Xhufi kundër Memorialit të Tepelenës, Autoriteti i Dosjeve dhe Peçi “do të bëhet”

Xhufi kundër Memorialit të Tepelenës, Autoriteti i Dosjeve dhe Peçi “do të bëhet”

Historiani Pëllumb Xhufi

Në korrik të vitit të kaluar, kryetarja e e autoritetit të Dosjeve (AIDSSH) Gentiana Sula, deklaroi se kishte nisur puna për një memorial dedikuar kampit famëkeq të Tepelenës. Në kuadër të një aktiviteti në përkujtim të viktimave, ku është deklaruar nga Autoriteti i Dosjeve se 300 fëmijë kanë vdekur në këtë kamp internimi të diktaturës komuniste, kryetarja Gentiana Sula ka pohuar se: “puna për një projekt fillestar për një memorial për ish-kampin famëkeq të Tepelenës sapo ka filluar. AIDSSH do jetë promotori për këtë proces në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë Tepelenë, familjarët e personave që vuajtën në këtë vend të tmerrshëm, si dhe qytetarët e Tepelenës”.

Në kujtim të fëmijëve që vdiqën në atë kamp është projektuar edhe një pyll me 300 pemë. “Pylli i Fëmijëve me 300 fidanë do të na përkujtoje qindra fëmijë që humbën jetën nga uria dhe kushtet çnjerëzore. Ata ende sot nuk kanë varre të shenjuara. Një barrake që strehonte fatkeqët, mund të rindërtohet sipas modelit të dokumentuar nga piktori i mbijetuar Lekë Pervizi. Rrugët ku ecnin të munduarit çdo ditë për të mbledhur dru në mal mund të kthehen në rrugë të dëshmuara”, ka deklaruar në fillimet e punës zonja Sula në emër të institucionit të  AIDSSH.

Por, tetë muaj më vonë, pas kësaj deklarate institucionale, historiani Pëllumb Xhufi ka shprehur mospëlqimin e tij dhe ka insituar të porosisë publikisht në një intervistë televizive kryetarin e Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçin, që të mos ngrihet Memoriali në Tepelenë.

Ja si i është drejtuar Pëllumb Xhufi nga studioja televizive kryetarit të Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçit:

“Këmbëngulja për të bërë në mes të Tepelenës një memorial për kujtimin e viktimave dhe të izoluarve në kampin e Tepelenës ka edhe një risk tjetër dhe me duket se ka edhe një paragjykim, sepse dikush kërkon të identifikojë Tepelenën se ka njerëz me prapamendime qofte fetare, qoftë krahinore, do ta bëjë Tepelenën si symbol të respresionit komunist. Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës dua t’i them se para se të angazhohet për kampin e Tepelenës duhet të angazhohet në shumë punë të tjera. Sepse Tepelena ka qenë vatra e kryengritjeve dhe luftërave për liri dhe demokraci të popullit shqiptar dhe kjo që nga kohët e para të Skënderberut… Ai nuk kujtohet të bëjë një konferencë shkencore për luftëra që na kanë bashkuar ne shqiptarëve dhe përqafon një projekt që është një realitet, ai kamp, por që është mistifikuar”, është shprehur Xhufi.

Ndërsa Tërmet Peçi ka deklaruar për “Shqiptarja.com” se e ka dhënë deklaratën e tij në një media, ku thekson se do të vijojë bashkëpunimin për projektin e memorialit, pavarësisht paragjykimeve që mund të ketë për vendin ku do të ngrihet dhe për vetë banorët e Tepelenës. Peçi është shprehur në këtë deklaratë se: “Ne si bashki po kërkojmë të promovojmë të gjitha vlerat historike, kulturore në dobi të atraksioneve turistike. Ne do të ishim shumë dakord që ky muze të bëhej atje ku është kërkuar, duke shmangur çdo lloj hiperbolizimi apo shndërrimi historik të këtij monumneti për qëllime të tjera. Ka një ekzagjerim nga palët në debat rreth historisë së kampit dhe ajo që është paksa e shëmtuar, është identifikimi si kampi i Tepelenës. Kam vënë re që ka doza racizmi në mënyrën se si duan ta theksojnë këtë, por janë gjëra që mund të tejkalohen.”

Gentiana Sula: Projekti përfshihet në programin qeverisës 2017-2021

“Më 30 gusht 2017, hapi i parë për Memorialin u mbollën fidanët e parë të 300 qiparisëve, si përkujtim për të miturit e zhdukur

E pyetur nga “Shqiptarja.com”, se çdo të bëhet me projektin e Kampit të Tepelenës, pas deklaratave kundër të historianit Pëllumb Xhufi, drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, është shprehur se do të dalë më një deklaratë për mediat. Pas këtij premtimi, dje pasdite në faqen zytare të institucionit, Sula ka postuar një raport të hollësishëm të titulluar “Mbi ecurinë e projektit të muzealizimit të Kampit të Tepelenës”. Në këtë Raport shkuhet ndër të tjera se: “Më 30 gusht 2017 është hedhur hapi i parë për fillimin e punës për Memorialin, me mbjelljen e qiparisëve të parë që përkujtojnë të miturit e zhdukur. Projekti përfshin rindërtimin e njërës prej barakave siç ka qenë në kohën kur funksiononte si kamp dëbimi; mbjelljen e disa fidanëve për përkujtimin e fëmijëve që humbën jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës e janë pa varr, si dhe vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi e dëshmi arkivore) për kampet e dëbim-internimit.”

Deklarata e plotë e Autoritetit të Dosjeve

“4 prill 2018 - Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion shtetëror, përgjegjës për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, bën me dije mbi ecurinë e projektit të muzealizimit të Kampit të punës së detyruar në Tepelenë.

Autoriteti me Vendimin nr. 54, datë 10.08.2017 ka miratuar realizimin e Projektit të kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” dhe ngritjen e grupit të punës “Për kërkimin e dokumentacionit arkivor për kampin e Tepelenës dhe krijimin e një memoriali për përkujtimin e datës 30 gusht, si Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve”, bazuar në ligjin nr. 45/2015 dhe ligjin nr. 9154, dt. 06.11.2003 “Për arkivat”, mbi përgatitjen dhe hapjen e ekspozitave dokumentare. Po ashtu, në zbatim të ligjit nr. 9802, datë 13.9.2007 “Për Ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”.

Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi dhe dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe mbjelljen e disa fidanëve (qiparisa) për përkujtimin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës dhe janë pa një vendvarrimi. Ndërtimi i këtij Memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste.

Projekti është miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tepelenë nr. 40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, konfirmuar në datë 14.12.2017 nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër.

Projekti i kujtesës është përfshirë në programin qeverisës 2017-2021, në kapitullin kushtuar kulturës dhe edukimit përmes saj, ku thuhet: “Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë, që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës, si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës”. 

https://kryeministria.al/files/PROGRAMI.pdf 

Autoriteti ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj. Për mbledhjen e dokumenteve zyrtare që faktojnë periudhën e ekzistencës së Kampit të Tepelenës është bashkëpunuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Në këtë kuadër, projekti është mbështetur nga Bashkia e Tepelenës dhe partnerë të AIDSSH, si PNUD (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 32, datë 01.02.2018), OSBE (miratuar marrëveshje bashkëpunimi me vendim të Autoritetit nr. 46, datë 06.07.2017) e institucione të tjera, publike, akademike dhe të kërkimit shkencor. Me Muzeun Kombëtar të Kampeve të Punës në Tepelenë, AIDSSH synon të krijojë një model për të gjitha kampet e punës së detyruar në Shqipëri, ku e shkuara të shërbejë për reflektim e të mos përsëritet. https://www.youtube.com/watch?v=4Rd5FwçTMk

Marrëveshja me PNUD-in, për programin ambicioz “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar” përmbledh dy ndërhyrje kryesore: (i) konceptualizimin, historinë, dhe praktikat e punës së detyruar gjatë rregjimit komunist përmes një qasje historiko – juridike ndaj institucionalizimit të punës së detyruar. Kjo do të kontribuojë në konceptimin e vendeve të kujtesës si Kampi i Tepelenës dhe (ii) fushatën e komunikimit “Edhe muret kanë veshë” zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë së Italisë. Fushata do te shtrihet në mbarë vendin, duke mbledhur dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste dhe dëshmi të solidaritetit që qytetarët e Tepelenës treguan ndaj viktimave.

Po ashtu, marrëveshja me OSBE-në, për projekte hulumtimi dhe pune shkencore me të rinj e kërkues të interesuar për njohjen me të shkuarën dhe përballjen e shoqërisë me të vërtetën; marrëveshja me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, për bashkëpunim në projekte komplekse që hedhin dritë në Shqipërinë e diktaturës (mes të cilëve puna për kampin e Tepelenës); me Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, që mundësoi listën me të dënuarit me punë të detyrueshme në këtë kamp, 3380 persona, nga të cilët: 973 burra të moshuar, 1254 gra dhe 1163 fëmijë.

Autoriteti ka miratuar me Vendim dhe me pas ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me Institutin e Historisë dhe Universitetin e Tiranës për njohjen e thelluar të së shkuarës dhe trajtimin profesional të saj. http://autoritetidosjeve.gov.al/marreveshje-bashkepunimi-midis-aidssh-dhe-institutit-te-historise/ 

Brenda kuadrit ligjor mbi të cilin AIDSSH mbështet punën e vet duke pasur në themel vlerat e transparencës, integritetit, bashkëpunimit, të mësuarit dhe angazhimit: Ndërgjegjësimin e publikut përmes të mësuarit të vazhdueshëm si një mënyrë për të inkurajuar angazhimin demokratik dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale që bashkërendojnë hapat për realizimin e objektivave të kalendarit të kujtesës 2018, me mbështetjen e Bashkisë së Tepelenës, e cila ka miratuar projektin e Memorialit Kombëtar të Kampeve të Punës së Detyruar, si objekt prioritar për Zhvillimin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale për Artin dhe Kulturën, për vitin 2018. Ndërkohë, projektideja e Memorialit në kampin e dëbim-internimit të Tepelenës është ende në zhvillim. Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me të gjithë aktorët e faktorët, në mënyrë që kampi i Tepelenës, si dëshmi e kampeve të punës së detyruar në diktaturë, të përfaqësojë një vend reflektimi për të rinjtë, studentët, qytetarët dhe të nderojë sakrificën e dinjitetin njerëzor të mijëra vetave, burra, gra e fëmijë, që u keqtrajtuan në kampet e punës së detyruar në të gjithë vendin.

Projekti i kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” është prezantuar publikisht në Tepelenë nga arkitekti Gjon Radovani, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit, kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Williams dhe zv. /ambasadorit të Prezencës së OSBE, z. Robert Wilton, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, qytetarëve të Tepelenës, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare dhe medias.”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja