Ylli italian Manuela Arcuri, rrëfen xhirimet në Tiranë: Shqipëria, ky vend i bukur, më solli fat! Filmi triller, tashmë në kinema

Rrethuar nga dashuria e admiruesve shqiptarë, ylli i kinematografisë italiane, Manuela Arcuri, mbrëmjen e së enjtes mbërriti në Cineplexx. Elegante dhe miqësore, para premierës së filmit “Kthetrat e shqiponjës” ku është protagoniste, rrëmben vëmendje. Rikthehet në Tiranë, për të parë të ekranizuar xhirimet e fillimvitit, në një produksion të zhanrit aksion, thriller dhe horrror të xhiruar në një bunker në Tiranë, që e sjell aktoren ndryshe.

"Ndihem shumë mirë në këtë rikthim! Më duhet të them, se kësaj here e gjej Shqipërinë më të ngrohtë, flas në lidhje me temperaturat. Sepse kur xhiruam filmin ishte fundi i muajit janar dhe bënte shumë ftohtë. Për më tepër që ishim në kushte të jashtëzakonshme sepse xhirimet u bënë brenda një bunkeri, siç do shikohet edhe në film. Por nga ana tjetër ishte ambjenti i duhur për përshtatjen e filmit. Unë jam njohur me një pjesë të vogël paraprakisht. Por, këtë mbrëmje ta shikoj filmin në ekranin e madh do të jetë një emocion ndryshe, edhe më i bukur! Mua më ka pëlqyer dhe shpresoj që ti pëlqej edhe publikut", thotë Arcuri.

 

Shqiptarët janë njohur me Arcurin, si një nga imazhet e bukurisë e të kinematografisë bashkëkohore italiane, veçmas përmes serialeve si “Karabinierët”, e dramave të suksesshme të Italisë si “Mëkati dhe turpi”, “Nder dhe “Respekt”, ku me në krah Gabriel Garkon, kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm.

"Pranova që ta realizojmë këtë film sepse nuk bëhet fjalë për një film klasik horror, ku janë disa njerëz brenda një apartamenti që vriten. Pas këtij filmi ka një histori, dhe kjo është çka e bën special. Pra, edhe pse ka elementët e filmit horror, mbart edhe një dramë të tijin, një dramë të bukur, që mua më la mbresa, që më bëri për vete dhe më nxiti të pranoja të isha protagoniste e këtij filmi....", rrëfen aktorja. 

Sporva me një zhanër krejt tjetër, është një eksperiencë ndryshe të cilën dhe vetë aktorja pohon ta ketë shijuar.

"Është e vërtetë ky është një zhanër krejtësisht tjetër nga ato që kam xhiruar deri më sot, por e bukura te një aktore sipas meje është pikërisht kjo, që të mund të ndryshojë dhe të mund të interpretojë personazhe të ndryshëm.  Ndaj mund të them se jam shumë e lumtur që realizova këtë film horror, dhe po jua them juve paraprakisht se ky nuk do të jetë as i pari, as i fundit sepse do të ketë edhe propozime të tjera, duke përfshirë edhe në këtë linjë horrori, disi më ndryshe, por që gjithsesi më entuziazmon, sepse është diçka e re", shton më tej.

Matia, një adoleshent që ngacmohet nga shokët në trazirat e vitit 1997, fshihet në një bunker të Tiranës ku do të përballet me një mister të frikshëm. Historia rizgjohet në vitin 2022, kur disa të rinj po mendojnë të bëjnë një investim pikërisht në një bunker të regjimit komunist. Një film që bën bashkë, krahas Arcurit aktorët italianë mes të cilëve edhe Francesco Rossini, si dhe emra të talentuar të kinematografisë shqiptare, bashkëpunimin me të cilët e rrëfen vetë aktorja.

"Ishte një bashkëpunim i shkëlqyer, sepse për fat të mirë, ata flasin mirë italisht. Thuajse të gjithë ju shqiptarët flisni mirë italisht, kështu që u kuptuam shumë mirë në shesh xhirim.. Përpos kësaj, kishte edhe aktorë të tjerë italianë, kështu që nuk ishte aspak e vështirë. Po ashtu edhe vetë regjisori Alex Visani është italian, dhe e gjitha kjo ma bëri punën më të thjeshtë. Më bëri të ndihesha në shtëpi, të isha sa më komode për ta realizuar filmin", tregon ajo.

Xhirimet në bunker siç rrëfen, iu përshtatën natyrës së filmit, ku regjisori u përpoq t’i shtonte ambientit elementë të frikshëm edhe misteriozë.

"Ishte një eksperiencë e fortë! Pasi xhirimet u bënë pa elektricietet dhe pa ngrohje, për të përcjellë një realitet të ftohtë, të ashpër, që ta bënte filmin sa më të vërtetë dhe të rrezikshëm. U krijua edhe një atmosferë tymnaje për një ambient terrorizues që e kërkonte historia tashmë e ekranizuar", thotë Arcuri. 

Projektet e afërta të aktores lidhen po ashtu me një tjetër film të kësaj natyre.

"Lidhur me projektet e ardhshme, pikërisht sepse nisi ky film në fillimvit të 2022-shit në Shqipëri, më propozuan të xhiroj një film tjetër, që po ashtu është thriller- horror. Do të xhirohet në prill dhe që do të jetë një bashkëprodhim shumë i madh me Spanjën,  që ju do ta shikoni", shprehet aktorja. 

Këtë vit aktorja Manuela Arcuri ka qenë në qendër të vëmendjes së medieve italiane edhe për shkak të kurorëzimit të dashurisë së saj disa vjeçare me Giovanni Di Gianfrancescon, me të cilin ka edhe një djalë.

"Është e vërtetë! Viti 2022 ishte për mua një vit rimëkëmbje në aspektin personal, e nga ana tjetër sa i përket jetës private pati një ceremoni martesore, kështu që ishte një ngjarje speciale dhe unike. Më duhet ta pranoj ishte një vit shumë i rëndësishëm, që pas dy viteve shkëputje prej covid-19 , për mua rinisi gjithçka pikërisht këtu në Shqipëri, pasi xhirimet nisën që në fillim vit. Pra, ishte një vit shumë i bukur, me shumë të reja , mundësi të tjera. Ndaj mund të them që Shqipëria më solli fat!", shton më tej.

Arcuri rrëfen se momente nga xhirimet, i ndan edhe më të birin, Matian. E ndonëse “Kthetrat e shqiponjës”, është një film horror, ai ka shfaqur kuriozitet.

"Ai tani është vetëm 8 vjeç, dhe ka shprehur dëshirën ta shikojë edhe këtë film  por ia kam ndaluar. Edhe pse do të impresonohej tepër nga pamjet, pasi ende është fëmijë. Por unë i kam zbuluar disa detaje nga fytyra, gjatë xhirimeve, dhe e di që është fiction. E di që mami luan si aktore, dhe ka filluar ta pranoj faktin se mund të më shikojë ndoshta edhe të pajetë në sheshxhirim. Apo dhe me kokë të prerë..", tregon Arcuri. 

Premton se në vizitën e ardhshme, do të vijë në Shqipëri, me të gjithë familjen.

"Gjatë këtyre xhirimeve nuk pata mundësi ti merrja me vete, por nëse do të ketë  për një film tjetër dua që të vijnë, përpos kësaj Mattia ka shumë dëshirë të interpretojë në ndonjë pjesë të vogël. Ka dëshirë të ndjek gjurmët e mamit.", shprehet më tej. 

Qëndrimi i saj në Shqipëri, kësaj here do të jetë i shkurtër, por impresionet, siç thotë mbeten pozitive.

"Këtë herë do të qëndroj shumë pak vetëm një ditë, por herën e kaluar që ndenja plot dy javë pata mundësi ta vizitoj. Pashë se Tirana është një qytet shumë i bukur! Më duhet të them që ky film është shumë aktual sepse flet edhe për shoqërinë shqiptare sot, e them këtë edhe duke njohur realitetin tuaj. Një qytet shumë i bukur, ku mund të ndjehesh shumë mirë, e ku përpos të tjerave ka edhe ushqim shumë të mirë. Nuk e prisja...", tregon aktorja. 

Rikthimin e lë të hapur, jo vetëm si vizitore, por pse jo për bashkëpunime të tjera, ndërsa Shqipërinë ua sugjeron edhe italianëve, turistëve e kolegëve të kinematografisë.

"Do të kthehem qoftë për kënaqësi, ashtu edhe për punë, sepse kam lidhur miqësi me producentët e shumë njerëz këtu,  që janë të mrekullueshëm! E përpos kësaj është kaq pranë Italisë! Sigurisht për të xhiruar është një vend shumë i bukur, mund të bëhen ambientime të ndryshëm skenarësh sepse ka larmishmëri. Nga një anë një Shqipëri, që duket se ka ndalur në vitet 70-80, dhe nga ana tjetër një Shqipëri më moderne, me grataçela, pra e zhvilluar... Kështu që mund të xhirohen filma të natyrave të ndryshme!", thotë Arcuri.

 

 

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!

‘Studio Live’, avokati Islami: ‘Berisha do arrestohet, ‘non grata’ s'i hiqet! Nuk do ketë zgjedhje!’ Balliu sulmon Bashën si ‘dështak’: Kam votuar Olldashin!