Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, do ta kishin shumë më të lehtë ushtrimin e ambicjes politike për të drejtuar opozitën, nëse nuk do të mbështesnin përrallën e Rithemelimit pas Non Grata-s të SHBA.

Beteja për reformimin e modernizimin e PD-së, do të krijonte kushtet më të favorshme për një jetë politike dinamike dhe me rregulla sadopak më të lira demokratike garimi.

Mirëpo ajo që u bë nuk zhbëhet më, e Partia Demokratike është sot në një process ngërçi të shkaktuar nga vite e vite ecje retrogradë, duke ju përshtatur problemeve penale të Sali Berishës.

Gara për “kryetarin” e ri realisht është një iluzion virtual, pasi kushtet për një konkurim normal, edhe sikur të ekzistonin, nuk do të kishin mundësi të zbatoheshin falë presionit dhe hijes së rëndë të Sali Berishës.

Megjithatë, siç thotë dhe proverbi “kur s’ke pulën do hash sorrën”, edhe kandidatët për të rivalizuar doktorin, kanë marrë përsipër që ta konkretizojnë vullnetin për të konkuruar për kryetar të PD-së.

Sikur asgjë tjetër të mos sjellin këto nisma, gjithsesi ata janë një tentativë për të drenazhuar kënetën politike me ujin e ndënjur të politikës shqiptaret. Një tentativë, që së pari hap një log, një diskutim apo temë debate e diskutimi në këtë mjedis shumë të rëndësishëm për jetën politike në vend.

Takimet e Ervin Salijanjit në disa qytete të rëndësishme në vend ofruan një panoramë politike krejt të ndryshme në numra, sasi, cilësi dhe mesazh në diskursin e Partisë Demokratike.

Ato dhanë një panoramë ku kishte më shumë njerëz, një kualitet i dukshëm pjesëmarrjeje, si dhe një diskutim normal jashtë përronjve psiqikë të foltoreve të tipit parodik të doktorit.

Që do të thotë, ata ofruan një mesazh politik, që tregonte se ai që e quajnë rëndom madje edhe duke e keqpërdoruar si term “populli opozitar” është më i kthjellët, më i orientuar dhe më i angazhuar se detashmenti i kupolës së selisë blu.

Në këtë rast, beteja e tre “rivalëve” të Sali Berishës, kanë shansin të sjellin në dinamizëm të ri në mjedisin politik opozitar.

Nëse takimet publike të kandidatëve do të zhvillohen realisht me anëtarë të PD-së në territor, do të vënë në provë publike sjelljen e establishmentit të Berishës në lidhje me garën e zgjedhjes së kryetarit.

Nga ana tjetër, nëse fushata do të jetë kurajoze, kapilare dhe pa kompleks, mund të sjellë një përfshirje sa më të madhe të anëtarësisë për të hyrë në zgjedhjet e niveleve të tjera partiake, duke qenë edhe rojtarë të standardeve të garës jo vetëm për kryetar.

Gjithashtu, nëse beteja e “rivalëve” do të jetë aktive dhe reale së paku në diskurs, është mundësia për t’i dhënë mjedisit ide dhe vizione të reja për të krijuar një alternativë politike ndaj mazhorancës së Edi Ramës.

Publiku, sidomos ai opozitar është i mbingopur me slloganët e “kryengritjeve” “qeverive teknike” apo “revolucioneve”.

Ai kërkon të dijë se cilat janë idetë e opozitës për reformën në drejtësi, atë territorial, rregullat e reja të zgjedhjeve, pore dhe mënyrën e qeverisjes, idetë e një të djathte të re.

Nësek jo betejë do të jetë cilësore dhe e mirëmenduar, ani se nuk ja arrinë të fitojnë mbi Sali Berishën, efekti në publik do të jetë jo i vogël.

Madje ka gjasa që të heqë relevancën e planit të Berishës për ta trajtuar fushatën për t’i bëë refresh portretit të tij politik të stërcikluar.

Është një provë dhe një shans, që nëse shpërdorohet apo nuk merret me kujdes të veçantë mund të largojë përfundimisht shpresën e publikut opozitar për një PD të re që të marrë drejtimin e vendit./ TemA