Ylli Pata: Fabula e 'dejavu-së së karameleve', pse Meta mburret se i dha fitoren Berishës në 2005-n

Ylli Pata: Fabula e 'dejavu-së së karameleve', pse Meta mburret se i dha fitoren Berishës në 2005-n

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Ilir Meta, risolli sot një fabul që e përdori shumë, madje duhet thënë se e keqpërdori, në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, kur ishte në poltronin më të lartë të shtetit, atë të presidentit të Republikës.

 Meta, ju mburr mbështetësve të opozitës, se ishte ai që e kishte larguar Fatos Nanon në 2005, dhe që e kishte ndihmuar shumë Sali Berishën të vinte në pushtet. Këtë fabul, Meta e përsëriti shpesh, por deri në një farë pike.

Pikërisht deri kur Fatos Nano, lideri historik i socialistëve shqiptarë, në një intervistë me Blendi Fevziun e cilësoi Ilir Metën “njëriun që mishëron në tërësinë e tij shtatë mëkatet kapitale të Biblës”.

Kjo deklaratë e fortë, solli më pas sulme e kundërakuza të egra, që në një farë mënyrë destabilizoi presidentin e atëhershëm, por që realisht u rrallua pak përsëritja e fabulës së “ndihmës së 2005-s”.

Padyshim që ajo deklaratë, nuk se bëhej kot. Ajo kishte si qëllim për t’i bërë thirrje “popullit të 2 marsit”, pra votuesve të PD-së që të mbështesnin LSI në zgjedhjet parlamentare.

Një dejavu që kishte ndodhur në vitin 2017, pikërisht pas paktit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Pak orë pas atij takimi, Meta u ngjit në zyrën e Sali Berishës, e si me magji rreth 120-150 mijë vota nga basenet më fanatike të PD-së kaluan tek LSI. Në fakt nuk ishte aspak magji, por një urdhër politik nga doktori me telefon, me ndonjë karramele mbrapa për tu ëmbëlsuar që u ofrua nga LSI.

Por në zgjedhjet e 25 prillit 2021 nuk u përsërit dejavuja e karrameleve. Thuajse të 120-150 mijë votat u kthyen në shtëpi. E parë këtë, pavarësisht se ka shumë faktorë të tjerë që kanë ndikuar, por në vija të trasha i bie se “7 mëkatet” e Nanos, funksionuan më shumë se “coming out-I” i Metës, ku ju rrëfeu demokratëve se ai për 20 vjet kishte qenë socialist nga zori, ku e kishin mbajtur të ndrydhur, pasi ai brenda zemrës së tij, kishte qenë gjithmonë blu dhe e ka dashur doktorin, edhe pse i ka thënë njëherë “spurdhjak” nga sheshi kryesor i Bajram Currit.

Sipas gjasave, rrëfimi i Metës për demokratët nuk ngjiti, jo se nuk qëndron në shumë pjesë të tij, por se është i sforcuar politikisht.

Ilir Meta, tashmë dihet qartë se është një bashkëpunëtor i hershëm i Sali Berishës, madje që nga mesi i viteve 90. Kur doktori ishte President e ish-presidenti ishte udhëheqës i PS-së.

Por ky bashkëpunim nuk ka qenë një aleancë tipike politike, por një marrëdhënie aspak konvencionale. Ndërkaq, në rastin e vitit 2005, rrëfimi i Ilir Metës ka bazë reale, madje shumë reale. Pasi në atë kohë sistemi zgjedhor ishte mazhoritar me një turn, pra që fiton ai kandidat që merr edhe vetëm një votë më shumë.

Kandidatët e LSI-së, të cilët ishin në atë kohë mjaft cilësorë, arritën të marrin një sasi votash të majta, duke ndikuar shumë në mos fitoren e Partisë Socialiste. E cila në mazhoritar humbi përballë PD-së, por që më pas me proporcionalin arriti të ekuilibrohet. Në fund PD, për të bërë qeverinë u desh që Berisha të hynte në aleanca fluide me Partinë Agrare të Lufter Xhuvelit, e cila ishte në koalicion me PS-në, e dy vjet më pas, bëri aleancën e famshme me Tom Doshin, e cila çoi në emërimin e Nard Ndokës si ministër i Shëndetësisë.

Praktikisht LSI ka ndihmuar në rikthimin e Sali Berishës, qoftë me relacionet e nëndheshme me Berishën, qoftë edhe me aleancat e hapura. Ku më e bujshmja ishte aleanca për drejtësinë, e cila më pas u rikthye në vitin 2016.

Kur Ilir Meta ishte kryeministër i Shqipërisë, ai bëri një aleancë me Sali Berishën, për të bashkuar votat që të shkarkojnë nga posti i Kryeprokurorit të Republikës, Arben Rakipin. I cili kishte dosje të hapura si për Berishën e njerëzit e tij, si dhe për Ilir Metën e ministrat e tij.

Këto janë realisht fakte të hapura dhe nuk se mund të mohohen. Por gjithsesi, aleanca Berisha-Meta nuk ka qenë politike në asnjë ditë.

Kjo edhe mund të ndodhte, pra që Partia Demokratike të bënte aleancë parazgjedhore me LSI-në, qoftë në vitin 2005, apo qoftë në vitin 2009, kur më pas edhe bashkëqeverisën.

Por, edhe pse vullneti nga lart ka qenë gjithmonë për një aleancë të tillë, (e cila nëse realizohej do të ishte fituese pa asnjë problem), praktikisht ky koalicion nuk kishte asnjë mundësi të implementohej.

Kjo sepse PD dhe LSI, kryesisht në bazën e saj nuk kishin asnjë kimi me njëra-tjetrën, madje ishin komunitete krejt të kundërta. E kjo është krejt e natyrshme, sepse PD vinte nga një histori krejt tjetër që kishte luftuar socialistët, pjesa më radikale e të cilëve ishin me LSI.

Sidomos në fillimin e partisë së Metës, LSI ishte një komunitet të majtësh klasik, të cilët akuzuan Fatos Nanon se po shkon djathtas.

Në fushatën e vitit 2009, LSI, ishte më radikale sesa PS-ja e Edi Ramës, edhe pse nën tokë kishte bërë një pakt me Berishën për një aleancë paszgjedhore. Madje Meta akuzonte Edi Ramën se kishte rrahur shpatullat e Saliut pas tragjedisë së Gërdecit. Berishës i thërriste kudo “Sali Gërdeci”.

Pas zgjedhjeve, LSI mori 4 deputetë, që politikisht ishin thesari më i çmuar i Metës, ngaqë pa ata Sali Berisha nuk e bënte dot qeverinë. E kështu, LSI u kthye në “kingmaker”-e.

Aleanca mes LSI-së dhe PD-së pati një sprovë të rëndësishme në zgjedhjet vendore të vitit 2011. Ishte hera e vetme kur këto dy parti kanë shkuar së bashku në zgjedhje. Përveç Tiranës, ku lëvizjet ishin të një natyre krejt tjetër, në çdo bashki e komunë, LSI i prishi shumë punë Partisë Demokratike. E këtë e kanë thënë hapur shumë deputetë e drejtues të rëndësishëm politikë të PD-së.

Në Tiranë, LSI arriti të rriste votat e saj, e kjo realisht i dha një rëndësi politike Metës dhe partisë së tij. Por nëse shikohet me detaj ai operacion, ishte më shumë se politik. Votat që mori, kryesisht në disa zona të njësisë 5, 8 apo 10, ishin pasojë e një operacioni trafiku influence. E provë për këtë, është se ata vota nuk u rikthyen kurrë në LSI në asnjë prej zgjedhjeve pasardhëse.

Megjithatë, historia nuk mbaron këtu. Fuqizimi i LSI-së nëpërmjet pushtetit të PD-së, duke pasur një pjesë të madhe të tortës së pushtetit, pikërisht pak para zgjedhjeve të vitit 2013, solli një ofensivë të fortë të Metës në territorin “gri” të militancës demokrate. Kryesisht në Tiranë, Durrës apo qendra të tjera qarqesh. Dhe në zgjedhjet e 2013-s, LSI mori një numër të madh votash që i përkisnin PD-së. Ndaj në fushatën e zgjedhjeve të 2017-s, Lulzim Basha doli me slloganin e nxjerrjes për skrap të “shpk-së së Ilirit” dhe u bëri thirrje demokratëve që të rikthehen në shtëpi. Por, nuk ndodhi tamam kështu, pasi ata “vota gri të PD” që kishin votuar LSI në 2013, në 2017-n i mori Rama. Mjafton të shikosh rezultatet e zgjedhjeve dhe procesverbaleve të qendrave të votimit në disa zona të Tiranës(qendër e rrotull saj) për ta konstatuar këtë fakt.

Ndërkaq, pas koalicionit të Ilir Metës me Edi Ramën në vitin 2013, në institucionet që drejtoi LSI, njerëzit e saj larguan masivisht nga puna shumë e shumë anëtarë dhe simpatizantë të hershëm të PD-së.

E kjo solli një zëmërim e traumë të konsiderushme në mjaft demokratë, të cilët nuk e patën në masë këtë fakt aty ku institucionet i drejtonte një përfaqësues i PS-së.

Nga ana tjetër, Meta, në 2017 i ka marrë PD-së, votat e zonës me militante dhe radikale të saj, të cilat lëvizën me urdhër politik të doktorit. Mjafton të hapësh tabelat e qendrave të votimit në KQZ, e shikon se shumë qendra votimi në Laprakë, Laknas, Paskuqan, Domje etj, që votonin historikisht për PD-në, në 2017-n ja dhanë LSI-së.

Natyrisht, ky kalim nuk ka shkuar krejt ashtu me “urdhrin e peshkut”. Ka një dozë të rëndësishme interesi e pragmatizmi brenda, ngaqë LSI kontrollonte copa të rëndësishme pushteti që nga arsimi i zonës rurale deri tek disa sektorë të tjerë: si drejtoria e automjeteve apo ujrat në nivel vendi.

Këta votues tradicional të PD-së e kanë pranuar për arsye pragmatike, e kjo është krejtësisht dialektike. Shumë prej demokratëve të mbetur pa punë e të braktisur nga Basha, u punësuan në disa sektorë që kontrollonte LSI-ja. Por me humbjen e pushtetit, magjia dhe magnetizmi i Ilir Metës ra.

Fuqia e tij ishte thjesht pjesëmarrja në qeverisje, ndaj demokratët nuk e ndoqën në 2021 dhe u rikthyen krejt natyrshëm në shtëpinë që kishin votuar historikisht.

Kjo është pak a shumë, kronika e një lëvizjeje kaotike zgjedhore dhe elektorale me orientim partinë e Ilir Metës.

Ndërkaq, pikërisht i gjithë ky kalvar, ka shkaktuar një traumë në bazë ndërmjet PD-së dhe LSI-së, sa për një kohë të gjatë nuk ka për tu rikuperuar. Kjo u pa pas 6 marsit 2022 në Shkodër, ku Agron Çela dhe LSI atje ndikoi në zgjedhjen e Bardh Spahisë si kryebashkiak.

Pas zgjedhjes së tij, LSI e Shkodrës me Spahinë hynë në një luftë të gjatë që çoi më pas edhe në ikjen përfundimtare të Agron Çelës në PS.

Thënë kjo, ndoshta Meta ka ndikuar në humbjen e PS-së në vitin 2005, por këtë e bëri indirekt. Ndërkaq, në vitin 2013, LSI e Ilir Metës ndikoi direkt që Sali Berisha dhe PD, të marrë goditjen më të rëndë politike të 30 viteve. Të famshmen “1 milion shuplakat”. Të cilat, pa LSI-në janë shumë pak sesa 1 milion. Këtë koalicion, Berisha dhe njerëzit pranë tij e kanë cilësuar si “aleanca e qelbësirave”.

Si përfundim, Ilir Meta, ka bërë thjesht politikë për veten e tij, çka është krejt e natyrshme për çdo politikan. Fabula e karrameleve për demokratët, është më shumë se e sforcuar. Sepse faktet në territor janë shumë më të hidhura për demokratët…/TemA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale