Ylli Pata: A do të ngjisë ndjesa e Berishës për ligjin e tij famëkeq?

Ylli Pata: A do të ngjisë ndjesa e Berishës për ligjin e tij famëkeq?

Sali Berisha

Në ditën e 80 vjetorit të tij, Sali Berisha ka bërë mea coulpa-n e dytë historike për të. Nëse para zjedhjeve të 2005 kërkoi ndjesë për piramidat, dje ai e bëri këtë për ndarjen e tokës. “Do të duhej të bëhej ndryshe”.

Kush i ka ndjekur, ose kush ka jetuar në këtë vend nga 1990 e më sot, e dijnë se Sali Berisha nuk mund të konceptohet pa piramidat që patën si pasojë katastrofën e tmerrshme të 1997-s, e pa tmerrin e ndarjes së pronës në Shqipëri. E cila natyrisht nuk është vetëm 7501, por si u trajtua e gjithë prona publike dhe private në Shqipëri.

Ka shumë vëzhgues që thonë se ndjesa e Sali Berishës në vitin 1997 për lejimin e piramidave ka ngjitur në 2005 dhe i dha vota të rikthehet në pushtet. Në të vërtetë, asnjë person apo familje që ka humbur shtëpi e katandi në firmat piramidale nuk votoi për Sali Berishën në vitin 1997.

Humbja në Tiranë, Vlorë, Lushnjë, e qytetet e tjera ku firmat rentiere bënë kërdinë, është dëshmia më faktike e gjithë kësaj.

Megjithatë, Sali Berisha e bëri mea coulpa-n, pasi kjo është një formulë e gatshme e strategjistëve që merren me fushatat elektorale. E në vitin 2005, PD pati një kompani strategjiste si BG&R, ku kishte mjaft ekspertë amerikanë, të cilët kanë formulë kërkimin e ndjë njdese, pendimin, krijimin e një përshtypje se të vjen keq për gabimet e dikurshme.

Ndërkaq, ndjesa e djeshme për çështjen e pronës është më grotestke se ajo për piramidat. Por ndryshe nga hera e parë, kur erdhi si një formulë e gatshme njerëzish të marketingut, kjo ka ardhur ashtu në përgjithësi, meqë dy rivalët e Berishës, ose më shumë se dy, që nga Lul Basha, Dash Shehi, Enkelejd Alibeaj etj, po flasim shumë për pronat. Pasi ata duan që të kenë vota të djathtish realë, njerëzish që janë trashëgimtarë të familjeve pronare.

Nëse i futesh më thellë asaj të ashtuquajture mea coulpa, ajo është më shumë se cinike, është madje edhe tallëse.

Pasi sot, 30 vjet më pas shikojmë qartësisht se qeverisja e Sali Berishës ka shkaktuar më shumë probleme në pronësi sesa regjimi i Enver Hoxhës, i cili shtetëzoi dhe kolektivizoi të gjitha pronat. Duke ruajtur të gjithë titujt e vjetër të pronësisë në Arkivin e Shtetit.

Sipas së famshmes aksiomë: “Ujku ujku, po çakalli bën kërdinë”, edhe çështja e pronës në Shqipëri është kufizuar vetëm te ligji famëkeq 7501.

Por ky ligj, është vetëm 1/3 e bazës ligjore për trajtimin dhe narjen e titujve të pronësisë. Madje 7501 nuk ka ndarë tituj pronësie në të gjithë territorin.

Në vitin 1991, PS, paraqiti një ligj për t’u ndarë fshatarëve tokën e ish-kooperativave bujqësore, duke ua dhënë fillimisht në përdorim. Me logjikën që në të ardhmen çështja e pronësisë të sanksionohej me Kushtetutë.

PD e Sali Berishës insistoi që përdorimi të bëhet pronësi. Ashtu u bë, edhe pse ai ligj ka patur 5-6 deputetë si nga PS, si nga PD që e votuan kundër. Azem Hajdari, ishte një nga më të njohurit, i cili mbajti edhe një fjalim të përgatitur me kujdes për këtë çështje. Ku i kërkonte PD që këtë punë që ta zgjidhte pas Kongresit të saj, e konsultimin me pronarët e vërtetë në vend.

PS pranoi për kompromis, por edhe e vuri në ligj që toka as nuk shitet, as nuk blihet. Por 7501 nuk ishte asgjë para ndarjes së pronave më të rëndësishme të vendit që ishn tokat 100% shtetërore që nuk përfshinin kooperativat, si dhe pronat e Ndërmarrjeve Bujqësore, që kishin tokat më të mira dhe sipërfaqet më të mëdha bujqësore.

Këto prona u ndanë nga qeveria e PD-së pas 1992-shit, ku ndodhi dhe kaosi i vërtetë. Komisione dhe zyrtarë që shpërndanë tapi për troje, ndërtesa, toka bujqësore, kodrinore e pyje, pa asnjë rregull e konroll.

Fakti që të zotët e vjetër të këtyre terreneve nuk kanë marrë gjë, tregon se i ka marrë dikush tjetër. Po kush i mori? Natyrisht njerëz të lidhur me pushtetin e tarafin e tij, njerëz që kanë paguar, e kanë korruptuar zyrtarët.

Jo më kot, pak vite pas 1992, në 1996 nisi dhe dalja në sipërfaqe dhe ekzistenca e 2 deri 3 tituj pronësie për një tokë apo truall. Ndërkaq, në trazirat e vitit 1997 u dogjën thuajse gjithkund zyrat e kadastrës. PD ka akuzuar “rebelët” e jugut për këtë. Po në Shkodër, Kukës e Tropojë, kush i dogji?

Në vitin 2001, me propozimin e Fatos Nanos ngrihet një një institucion i pavarur, në formën e një gjykate për ndarjen e pronës. Komisioni drejtohej nga Sokrat Sinaj, një akademik që jepte leksione në universitetet zvicerane, ndërkohë që anëtar kishte të zgjedhur nga mazhoranca, pra PS dhe nga PD. Niazi Kosovrasti ishte nënkryetar i komisionit.

Kjo trupë e pavarur ndante titujt e pronësisë në vend, me anë të vendimeve të përcaktuara qartësish me ligj, e jo me shumicë të thjeshtë.

Në vitin 2005, Sali Berisha, sa bëhet kryeministër shkrin Komisionin e Ndarjes dhe Kompensimit të Pronave dhe e zëvendëson me një agjenci në varësi nga kryeministri. Ndërkaq, që ngre edhe famëkeqen Agjenci të Legalizimit nën drejtimin e Shaban Memisë. Kjo e legalizimit ishte një standard më i tmerrshëm, pasi ligjëroi grabitjen e pronave nga ata që e zunë.

Gjithsesi, të dyja këto trupa militante kanë ndarë Dokumente Pronësie në seri, duke sjellë më pas thellimin e skandalit të pronësisë, që u pasqyrua me protestën e banorëve të Orikumit që akuzuan qeverinë se kishte sjellë pronarë nga vende të tjera, apo banorët e Hamallajt. Protesta që u shtypën me dhunë nga forcat speciale.

E gjithë kjo odise nuk ka qenë reforme, por një antireformë që ka tronditur nga themelet bazën e një shteti që në antikite, dëshminë pronësore. E që nuk e ndali maskaradën edhe kur iku nga pushteti ku mafia e kadastrave bëri kërdinë. Këtu, pra pas vitit 2013 nuk ka faj fare Sali Berisha pork jo mazhorancë, megjithatë ndjesa nuk ka as vend e as kohë.

Sali Berisha është përsonifikimi i kaosit të pronës në vend, pasi kishte shansin dy herë ta zgjidhte, dhe e bëri më keq.

S.B/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 17/10/2024 08:18

    Po perse e ke shkruar more Pata kete artikull per te mbushur faqet e gazetave ? Nexhmia u denua per kafe ky qe tani e pranoterapia qe shkayeroi gjithçka grossi Shqiperine dhe punonte kunder saj , te ngjisi falsa e tij ? Ai duhet te kalbet ne burg bashke me familjen mafiose dhe sherbetoret e tij qe e ropen kete popull , edhe durimi ka nje kufi , duhet te veproje drejtesia sa me pare .Deri tani po shikojme nje drejtesi me dy standarte .Ne qofte se nuk vepron di populli si te veproje .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë