Ylli Pata: ‘Fshehja’ e çuditshme e gjeneralit që drejton Republikën

Ylli Pata: ‘Fshehja’ e çuditshme e gjeneralit që drejton Republikën

Presidenti Bajram Begaj

Herën e fundit që Shqipëria u drejtua nga një gjeneral, atmosfera u ndje menjëherë. Jo vetëm nga protokolli ushtarak i presidentit Alfred Moisiu dhe nderimit të tij mitik me dorën e djathtë pranë kokës, por edhe me eskortën e tij, e cila i tregoi vendit se këtu ka një President me të cilin nuk bëhet shaka.

Prej fundit të korrikut, një koleg i gjeneral Moisiut, Bajram Begaj është president i Republikës, por pak është ndjerë pesha politike e tij.

Deklarata e tij nga Kukësi dy ditë më parë, u duk e arsyeshme, ku foli mbi polemikën e hapur në Britaninë e Madhe me shqiptarët, ku dha edhe një propozim interesant për një konsullatë të Mbretërisë së Bashkuar për të dhënë viza (termi minikonsullatë u duk e çuditshme).

Pas një presidence të çmendur të Ilir Metës për 5 vjet, e cila u kthye në një kjoskë që ushqente panelet e darkës me material shpërthyes afatshkurtër, ka gjasa që të ketë frenuar pasardhësin e tij për një profil më të qetë, më të butë që të mos lodhë njerëzit.

Por një President Republike sido që të jetë nuk ka sesi të pranohet si profil i ukët, ngaqë ai është kreu i shtetit, posti më i lartë i Republikës.

I cili sipas Kushtetutës duhet të jetë pasqyrim i unitetit kombëtar. Një President duhet të jetë natyrisht një zjarrëfikës kur ka tensione të larta, e arbitër kur ka sherr, por duhet të shërbejë edhe si katalizator për të nxitur procese të domosdoshme që shqiptarët i mirëpresin.

Një nga këto është natyrisht drejtësia. SHBA, Bashkimi Europian, me anë të zyrtarëve të tyre në Tiranë janë mjaft aktivë në aktivitetin e SPAK dhe gjykatës së posaçme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një ditë më parë, në Tiranë u zhvillua një aktivitet shumë i rëndësishëm ku buajtën emra të mëdhenj të drejtësisë italiane. Zyrtarë që kanë prangosur baronë e vip-a të mafias jo vetëm italiane por ndërkombëtare. Ee gjithë kjo lëvizje, duket se si objektiv ka mbështetjen e SPAK-ut shqiptar që të lëvizë fort në misionin që njerëzit e presin: goditjen e ndërtesës së pandëshkueshmërisë.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, para pak ditësh ishte në SPAK, pikërisht pas disa sulmeve e kërcënimeve të rënda që kishin ndodhur ndaj një gjyqtareje, e rikonfirmoi mbështjen e qeverisë amerikane.

E në këtë linjë, njerëzit presin që presidenti i Republikës të jetë më prezent, në një temë si drejtësia, pasi është kreu i ri i shtetit që nuk ka asnjë konflikt interesi as me drejtësinë e vjetër e as me drejtësinë e re.

Bajram Begaj është presidenti i parë në vend, që të paktën në këtë periudhë nuk ka pasur asnjë inat me drejtësinë e vjetër as me drejtësinë e re, as ka emëruar gra e burra mbështetësish në kushtetuese si pasardhësi, e as ka kërkuar shkarkime.

Duke u nisur pikërisht nga kjo “liri”, Presidenti i ri do të duhet të flasë më shumë, për pandëshkueshmërinë, për luftën ndaj korrupsionit, për atë që presin njerëzit; kush ka pasuri të fituar pa të drejtë, tu konfiskohet.

Profili intelektual dhe njerëzor i Bajram Begajt si mjek e ushtarak i bashkohet natyrshëm lidhjes me atë pjesë të komunitetit që ndjehet jo miqësor me elitën politike. Por pret nga Presidenti që t’i qëndrojë afër.

Nëse Ilir Meta ka bërë namin duke dekoruar edhe bare e restorante, presidenti Begaj mund ta bëjë duke e rikthyer institucionin e dekoratës në nivelin e vlerës për njerëzit e vërtetë. Natyrisht mund të ketë shumë e shumë rrugë apo shtigje për të vepruar, por në këtë polarizim e sherr masiv, njerëzit e duan një zë të tretë që të paktën t’i flasë ndryshe, e të bëhet ndërmjetës. Ku ka më mirë se presidenti i Republikës…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit