe vetëm 20’000 shpenzoheshin aty. Gjithashtu edhe në Vilajetin e Janinës mblidheshin 9’000’000 franga, prej tq cilave vetqm 2’000’000 shpenzoheshin për atë vilajet.

Mbledhja e ushtarëve
Por e ardhura tjetër ishte edhe më e vlefshme. Shqipëria nxirrte pothuaj ushtarët më trima në Europë. Malësorët Shqiptarë të lartë, të fortë e të pafrikshëm, përbënin gardën e Sulltanit. Mirditasit dhe malësorët përgjithsisht viheshin në pjesët më me rëndesi të ushtrive turke. Shumë  prej tyre morën lavdërime dhe pozita të larta si në ushtri ashtu edhe në administratë. Edhe në ditët e Romës pat qenë ideja për ta bërë Shqipërinë një fole për rritje dhe nxjerrje luftëtarësh, por Turqit e përmbushën këtë ide. Duhet shënuar se po të ishte Shqipëria e përparuar, e edukuar dhe e lumtur, nuk do t’i jepte ushtarë Turqisë. Për këtë arsye padituria, veçimi i saj nga bota e përparuar dhe varfëria u zgjodhën prej turqëve si vegla për të mbajtur nën thembër këtë popull trim.

Coptimi i vendit
Siç duket, ishte vendosur në çdo fuqi mendore zhvleftësimi moral, intelektual, shpirtëror, ekonomik dhe politik i këtij populli. Zyrtarët që të gjithë ishin të pasjellshëm; të ashtëqujturat salla të drejtësisë, gjyqet, nuk mbronin as persona as pasuri. Njerëzit viheshin në burg me dëshmira të fshehta. Gjithë lëvizjet për bashkim prisheshin nga nëpunësit e pashpirt dhe gjithë masat për punë e industri pengoheshin nga tagrambledhësit. Mund të thuhet se këto janë kondita edhe në vende të tjera të nënurdhëruara, por jo kaq sistematikisht. Miniera ari patën qenë punuar prej Romakëve e argjendi prej venedikasve. Këto patën qenë mbyllur shumë kohë përpara me urdhër qeveritar dhe tani as vendi nuk u dihet. Pyje të mëdha shkonin më kot dhe kalbeshin për arsyera ligjore dhe transportimi. Ndërsa në shtetet e tjera të Europës ka një endje të madhe hekurudhash, ky vend nuk ka asnjë rrugë hekuri prej Veriu në Jug. Fuqira të mëdha ujrash nuk përdoren; porte shumë të mirë janë pa mbrojtje dhe pa ndërtesa doganore.

Lumenj, nëër të cilët duhej të lundronin avullore me transportuar lëndët e pyjeve në tregjet botëore, janë të vdekur e të padobishëm. Përveç ç’ka lanë Romakët, rrugë të tjera nuk ka; një njeri për të shëtitur prej bregut në brendinë e vendit ose prej një qyteti në tjetrin, duhet të shkojë mbas gjurmave ose nëpër ndonjë rrugë qorre. Portet e sigurtë dhe hekurudhat do të ishin mjete për të bashkuar Shqipërinë me botën e jashtme dhe rrugët e gjëra do ta bënin të lehtë kalimin prej një qyteti në tjetrin. Por ndërlidhje të tilla do t’i kujtonin popullit dobinë e qytetërimit dhe do të bëheshin shkak kundërshtimesh dhe kryengritjesh. Parimi i mallkuar për të mbajtur këtë vend të veçuar, si brenda me njëri-tjetrin ashtu dhe me botën e jashtme, ishte shkak që e la këtë vend të verbët e të errët, ndërsa nëpunësit e Turqisë mbushën botën e jashtme me propaganda mbi egërsinë e këtij populli dhe rreziqet e udhëtimit në këtë vend. Por historitë dhe shënimet nuk tregojnë për ndonjë të huaj që u gjend ndonjë herë në rrezik në tokën Shqiptare; doemos ata që nuk prunë me vehte ndonjë komplot ose tjetër qëllim të keq për popullin. Përgjithësisht çmohet mikpritja e Shqiptarëve prej atyre të huajve sa më tepër që ata e vizituan këtë vend me qëllim miqsor. Në këtë tokë me fjalën qytet quajmë një vend që nuk ka më shumë se 40’000 banorë.

Një tokë e begatë
Në Shqipëri ka fusha të mëdha dhe pjellore të cilat mund të ushqenin miliona, por tani ato vetëm gërricen me një parmendë druri e nuk punohen. Shumica e tyre janë të mbuluara me barishte të padobishme ku kullos bagëtia e dobët e vendit. Minierat janë të pagërmuara e të paditura. Ata më me dituri në mineralogji thonë se toka Shqiptare ka qymyr guri, vajguri, hekur, asfalt e bakër, por zbulimi dhe shfrytëzimi i tyre nuk është lejuar kurrë. Prodhimi i të lashtave, misrit, ullijve, pemëve e vreshtave, po të përpunoheshin do të ishte shumë i madh, ndërsa peshku nuk ka të sosur. I shkreti bujk, me që të shumtën e veglave si dhe kaun me nga tokën shpesh herë i merrte me qera nga se do të paguante medoemos e me çdo sakrificë taksat e rënda, edhe pse vetvetiu i varfër  nga rrjedhat e kohëve, ndalëngadalë la punimin e tokës që nën një punim të mirë mund të nxirrte miliona e u vu të ruajë ato pak bagëti që pati dhe toka pjellore u la pothuaj krejtësisht si vend kullotë. Por edhe bagëtia e tij është në një gjendje shumë të keqe; leshi nga ashpërsia e tij ka një vlerë shumë të pakët dhe raca e bagëtisë se tij nuk është përtërirë kurrë. Sasia e madhe e lëkurëve shkon më kot për pamundësinë e transportit dhe për padijen e përgatitjes së tyre. Pa shikoni! Sa keq! Në mes të Europës një tokë e pasur, një tokë pjellore të ndodhet në këtë gjendjë si me qenë në mes të një shkretëtire!

Parimi i zhvleftësimit
Shqipëria ka plot gojëdhana të së kaluarës por turqit nuk lejonin gërmime, gjë që mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë. Mësimi i gjuhës Shqipe ishte krejt i ndaluar në çfardo shkolle. Sot nuk ka ndonje alfabet të caktuar, s’ka shtypshkronja që të shtypin gazeta dhe libra për këtë popull. Rregullat turke arrestonin dhe internonin ata të cilëve u gjenin qoftë edhe në postë libra të çdo lloji në gjuhën Shqipe. Gjuha e Shqiptarve duhej të heshte për hir të sunduesit. Që mos me u dhënë raste për bashkim për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e tyre, turqit ndiznin dhe shtonin çdo ditë e më tepër armiqësinë në mes familjeve, lagjeve, katundeve dhe besimeve të ndryshme. Fanatizma dhe shpërblimet që merrnin kryetarët e vendit kanë qenë helmi më i fortë për të mëkëmbë çdo të keqe dhe kanë rënduar zgjedhën e kanë penguar përparimin. Djali katundar i lindur në Shqipëri u rrit krejt i paditur për arsye se Turqia lejoi të hapen shumë pak shkolla në gjuhën e saj, përveç atyre të huaja; kështu që mos të zgjohej mendja, shpresa dhe ambicja e të riut Shqiptar. Babai i shkretë, i mbytur në varfërinë e tij, mund t’i jepte djalit të vet vetëm një rrugë jashtë shtetit duke e dërguar në Stamboll ku medoemos do t’i përshtatej jetës ushtarake, do të gufosesh nën një uniformë me xhufka dhe do të ushqehesh nga kazani i mbretit. Megjithatë kurrë nuk e pa të arsyeshme sundimtari turk zgjimin e djalit Shqiptar.

Europa përkrah sundimin turk
Diplomacia e Europës e ka njohur gjithmonë karakterin e keq të sundimit turk. Për turp të kësaj diplomacie i është thënë kjo e vërtetë në shesh, por gjithë këtyre protestave fuqitë e mëdha i janë përgjegjur: “Shqiptarët janë një racë e egër”. Asnjë njeri në Europë nuk e njohu më mirë popullin dhe tokën Shqiptare sesa italiani i famshëm, Markezi San Xhuliano. Me një penë të fortë ky zotni e ka hartuar kulmin e mizorisë me të cilën sundimi turk poshtëroi dhe shkretoi një popull, për trimërinë dhe kapacitetin e të cilit ky shkrimtar ka një respekt. Por, sikurse e thotë edhe vete, nga pozita diplomatike që kish iu desh me i mohuar të drejtat e Shqiptarëve me këto fjalë: “Prandaj Italia interesohet me e lënë të paprekur nderin e Sulltanit në Shqipëri nga çdo pikpamje; përkundrazi, me sa të jetë e mundur do ta mëkëmbë edhe më dhe do të ndalojë çdo gjë që mund të shkaktojë zhdukjen e sundimit të tij ose që mund të shkaktojë kondita të cilat, herët a vonë, mund të bëhen shkak për ndërhyrje të huaj ose për shqetësim të përgjithshëm”. Me këtë shpirt i dënoi Europa shqiptarët me robërinë e ndyrë dhe veçimin e tyre nga bota e jashtme, me shtypjen e pasurisë dhe të industrisë së tyre, me paditurinë që e mëkëmbi çdo ditë, me fanatizmin që futi në mes tyre, me varfërinë dhe me shtypjen e ndjenjave të tyre.

Kush është
Xhorxh Fred Uilliams (1852-1932) lindi në Dedham të Masaçusetsit. U arsimua në degën e ligjeve në Masaçusets më 1872 dhe pas studimeve të tjera u bë avokat. Gjatë viteve 1880-1887 kreu redaktime të botimeve të rëndësishme ligjore në vitet. Më 1889, ishte anëtar i legjislaturës së Masaçusetsit dhe gjatë viteve 1891-1893 ishte anëtar demokrat i Kongresit Amerikan. Gjate viteve 1913-1914 ishte Ambasador i SHBA në Greqi dhe Mal të Zi.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin