Duket sikur marrëdhëniet mes PD dhe LSI na bashkëqeverisje janë ftohur. Mendoni se "vetoja" e PD për shumë çështje të përbashkëta përfshirë Kryeprokurorin dhe "Alpetrol" kanë ndikuar..?
Nuk e di se me çfarë stetoskopi e vlerësoni gjendjen klinike të aleancës PD-LSI, po me analizat që bëjmë ne s'na rezulton të ketë ndonjë ndonjë "ftohje". Madje mund t'ju them se as "virozat" e kësaj stine si Kryeprokurori apo Albpetroli, nuk kanë shkaktuar ndonjë simptomë patologjike që të ngjasoje me "ftohjen". Natyrisht në koalicion ka patur dhe ka mendim ndryshe, por jo konflikte me sistemin "imunitar" të aleancës. PD dhe LSI kanë anti-trupat e vet mbrojtës që në origjinën e tyre dhe nganjëherë këto anti-trupa punojnë me ritme të ndryshme në vartësi të organizimit politik ku veprojnë e të shkallës së ekzpozimit të tij ndaj "rrezikut" viral që në politikë varet shumë nga madhësia e organizmit (partise). Pra, po them që PD dhe LSI janë parti me origjinë të ndryshme dhe me qasje politike historike të ndryshme e për pasojë debati brenda koalicionit është i pashmangshëm. Por si PD ashtu dhe LSI s'kanë debat as për Prokurorin dhe as për Albpetrolin sepse këto janë çështje të Kushtetutës e të ligjit e jo të partive. Albpetroli është çështje ligjore e procedurash e jo e partive. Gjithashtu dhe Kryeprokurori s'mund të jetë çështje partish.
Para disa ditësh ishit mjaft e drejtpërdrejtë në një reagim tuajin kudnër deklarimeve të zonjës Topalli, s'është kjo ftohje?
Edhe njëherë po ju them së kemi sisteme imunitare të ndryshme që i përgjigjen jo në mënyrë të barabartë rreziqeve që vijnë nga jashtë koalicionit. Është me vend të sqaroj se në atë reagim timin bëra thjesht një analizë politike dhe nuk dhashë asnjë konkluzion sepse nuk ka të tilla. Konkluzionet janë faktorë që shkaktojnë "ftohje" e jo analizat politike. Analizat i shërbejnë vendimmarrjes së drejtë dhe të shëndetshme.
Kthehemi edhe njëherë tek Prokurori i Përgjithshëm, kur mendoni se duhet bërë zgjedhja e tij, në nëntor apo në maj, pesë vjet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese?
Ligjerisht, për mua mandati 5 vjeçar i prokurorit fillon të llogaritet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Këto të fundit nuk e kanë saktësuar në dispozita tranzitore çështjen e mandatit të këtij drejtuesi. Në këto kushte, triumfon parimi kushtetues i mungesës së fuqisë prapavepruese të ligjit. Në këto kushte mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron në maj të 2013. Nga ana tjetër, zonja Ina Rama s'mund të jetë më Prokurore e Përgjithshme sepse kjo prokurori s'funksion më. Krimi ka marrë revansh të dukshëm në këtë vend e prokuroria aktuale ka dështuar të bëjë punën për të cilën paguhet. Nga kjo pikëpamje Kuvendi apo presidenti nuk ka përse të presë mbarimin e mandatit, por mund ta shkarkojnë prokurorin në çdo kohë madje edhe që këtë muaj.
Në këtë kontekst, paketa e propozimeve të PS kërkon zgjedhjen e kryeprokurorit, anëtarëve të gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese me 3/5 e votave. Mendoni se do të rriste pavarësinë e gjyqësorit dhe do shtonte kreditet e besueshmërisë së drejtësisë...?
PS kërkon t'i fryjë "kosit" të konsensusit parlamentar pasi është djegur nga qumështi përvëlues i ndryshimeve kushtetutese të 2008-s… Të kuptohemi, asgjë të keqe s'do yë kishte që këta zyrtarë që thoni ju të miratoheshin me 3/5-tat e votës së deputetëve. Por, politika shqiptare ka dëshmuar papërgjegjshmëri totale në këto procese dhe për pasojë kërkesa për konsensus bëhet thjesht prita që ndalon funksionimin normal të këtyre institucioneve. Kur mendoj që për Avokatin e Popullin nuk u mor asnjë hap për 2 vite rresht, një sjellje e tillë ndaj institucioneve të tjera si prokuroria apo Gjykata e Lartë do të legalizonte kolapsin institucional. Kështu që kjo kërkesë s'mund të pranohet në kushtet shqiptare. Nga ana tjetër propozimet e PS s'erdhën si rezultat i ndonjë procesi të mirëmenduar, por thjesht si kundërpropozime politike për të kushtëzuar heqjen e imunitetit. Kjo qasje i bëri dhe më të papranueshme propozimet e PS-Së.
Reformat janë përcaktuar nga BE si kusht kryesor për të marrë statusin e vendit kandidat, ndërkohë që tashmë po vihet theksi dhe në dhënien e një vendimi pozitiv me kusht, duke pritur zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Sa besim ka LSI që me këtë Kod Zgjedhor të bëhen zgjedhje të pakontestueshme?
Është e sigurtë që me këtë Kod dhe jo me ndonjë tjetër në 2013 do mbahen zgjedhjet parlamentare. Kjo është e vetmja gjë e sigurtë! Kontestime ka patur e do të ketë sepse kultura poltike e jona nuk pranon humbjen. Kjo sjell në mënyrë të natyrshme mosbesim ndaj isntitucioneve, për pasojë ka triumfuar dhe logjika e përfshirjes së partive politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve. Kjo e fundit në fakt është një konflikt shumë i madh interesi sepse partitë nga njëra anë konkurrojnë dhe nga ana tjetër menaxhojnë zgjedhjet ku ato vetë janë pjesmarrëse. Në këtë rreth vicioz duhet kërkuar dhe logjika e kontestit zgjedhor. Edhe Kodi i ri nuk solli ndryshime të dukshme në zgjidhjen e këtij konflikti interesi, kështu që ne na mbetet vetëm të shpresojmë që s'do ketë konteste dhe jo të garantojmë me siguri të kundërtën.
Në disa votime janë vënë re qëndrime të përafërta mes LSI dhe PS, mendoni se janë shenja të afrimit të një koalicioni të madh mes dy partive të majta?
Hahahahaha… Teoritë e konspiracionit janë shumë të forta në këtë vend. Shikoni, qëndrimet e përbashkëta ndërmjet partive nuk janë kusht për të nxjerrë përfundime që do bëhen aleanca politike. Nga ana tjetër nuk ka përse të konsiderohet lajm e as blasfemi që LSI e PS të kenë disa qendrime të përbashkëta në ato çështje që e majta moderne takohen në mënyrë të natyrshme. Çështja është se për fatin e keq, PS ka kohë që ka devijaur nga e majta moderne dhe për pasojë qëndrimet e saj kanë konfliktuar me qëndrimet e LSI si pjesë e kësaj të majte. Bie fjala për tre vitet e fundit (madje dhe sot) PS fajson LSI për vendimin e 2009 për koalicionin me PD, pa menduar fare se vendi kishte e ka nevojë për stabilitet qeverisës dhe për marrjen e disa hapave të rëndësishme për të cilat asnjë parti shqiptare s'është kundër siç ishin liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat. Në këtë pikëpamje, PS s'kishte e as ka të drejtë të fajsonte LSI-në, për mllefet historike që ajo ka me PD e me Berishën. LSI s'mban PD-në e as Berishën me oksiogjen, por kontribon për Shqipërinë. S'duhet harruar se PD i kishte fituar zgjedhjet më 2009, por nuk arrinte të bëntë qeverinë. Ndësa aleanca PS-LSI nuk mjaftonte për të qeverisur po për të shkaktuar krizë të gjatë politike. Nën dritën e këtyre të vertetave, PS nuk i lejohej të fajsonte LSI ndërkohë që ajo vetë i kishte humbur zgjedhjet për shkak të kokëfortësisë së zotit Rama se i fitonte ato dhe e vetme.
Pas disa takimeve herë të pohuara dhe herë të mohuara mes Ramës dhe Metës, por dhe një zbutjeje totale të luftës politike, e shtrirë kjo dhe në bazë, mendoni se ekzistojnë kushtet për një koalicion LSI-PS?
Nuk mohohet se kontaktet e shtuara ndërmjet udhëheqësve të partive kanë ç'tensionuar marrëdhëniet ndërmjet partive, por përsëri kjo s'është as kusht e as garanci për koalicion. Koalicionit, aty ky flitet e mendohet demokratiksiht janë aleanca politike programore dhe jo bashkime taktike për të fituar zgjedhjet. Për fat të keq në kushtet kur veçanërisht partitë e medha mendojnë e veprojnë në mënyrë egoiste, koalicionet janë shndërruar në aleanca taktike elektorale, duke bërë kështu që fenomeni i "dushkut" të vazhdojë tashmë i transformuar në një formë tjetër. Sigurisht që asgjë nuk ka të paligjshme në këtë kontekst, por jemi larg kuptimit klasik të termit koalicion.
LSI dhe PS janë parti të majta dhe në këtë kontekst i kanë parakushtet për të krijuar një koalicion në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por realisht, jemi ende larg nga pikëpamja programore sepse ne s'besojmë te "rilindja" pa e ditur se çfarë duam të rilindim. Se për të mirë apo për të keq, termin "rilindje" apo "rilindas" e krijoi letërsia e realizmit socialist në përpjekje për t'i dhënë identitet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe nuk e ka patur keq. Por çështja është se çfarë duam ne sot të rilindim? Realizimin socialist? Kjo realisst është një pikëpyetje e madhe që realisht na largon e s'na afron. Kësaj pikëpyetjeje i shtohen edhe pikëçuditëset e tjera të forta kur dëgjojmë të artikulohen teza të tilla si: "biznesi pa taksa", apo " heqje të lejeve apo licensave të dhëna për bizneset". Kjo pastaj e bën realisht të vështirë bashkëpunimin sepse LSI është qartësisht kundër këtyre koncepteve që janë rrëzuar që në vitn 1990 në këtë vend.
Mendoni se një qeveri teknike, me bazë të gjërë do ishte zgjidhja ideale për të realizuar një proces të drejtë zgjedhor dhe për t'i dhënë fund njëherë e mirë krizës së zgjedhjeve në Shqipëri?
Jo absolutisht jo! Kam qenë dhe jam kategorik në këtë pikë sepse në historinë tonë 22 vjeçare sa herë kemi patur qeveri teknike vendi është djegur e shkatërruar. Sado e keqe të përceptohet qeveria aktuale, është pa asnjë dyshim me e mira se çdo qeveri teknike, për një arësye fare të thjeshtë: Përgjegjësia. Një qeveri teknike nuk ka asnjë element përgjegjësie. Ndërsa një qeveri që është e votuar është shumë herë më e përgjegjshme, qoftë edhe për motivin e vetëm që kërkon të rivotohet. Nëse sot ke kujt ti kërkosh hesap për keqfunksionimin e gjerave, në një qeveri teknike askush nuk të jep llogari për çfarë ndodh. Kur mendoj shkatërrimin e qeverive të 1990-1992 apo qeverinë e pak muajve të 1997-s, kur ekzakt në këto kohë Shqipëria u shkatërrua rrënjësisht nuk më shkon mendja të përpiqem të gjej asnjë arësye që të bëjmë të njëjtin gabim.
Duke u ndalur tek ky mandat qeverisës që përfundon në verën e vitit të ardhshëm, mendoni se nëse dështon marrja e statusit të vendit kandidat apo jepet me kusht, prania e LSI në qeverisje quhet një mision i kryer përgjysmë pasi integrimi ishte argumenti i përfshirjes në qeverisje me PD?
Së pari marrja e statusit është shumë i rëndësishëm për vendin. Me statusin e vendit kandidat hedhim një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit. Ky i fundit është ende i largët për ne, por statusi i kandidatit do t'i bëjë gjërat më të përcaktuara për ne. Ng kjo pikëpamje ne punojmë që ky status të merret qoftë dhe me kusht, siç thoni ju. Statusi e vendit kandidat do thotë edhe një e mirë ekonomike për ne, prandaj s'ka përse të refuzojmë, përkundrazi duhet të punojmë që të behet një orë e më parë. Marrja apo mos marrja e statusit nuk ka të bëjë fare me analizën që bëjmë ne për aleancat politike në të ardhmen. LSI shquhet për korrektesinë në politike sepse ju qëndron marrëveshjeve deri në fund. Korrektësia është pjesë e identitetit të LSI. Në këtë kontekst LSI është e angazhuar të përfundojë marrëveshjen me PD për qeverisjen e vendit.
Dhe e fundit, sa efikase është kërkesa për ndihmë që PS në opozitë dhe LSI në qeveri bëjnë në drejtim të PSE dhe të Internacionales Socialiste, nëse ato nuk janë në një koalicion?
Legjitime sa vetë historia e partive tona. Kur qeveriste PSD gjermane me CDU-në për të mirën e Gjermanisë nuk besoj se ngriheshin këto pyetje. PS dhe LSI janë pjesë e PSE dhe ky është një realitet që nuk mohohet. Nga ana tjetër paaftësia e PS për të bashkuar të majtën në vend është gjithshtu një realitet që ka në dorë të ndryshojë vetëm ajo.
(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptajra.com)
(sg/shqiptarja.com)