Ylber Duraku shprehet se PD po përpiqet me të gjitha mënyrat për të evidentuar të gjitha rastet dhe për t’i parandaluar ato, duke nënvizuar se për këtë shqetësim janë informuar dhe strukturat, forumet drejtuese e kryetari i PS. Ai tha se ka më shumë komuna në të cilat po bëhen një manovrim i tillë, duke parë që zhgënjimi ndaj PD është i madh e votat janë në rënie.
Çfarë po ndodh në qarkun e Kukësi...?
Në qarkun e Kukësit pushtetarët demokratë po insistojnë me të gjitha mënyrat për të rritur në mënyrë fiktive numrin e banorëve për të mbajtur në nivelin e tanishëm numrin 4 të mandateve për deputetë. Duke qënë se në qarkun e Kukësit, PD ka shumicën e drejtimit të komunave e bashkive, ka filluar një fushatë e ethshme e shtimit të emrave në listat e banorëve të njësive vendore, në mënyrë që të kenë aq banorë sa për të prodhuar dhe një deputet shtesë në këtë qark.
Çfarë qëllimi ka kjo përpjekje për shtimin e numrit të banorëve?
Qëllimi i pushtetarëve është që në këtë qark që cilësohet si bastion i PD, pavarësisht se ka zhgënjim dhe nuk e kanë votën të sigurtë, ta nisin fushatën zgjedhore të vitit të ardhshëm me tre deputetë plus. Pra të krijojnë idenë se janë fitues, duke shtuar banorë në lista pikërisht në ato njësi vendore që drejtohen nga PD për të mbytur zonat tjera ku në avancë është e majta.
PS e Kukësit çfarë masash po merr për t'i penguar këtë problem?
PS e rrethit të Kukësit ka kohë që këtë shqetësim e ka përcjellë në strukturat e forumet drejtuese të partisë në qendër, në kryesi e Asamblenë Kombëtare të PS, si dhe kryetarit të partisë. Ndërsa ne në bazë po punojmë që të pengojmë këtë implementim të këtij stili të vjetër manipulimi të PD në qarkun e Kukësit.
Janë përmendur disa komuna në të cilët ka shtesa fiktive të banorëve në lista. Ka shtrirje më të gjërë..?
Nuk janë vetëm ato komuna të cilat janë përmendur në KQZ dhe në media që kanë shtuar banorë në lista. Përpos Topojanit, Fierzës, Shishtavecit janë dhe komunat e Bicajt, Kalisit, Bushtricës, Tërthores dhe Shtiqënit. Eshtë dhe bashkia e Kukësit që është prekur nga ky fenomen i shtimit të listave me banorë fiktivë. Por shtimi i popullsisë dhe votuesve në mënyrë fiktive ka ndodhur që kur PD ka ardhur në pushtet më 2005, në zgjedhjet e vitit 2007 e sidomos në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 e ato vendore të 8 majit të vitit 2011. Pra është një problem që po intensifikohet gjithnjë e më shumë, në proporcion me rënien e votave për PD.
Më konkretisht cilat janë masat që po merr PS...?
Grupet e punës të PS të qarkut të Kukësit, të ngritura sipas vendimit të Kongresit të partisë, por dhe të vendimeve të Asamblesë Kombëtare janë në aktivitet të plotë për verifikimin e listave dhe numrit të banorëve, për t'i ballafaquar mes njëra tjetrës dhe për të nxjerrë shtesat fiktive. Por po verifikojmë dhe të gjithë emigrantët dhe listat ku ka dublikime për të qënë gati që në zgjedhje të mos ketë manipulime. Po bëhen një punë e madhe dhe do ia dalim t'i evitojmë këto manipulime.
Ka të dhënë se janë regjistruar dhe shtetas nga Kosova...?
Ne Kosovën e kemi afër e ky shqetësim ekziston. Kemi të dhëna se janë futur në listat e banorëve të komunave e bashkive të Kukësit ku qeveris PD dhe banorë nga Kosova, por numrin e tyre të saktë po e verifikojmë e do e bëjmë publik, që të hiqen nga lista
Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(ne foto deputeti i PS-se Asllan Dogjani, majtas dhe Ylber Duraku, djathtas)
(sg/shqiptarja.com)