Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medalje të artë në garën “Grand Prix” që po zhvillohet në Portugali, njofton Federata e Xhudos e Kosovës.

Krasniqi mposhti në finale garuesen kroate, Ana Viktorija Puljiz.

Vitin e kaluar Krasniqi kishte fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike, që u zhvilluan në Tokio të Japonisë.Më 18 dhjetor, 2021, Krasniqi u shpall xhudistja më e mirë në botë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Përzgjedhja e saj u bë përmes një votimi të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:26
Krasniqi fitoi medaljen e artë, Meta: Urime së artës Distria

Presidenti Ilir Meta ka uruar xhudisten Distria Krasniqi për medaljen e artë që ka fituar në garën “Grand Prix” në Portugali.

“Urime së artës Distria Krasniqi”, shkruan Meta.

Ora 22:05
Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë, Osmani: Krenare, është bërë ikona e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas triumfit të Distria Krasniqit e cila rrëmbeu medaljen e artë në Portugali.

“Disi jonë fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë. Krenare që sportistët tanë vazhdimisht po demonstrojnë formë fantastike në gara ndërkombëtare, duke e nderuar veten dhe shtetin.

Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria! I lumtë që me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme”, shkruan Vjosa Osmani.