Ylli: Gati protokollet për kapjen
e hershme të kancerit në mitë

Ylli: Gati protokollet për kapjen<br />e hershme të kancerit në mitë
TIRANË - Kontrolli i Pap Testeve apo metodave të tjera të cilat evidentojnë praninë e kancerit të qafës së mitrës, do të kryhet edhe nga mjekët e shërbimit parësor apo ato të konsultoreve të gruas. Ky fakt bëhet i ditur nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.

Një intervistë ai shpjegon se nëse sëmundja kapet herët mund të parandalohet krejtësisht. Pra, potenciali për parandalimin e këtij lloj tumori është 90% nëse diagnostikohet herët, ndryshe nga kanceri i gjirit ku kemi një efektivitet por jo të këtyre përmasave. Por çfarë do të përmbajnë fushatat të cilat kanë për qëllim depistimin e sa më shumë fermave.
 
Faleminderit që po na prisni. Në fakt edhe për interes të publikut, të popullatës së shëndetshme dhe të atyre që janë pacientë, do të donim të dinim diçka më tepër për sa i përket zhvillimeve më të fundit dhe të asaj çka është e re dhe duhet që të gjithë njerëzit duhet të dinë në lidhje me kancerin e qafës së mitrës.
Atëherë, së pari, mbi termin. Termi kanceri i qafës së mitrës është një term shqiptar që përdoret gjerësisht në publik. Në mes profesionistëve përdoren edhe termat kanceri i cerviksit apo cervikal. Bëhet fjalë për një rajon anatomik të saktë te gratë. Është një kancer jo shumë i shpeshtë, fatmirësisht, në Shqipëri, relativisht krahasuar me kancerin e gjirit, por kur e studiojmë atë te grupmoshat riprodhuese vëmë re që ai është kanceri i dytë, pas kancerit të gjirit. Pra, në njëfarë mënyre është prioritar edhe nga pikëpamja e epidemiologjisë. Ka edhe një arsye tjetër të rëndësishme, për të cilën ne merremi me këtë kancer sepse ju mund ta keni vënë re që flitet më shumë për kancerin e qafës së mitrës sesa për disa kancer të tjerë, të cilët prekin gjithsesi gratë.
 
Përse?
Sepse ka eksperienca, ka përvoja, ka praktika në botë të cilat na dëshmojnë se ky është një kancer që mund pothuajse të parandalohet krejtësisht. Pra, potenciali për parandalimin e tij është 90% nëse ne e kapim atë herët, ndryshe nga kanceri i gjirit ku kemi një efektivitet por jo të këtyre përmasave. Pra, përfitimet në vdekshmëri lidhur me kancerin e gjirit kur ndërtojmë programe të mira depistimi, janë rreth 25%, 1 ndër 4 gra do të përfitonte nga ky kancer, ose 1/4 e mortalitetit do të kursehej, në rastin e kancerit të qafës së mitrës apo cerviksit, dëshmitë nga Evropa janë 75%-80% dhe në kushte, po i quaj laboratorike, do të shkonin 90%-95%.
 
Përse ky ndryshim i madh në përqindje?
Sepse dallon historia natyrore e sëmundjes. Së pari, është një kancer që kërkon një kohë më të gjatë për t’u zhvilluar dhe së dyti, testet që përdoren për kapjen e hershme prej kacerëve janë shumë më efikase, shumë me kosto efektive. Pap testi tradicional për të cilin ka dëgjuar një pjesë e madhe e publikut shqiptar, pra verifikimi i qelizave anormale në morinë e qelizave normale të këtij rajoni specifik që e quajtëm cerviksi apo qafa e mitrës, ose identifikimi i virusit shkaktar në një ngarkesë të caktuar te gratë, na ka dëshmuar se na çon me shpejtësi drejt identifikimit të kancerit dhe parandalimit të vdekjeve të personave të cilët i janë nënshtruar këtij testimi. Dhe për t’u kthyer te pyetja jote fillestare, në Shqipëri ka zhvillime të fundit në këtë drejtim.

Është e vërtetë që për kancerin e gjirit është folur më shumë dhe deri diku është edhe investuar më shumë, në mamografi, në fushata ndërgjegjësimi etj., për kancerin e qafës së mitrës debatet kanë qenë në nivelet e profesionistëve, por punët kanë evoluar shumë shpejt. Ne shpresojmë që vitin e ardhshëm të fillojmë të pilotojmë të organizuar. Në Shqipëri kryhet testim për kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës, por ne e quajmë atë oportunist, me probleme, ka nevojë që ai të bëhet i organizuar në mënyrë që të ketë efektivitetin maksimal.
 
Tani, në qoftë se i referohemi punës së Institutit të Shëndetit Publik, një moment shumë i rëndësishëm është edhe ndërgjegjësimi, fushata, dhe le të themi, risi nga viti në vit. Çfarë mund të themi për sa i përket të rejave dhe pozitiviteteve në këto momente që ne po flasim. Ku synoni ju, le të themi, ku e keni vënë theksin në fushatat aktuale.
Atëherë, është e vërtetë që një nga orientimet e punës së Institutit të Shëndetit Publik ka qenë dhe ndërgjegjësimi i publikut për të përdorur ato shërbime që ekzistojnë, por kohët e fundit ne po merremi shumë me standardizimin e shërbimeve që duhet të ofrohen, në mënyrë që ato jo vetëm të kenë kosto efektive, por të jenë të vlefshme dhe të jenë me risk minimal për publikun. Të mos harrojmë që çdo fushatë, çdo program i cili fton individët e shëndetshëm për të kryer testime, për të kryer ekzaminime apo për kontakte me mjekun ka edhe risqe të fshehta.

Këto janë risqe të kuptueshme lidhur me koston e sistemit. Sistemi do të fillojë dhe do të mbulojë nga një masë e madhe njerëzish të shëndetshëm, por kanë risqe për individët. Shumica e individëve që dalin pozitivë nga testet duhet t’i nënshtrohen, po e quaj, një kalvari ekzaminimesh të mëtejshme, konsultash, verifikimesh për të parë në fund, shumica dërrmuese e tyre, që janë të shëndetshëm. Janë negativë, janë pa sëmundje. Por, të gjitha programet e kapjes së hershme e kanë këtë problem, këtë defekt. Jemi të detyruar të punojmë me një grup pozitivësh për të verifikuar se cilët prej tyre e kanë sëmundjen dhe kanë nevojë për ndërhyrje të shpejta dhe ndonjëherë invazive, që mund të jenë me problem për cilësinë e jetës së personave.

Pra, është e rëndësishme që individët të njohin këtë fakt dhe këtë fakt duket ta njohin edhe profesionistët e shëndetit. Ne sapo kemi punuar me një grup pune në Qendrën e Cilësisë dhe të Akreditimit në Tiranë, me specialistë të Qendrës Spitalore Universitare, të dy spitaleve gjinekologjike, kemi përgatitur udhëzues dhe protokolle për kapjen e hershme të kancerit cervikal në kushtet e kujdesit parësor, çfarë mund të bëhet për ta kapur herët këtë kancer dhe vetëm 2-3 ditë më parë kemi kryer dhe një kurs trajnimi 3-ditor me të gjithë profesionistët e qendrave të gruas dhe të qendrave të tjera shëndetësore në Tiranë, ku kemi dhënë të rejat më të fundit dhe kemi debatuar edhe mbi këtë çështje. Pse duhet të fokusohemi në disa mosha të caktuara, pse duhet të kemi një periodicitet të caktuar? Sepse vëmë re që në Shqipëri këto gjëra ende nuk funksionojnë, çdokush që ka një dëshirë shkon menjëherë në sistemin shëndetësor publik ose privat për të përfituar nga ato shërbimet e kapjes së hershme, ndërkohë që një masë e madhe personash ku mund të fshihet dhe risku më i madh nuk i përdorin këto shërbime.
 
Pra mund të themi që në qoftë se i referohemi depistimit ka të mirat e veta, por paska edhe problemet e veta?
Ka edhe problemet e veta dhe po e vendos këtë pikërisht në dritën e profilit të përdorimit aktual të shërbimit në Shqipëri. Ekziston mundësia që rreth 10% e popullatës të përdorë më shumë sesa duhet shërbimet e depistimit, ndërkohë që një pjesë e madhe e popullatës të mos dijë për ekzistencën e tyre, të mos ketë ndërgjegjësimin e mjaftueshëm për përdorimin e tyre, të refuzojë përdorimin e tyre kur është me risk më të madh dhe kur përfitimi duhet të ishte më i madh. Dhe nëse ne nuk arrijmë të mbulojmë një pjesë të madhe të popullatës me shërbimin e depistimit duke sakrifikuar grupe të caktuara të popullatës, sidomos ato në një moshë shumë të re. Duke sakrifikuar diçka edhe te periodiciteti. Ka pak rëndësi ta kryejmë testin çdo vit.

Nganjëherë nuk është edhe shumë kosto efektive që ta kryejmë testin në çdo 2-3 vjet, ndërkohë që është shumë e dobishme nëse arrijmë të kapim 60% ose 80% të popullatës dhe i kryejmë testin me një periodicitet më të rrallë, por shumica dërrmuese e tyre e kryen. Do të kemi përfitime të mëdha. Studimet në botë, përvoja më e mirë ndërkombëtare na e dëshmon këtë dhe ne jemi duke insistuar mbi këtë çështje.
Vijon në numrin e radhës


Redaksia Online
(E.Ç.çshqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)