Ylli Pata: Berisha e Basha në garë kush nxin më shumë: po ku bëhet realisht beteja për opozitën?

Ylli Pata: Berisha e Basha në garë kush nxin më shumë: po ku bëhet realisht beteja për opozitën?

Ish-kryeminsitri Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Pas një heshtjeje të gjatë, ardhja e sotme e Lulzim Bashës në Kuvend, tregoi se gushti nuk do të jetë fare pushim për Partinë Demokratike, pasi bëhet beteja reale politike, që në fakt duhet të ishte mbyllur një vit më parë.

Por si gjithnjë në këtë vend, e sidomos në PD gjërat lihen për në fund, e pa ndonjë plan apo një vizion të qartë se ku duhet të shkohet.

Ajo që ndodhi sot është në fakt pikë për pikë ajo që Edi Rama u thotë shpesh në Kuvend, e sipas të gjitha gjasave e thotë me një djallëzi të menduar.

Ju bie keq të dyja palëve për të tentuar më pas një reagim emocional nga opozita, e cila në logjikë, përveçse mban mbi shpinë pakënaqësinë publike ndaj qeverisjes, është institucioni numër një i politikës reale në një demokraci parlamentare.

Ngase qeveria, po në letra, si pasojë e punëve të përditshme është edhe menaxhere krizash apo zgjidhëse emergjencash apo edhe problemeve komunale.

Opozita bën politikën e menduar dhe prodhon ide, fjalime, koncepte e padyshim plane, programe e promovon njerëz që nesër do të jenë menaxherët e qeverisjes.

Por, këtu secila palë në kupolën e PD-së, pra nga lart, bën atë që është më e lehtë, bërtet, nxin në fytyrë, përbetohet për njerëzit e bëjnë garë kush shan më shumë e më rëndë Edi Ramën. i cili ua ka mësuar dhe lexuar lëvizjet dhe i provokon papushim. i nxjerr nga telat e normalisht për të gjithë vjen ai imazh e spektakël që ne e njohim e stërnjohim gjithë këto vite.

Por kjo mënyrë gare mes pjesës së Berishës dhe asaj që mbështeti Lulzim Bashën përpara 6 marsit, është një demelllëk Stambolli.

Beteja e vërtetë në PD zhvillohet në bazë dhe ajo është shumë herë më e qartë, më e organizuar dhe me një vizion të qartë politik e taktik.

Mjafton të merret për bazë Partia Demokratike e Shkodrës. Një degë e rëndësishme pasi kemi të bëjmë me bastionin politik e hambarin e votave të PD-së që nga viti 1990.

Atje sot kemi përplasje të dy pjesëve të Partisë Demokratike: foltores së Sali Berishës e cila është në pushtet, nëpërmjet bashkisë që e mori Bardh Spahia, e grupit të vjetër të Voltana Ademit, së bashku me një suitë zhurmëmadhe e rrjetit organizativ të PD-së.

Pjesa tjetër nuk është në pushtet, madje është pa pushtet prej sa Voltana Ademi ka qenë kryetare bashkie, e sot Bardh Spahia ka hequr edhe ata pak “armiq” që kishin mbetur në strukturat e bashkisë së Shkodrës.

Kjo degë drejtohet nga Xhevdet Amuli, një themelues i PD-së e familje e përndjekur dhe Xhemal Bushati, ish-kandidati i PD-së për kryetar të bashkisë së Shkodrës.

Ishte dega e Shkodrës që i dha Lulzim Bashës shpresën për të luftuar berishizmin. Ishte kjo pjesë që mori përsipër dhunën verbale e akuzat, por që u përball me qetësi por me një hidhësi të paparë, të cilën Sali Berisha nuk e kishte provuar ndonjëherë në PD. Xhevdet Amuli i përmendi Sali Berishës 1997-n, duke folur me gjuhën e njerëzve dhe jot ë burokratëve të PD-së që e cilësonin thjesht rebelim komunist.

Por Basha i la të vetëm si për fushatën e 6 marsit, si pas kur u largua edhe pse ata e mbështetën e fort, edhe sot.

Pikërisht me këtë mënyrë sesi bën politikë duke tentuar të kapë atë pjesë radikale të militantëve që janë ende të verbuar nga Sali Berisha. Nëse Lulzim Basha dhe të tjerët duan realisht të bëjnë politikë brenda PD-së, duket që këtë ta bëjnë me pjesën më të arsyeshme, që ka shumë përfaqësues edhe sipër po nuk i promovon kush si Roland Bejko apo Xhevdet Amuli, Xhemal Bushati etj. Janë këta figurat që mund të kenë efekt kur godasin Edi Ramën e PS-në.

Tashmë mazhoranca është në mandatin e tretë, logjika e goditjes për ta rrëzuar është miopi, vjen natyrshëm në idenë se opozita do të duhet të krijojë një model të ndryshëm me atë të Edi Ramës. Ata që duan të bëjnë karrierë në PD e vijnë nga ish-rrjeti i nomenklaturës pushtetare të PD-së e bëjnë këtë vetëm sepse nuk kanë realisht simpati dhe mbështetje në bazën e vërtetë dhe më të shëndetshme të demokratëve. Moralizëm? Kushdo mund të dalë në qytete e të sjellë zërat që vijnë nga degët, le ta nisë nga Shkodra në një përcjellje të qëndrimit të anëtarëve të PD-së. Por asnjë emision apo panel darke nuk është marrë me këtë argument, por thërrasin të vetmit që vetëm bërtasin që të mos hapin fushën e opozitës për të rinjtë. Se pas 25-ës vjen edhe një tjetër që për zhurmë bën garë me vetë Berishën…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave