VKM/ Rriten pagat e punonjësve në 61 Bashkitë, Mazniku: Ekspertët do paguhen të gjithë njësoj! Do rishikohet formula për ndarjen e fondeve

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugë rritjes së pagave për punonjësit e Bashkive në gjithë vendin. Me këtë vendim, pagat në 61 bashkitë e vendit do të unifikohen. Pra, një jurist do të paguhet njësoj si në Bashkinë e Tiranës ashtu edhe në bashkinë e Dibrës, apo në çdo bashki tjetër.

Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike. Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se ky vendim është marrë për të rritur stafet e bashkive.

“Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë etj merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë”, tha ministri për pushtetin vendor Arbjan Mazniku.

Mazniku njoftoi se edhe formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë do të ndryshojë nga viti i ardhshëm, pasi do të përfshihen të dhënat për popullsisë sipas CENS-it të 2023-shit. Ministri tha se është ngritur një grup pune për rishikimin e formulës. Mazniku shpjegoi se performanca do të jetë një element për ndarjen e fondeve, por garantoi se asnjë bashki s’do marrë më pak nga buxheti i shtetit se një vit më parë.

“Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e garantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës. Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”, tha Mazniku.

Fondet që marrin bashkitë bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve. Për këtë vit transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:42
VKM/ Orare fleksibël për administratën, pozicioni të mos lihet bosh nga punonjësit në fashën orare 09:30-15:30! Dy orët e tjera i plotësojnë kur të duan

Qeveria ka miratuar ndryshimet që sjellin orare pune fleksibël për punonjësit e administratës. Ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi ndryshimet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas ndryshimeve, punonjësit kanë detyrimin që të punojnë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten dhe 6 orë pune ditën e premte. Punonjësit do kenë fleksibilitet në orare, por kanë të detyrueshme që gjatë fashës orare 09:30-15:30 pozicioni i tyre mos të jetë bosh. Pra, e gjithë administrata do duhet të jetë në punë me patjetër në këtë fashë orari.

Sa u takon 2 orëve të tjera punonjësit do kenë fleksibilitet, pasi mund të zgjedhin që të shkojnë në punë më herët ose pak më vonë. Psh: Një punonjës mund ta nisë punën në administratë që në orën 07:00 dhe të plotësojë orarin e tij prej 8 orë e 30 minuta. Pra, sipas llogarive i bie që të largohet nga puna në orën 15:30.

Ndërkohë, një punonjës tjetër mund të zgjedhë që të shkojë në punë pak më vonë. Psh: Nëse e nis punën në orën 09:30 dhe të plotësojë orarin dhe sipas llogarive i bie që të largohet nga puna në orën 17:30.

Pra, në të dyja rastet, edhe kur një punonjës zgjedh që të nisë punën më herët në 07:00 apo një tjetër të nisë punën në 09:00, të dy i plotësojnë 8 orarëshin në punë dhe ndodhen në ambientet e zyrave sipas fashës të përcaktuar nga VKM, nga ora 09:30-15:30, por kanë më shumë fleksibilitet.

“Kjo është një iniciativë që e kemi në kuadër të rienergjizimit të administratës publike. Kemi injektuar elementë të fleksibiliteteit në punë, mbi të gjitha për të garantuar që Administrata publike të jetë një punëdhënës më tërheqës. Në kuadër të kësaj, për herë të parë parashikohet koncepti i orëve fleksibël të punës, me qëllim optimizmin e procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore, por edhe për të garantuar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private.

Në bazë të këtij vendimi parashikohet shprehimisht që ndërkohë kohëzgjatja e ditore mbetet e plotë, nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premte.

Kjo vjen në përgjigje të një sërë kërkesash që kemi marrë nga punonjësit e administratës për të garantuar më shumë fleksibilitet për t’iu garantuar atyre që duan të shoqërojnë fëmijët në kopshte çerdhe për të garantuar mjedis pune më miqësor.,” tha ministrja.

Adea Pirdeni deklaroi se me ndryshimet e kodit të punës është hequr kufizimi, ku sipas të cilit punonjësit e administratës nuk mund të merrnin leje vjetore, në më pak se një javë kalendarike, është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar edhe 2 ditë eksta pushim për të gjithë punonjësit.

“Po ashtu në ndryshimet e kodit të punës është hequr kufizimi, ku sipas të cilit punonjësit e adinistratës nuk mund të merrnin leje vjetore, në më pak se një javë kalendarike, është përcaktuar shprehimisht që kohëzgjatja vjetore e pushimeve është 22 ditë pune, ku janë shtuar edhe 2 ditë eksta pushim për të gjithë punonjësit,” përfundoi Pirdeni.

Ora 10:23
Denaj: Miratohet pr.ligji për produktet organike, rregullon certifikimin dhe kontrollin në çdo fazë të prodhimit

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pr.ligjin për produktet organike shqiptare. Denaj shpjegoi se ky pr.ligj organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat synohet që të vendosen në tregun shqiptar në bazë të standardeve të BE.

Pr.ligji do të rregullojë parimet për certifikimin e operatorëve organik, përdorimin e etiketave dhe reklamimin, si edhe rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit.

“Miratuam pr.ligjin i cili organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat do të përgatiten dhe synohet të vendosen në tregun shqiptar sipas standardeve të BE. Rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organik, përdoruesin e treguesve me etikë dhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes, shpërndarjes, import-eksport. Përveç autoritetit që do kenë në përgjegjësi kontrollin, ligji siguron miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produktet plehëruese në bujqësinë organike dhe publikimin e listës. Ngritje sistemi elektronik që do menaxhohet nga ministria”, tha ministrja.

Ministrja tha se ky pr.ligj pritet të nisë zbatimin nga viti tjetër, ndërsa synohet që brenda këtij viti të miratohet në parlament.

“Pr.ligji është pjesë e akteve të parashikuara këtë vit dhe përafron rregulloren e BE të datës 30 maj. Rregullorja ka hyrë në fuqi në 2022, por miratimi i këtij ligji fillon zbatimin nga viti i ardhshëm dhe synojmë miratimin në parlament brenda këtij viti”, tha Denaj.

Po ashtu, ministrja njoftoi miratimin e një pr.vendimi që mundëson 25 mln euro financim për ekonominë blu, pra për investimin në infrastrukturën e tregtimit të produkteve të detit, si markata.

“Pr.vendim për ekonominë blu, jemi në proces prej disa kohësh për të mundësuar financim me gati 25 mln euro në mënyrë që infrastruktura që do mundësojë zhvillim të peshkimit në tokë, në raport me institucionet e tregtimit artizanal, por edhe të markatave, të marrin zgjerim më të shtuar, jo vetëm atë që kemi në Vlorë, por edhe qytete të tjera”, vijoi Denaj.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja me Italinë/ Qendrat duhej të ishin gati nga gushti për të pritur emigrantët, Report Tv në Gjadër, vijojnë ende punimet (VIDEO)

Marrëveshja me Italinë/ Qendrat duhej të ishin gati nga gushti për të pritur emigrantët, Report Tv në Gjadër, vijojnë ende punimet (VIDEO)