Tashmë është e qartë se kush është objektivi politik i Sali Berishës. T’i përvishet Prokurorisë Speciale ndaj Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për ta kthyer atë në kundërshtarin që duhet mundur.
Po cila është mundja në këtë rast? Kush është objektivi? Natyrisht Berisha nuk mundet të hyjë me forcat e veta njerëzore në zyrat e SPAK, pasi edhe nëse e bën, nuk se arrin atë që kërkon. Ai synimin e ka gjetkë. Ta mbajë në presion grupin e prokurorëve të dosjes Partizani, sa më shumë që të jetë e mundur, që situata të bëhet sa më e nderë.
Objektivi taktik është mbajtja sa më gjatë nën presion e këtij grupi, e natyrisht pjesës tjetët të SPAK, për të dhënë përshtypjen se hetimi ndaj Sali Berishës është një kafshatë që nuk mud ta kapërdijnë lehtë.
“Goli” që synon të shënojë doktori në këtë ndeshje është vonimi sa më shumë i hapjes së dosjeve të tjera ndaj tij. Aferën Partizani, ai mund ta përballojë, qoftë edhe në proces, duke përdorur një batare argumentesh që i kemi dëgjuar deri më sot. Hapja e dosjeve të tjera, sidomos ato të peshës së rëndë, që nga Gërdeci, 21 janari, apo të tjera që fliten, ku si e përmendi Spartak Braho: “kanë ardhur suedezët e Tropojës” e deri te “Remzi Hoxha”, bëhen një barrë krejt e papërballueshme.
E për këtë, sipas gjasave, Berisha do të kërkojë në SPAK që arrestin shtëpiak ta kryejë në zyrën e tij në selinë e SHQUP.
Me shpresën që ajo të kthehet në një “guvë lirie” për “martirin” e Prokurorisë Speciale, në një betejë politike, që më shumë sesa në sallën e gjyqit do të vijojë të behet në salla konferencash e rrjete sociale.
Neni 237 i Kodit të Procedurës penale, në lidhje me arrestin shtëpiak thekson: “Me vendimin e arrestit në shtëpi, gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet nga banesa e tij ose nga një vend i caktuar ku ai banon, kurohet ose mbahet me asistencë. Kur cakton këtë masë, gjykata përcakton edhe mënyrën e ekzekutimit dhe të mbikëqyrjes së saj. Prokurori dhe policia gjyqësore kontrollojnë respektimin e urdhrave që i janë dhënë të pandehurit. Për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin. Koha e qëndrimit në arrest në shtëpi llogaritet në caktimin e dënimit”.
Sipas këtij neni, gjasat për pranimin e zyrës së Berishës si vend për të kryer masën e sigurisë arrest në shtëpi, janë të pakta, por jo të pamundura.
Megjithatë, nëse kjo ndodh, e avokatët e doktorit arrijnë të bindin gjykatën se habitati i tij është selia e SHQUP, edhe mund të merret parasysh, megjithëse e vështirë.
Vetëm se në këtë rast, grupi politik që i bashkëngjitet doktorit i ka larë duart nga çdo qëndrim apo argument politik për të justifikuar betejën e tyre. E cila është e konticionuar më pas nga nevojat dhe ndjesitë e të arrestuarit.
I cili do të vijojë të jetë në dritat e reflektorëve mediatikë për të mbajtur primatin e protagonizmit. Këto akte, edhe pse nuk mund ta kthejnë ashtu siç ai shpreson në një “martir” të SPAK, në një armik politik të prokurorëve, duke i lënë fushën të lirë politike mazhorancës për të bërë politikën e ditës.
Objektivi strategjik i Berishës në këtë rast, është të tërheqë nëpërmjet zotërimit të mekanizmave të reflektorëve mediatikë, aktorët e tjerë opozitarë rreth vetes, ose t’i kushtëzojë ato.
Megjithatë mundësitë janë krejt të vogla. Ilir Meta, para disa ditësh, thirri në një takim në Partinë e Lirisë, këshilltarët bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 14 majit, të cilët edhe pse janë zgjedhur nga foltorja, i trajtoi si kuadro politikë të partisë së tij. E këtu siç thotë Rama: “s’keni parë gjë akoma”, forcat do të lëvizin në drejtim të kundërt me doktorin. Siç ndodhi sot me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që i tregoi ligjin themeltar, ku çdo deputet duhet të përballet vetë me akuzën, e jo duke përdorur forcën politike. E me nisjen e procesit real në Gjykatë për dosjen e klubit Partizani, teatri në zyrat e SHQUP apo gjetkë, nuk pi më ujë./Tema