Në 36 vitet e fundit jemi dëshmitar të dy ekstremeve të organizimit politik të shtetit. Para 36 vitesh gjetëm një shtet me pushtet unitar, kur ndarja e pushteteve konsiderohej teori borgjeze dhe e papranueshme.

Sot, pas 36 vitesh, falë edhe dy ndërhyrjeve drastike kushtetuese të vitit 2008 dhe 2016, kemi një shtet me pushtete të ndara dhe ekstremisht të pavarura njëri nga tjetri.

Asnjë teori e ndarjes së pushteteve nuk ka kuptim e pashoqëruar me balancën midis tyre. Është balanca ndërmjet pushteteve ajo që garanton ndalimin e pushteteve abuzive; llogaridhënien; harmoninë politike me çështjet thellësisht shtetërore.

Pushtetet e sotme nuk kanë pika takimi. Madje quhet ndërhyrje nëse pushtetet takohen e bisedojnë. Ekstrem i frikshëm kushtetues me të njëjtën pasojë si shteti komunist unitar me të vetmin dallim që nuk kemi një parti por të paktën dy të tilla për secilin pushtet.

Nëse edhe parlamenti dhe qeveria do kishin shumicë me koalicion partish mund të kishim edhe një parti-pushtet më shumë. E pavarur edhe ajo si këto të sotmet.

Në Shqipërinë sotme kushtetuese, falë edhe rezultatit elektoral, kemi vetëm dy pushtete:

-Pushtetin politik që sundon ligjbërjen dhe ekzekutivin,

-Pushtetin gjyqësor që funksionon me vetemërim, vetkontroll dhe vetadministrim total.

E përsëris nëse do kishim një shumicë politike mbi bazë koalicioni do kishim edhe një parlament të pavarur nga çdo gjë, edhe nga pavarësia.

Se këtu të gjithë janë të pavarur nga tjetri. Edhe partitë të pavarura janë. Edhe deputetët, ministrat, kryeministrat, drejtorët, punëtorët të pavarura janë. Edhe gjykatësit e prokurorët janë të pavarur edhe nga kolegët e tyre.

Thelbi në këtë analizë nuk është kjo fotografi, por te mungesa thuajse totale e balancës ndërmjet pushteteve.

Me pak fjalë, dakord që pushtetet kanë kompetencat e tyre dhe i ushtrojnë në mënyrë të pavarur, por kur kompetenca e njërit cenon atë të tjetrin si i bëhet?

Po kur nga pavarësia pushteti abuzon dhe nuk jep llogari askund, çfarë ndodh?! Po kur i emëruar shkarkon të zgjedhurin, pavarësisht ç’thotë zgjedhësi?! Po kur i pavarur abuzon dukshëm me ligjin dhe s’ka asnjë të pavarur tjetër ta ndalojë?!/Marrë nga profili i autorit në Facebook