Ylli Pata: Kodi anti-amerikan i Albinit për Berishën

Ylli Pata: Kodi anti-amerikan i Albinit për Berishën

Sali Berisha dhe Albin Kurti

Qëndrimet anti-amerikane të Albin Kurtit dhe grupit të tij mbështetës, po bëhen përditë e më shumë një doktrinë politike. Që sipas gjasave po lineohet si një ideologji apo frymë e një fushate të re.

Fushatë, e cila sipas gjasave do të nisë së shpejti, pikërisht siç e bëri të ditur sot në Kosovë, Peter Beyer, një parlamentar i njohur gjerman, i cili ka vizituar Prishtinën, si pjesë e një delegacionit të Bundestag-ut.

Në paranojën e një largimi të mundshëm të grupit të Vjosa Osmanit nga mazhoranca qeverisëse, pasi ajo është kthyer në interekutorin e Perëndimit në Prishtinë, Albin Kurti po bën gati edhe “doktrinën” që do të përballet në një fushatë të mundshme. Për të cilën ka punuar gjithë këto kohë, duke tentuar të grishë vragën e antiamerikanizmit në Kosovë.

Këto ditë të incidenteve të veriut, rrjetet kanë gëluar me një fjalor dhe diskurs të rëndë e banal ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, Jef Hovenier, apo Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Nuk duket se është rastësi ky qëndrim, e as “spontan”, e si “rastësisht” i ngjan si dy pika uji, panoramës së sulmit prej vitesh që i bëhet në rrjetet sociale ambasadës amerikane në Tiranë, nga mbështetësit e Sali Berishës.

E në këtë linjë, një nga njerëzit që në publik është mbështetës i Albin Kurtit, një prej grupit të spinëve të tij, ka dalë me një qëndrim që lidh gjërat për një linjë politike edhe më të avancuar. Është Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Kurtit, sot një panelist që e mbron atë fort në emisionet e darkës në Prishtinë, i cili ka sjellë në skenë një panoramë që dukej e harruar.

Gashi, ka publikuar një foto të intervistës në televizionin publik shqiptar në kohën e Sali Berishës-President, të Adem Demaçit. Pikërisht në vitin 1996, kur Berisha, i prishur zyrtarisht me Amerikën, synon të spostojë Ibrahim Rugovën nëpërmjet Adem Demaçit. i cili që atëherë doli hapur si kundërshtar i qëndrimit pro SHBA të Rugovës.

E Gashi e sjell në një postim të tij në rrjetet sociale. Në intervistën dhënë Reis Çiços, Demaçi shprehet: “Nëse e do lirinë, atëherë, duhet të angazhohesh. Amerikën e kemi mik, porse, pse e kemi mik, nuk do të thotë se duhet ta dëgjojmë gjithmonë. Amerika është shtet i lirë dhe nuk na beson se ç’është robëria. Ne duhet të përpiqemi dhe ta bindim Amerikën të heqë dorë prej zgjidhjes që po na e ofron: që të mbesim koloni e Sërbisë”.

E pikërisht rinxjerrja nga sunduku i një qëndrimi të tillë sot, nuk duket as rastësisht, e as spontanisht. Vetëm kërkimi për ta gjetur një repertor 28 vjeçar është një odise në vete, por duket se paketimi në sunduk ka qenë i gatshëm. Duket si një qëndrim i koduar, një kartë politike që i drejtohet homologëve të Tiranës, kur ata kanë bashkëpunuar me një qëllim, pikërisht kur në atë kohë ishte Berisha në vështirësi, e që amerikanët i kishin bërë benë. Sot në këtë gjendje është Albini, i cili dërgon një sinjal SOS me një kriptim alla KGB.

E në fakt, ky mesazh që këshilltari i Kurtit nxori nga arkiva sot, është thelbi i qëndrimit antiamerikan shqiptar të pas viteve 90. Që nuk ka lidhje me një terren politik që vjen nga publiku, por është një jelek shpëtimi që vjen nga kolltuqet e larta të pushtetit. Që për hallin e karrikes janë gati të devijojnë përkatësinë gjeopolitike të vendit. Një material i gatshëm që e kanë marrë nga Enver Hoxha, i cili i ndërronte aleancat vetëm për të mbrojtur karriken e vet.

Po çfarë ka ndodhur në vitin 1996, në atë repertor që sjell sot këshilltari i Albin Kurtit?

Sali Berisha, pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 1996, u vu nën shënjestrën e Perëndimit, si një minues i demokracisë, duke i imponuar një axhendë deshkallëzimi. Pra përsëritjen e zgjedhjeve dhe zbutjen e konfliktit. Berisha e refuzoi dhe tentoi që nëpërmjet Adem Demaçit të arrijë në Kosovë krijimin e një axhende radikale që të rrëzonte Ibrahim Rugovën. Axhendë që ishte dukshëm antiamerikane.

E më pas, Berisha, Kurti e Demaçi si “rastësisht” u puqën edhe në vitin 1999-s, kur të tre publikisht bënë thirrje për të mos firmosur Marrëveshjen e Rambujesë. Natyrisht asnjëri në qëndrimet për të mos firmosur paktin e shqiptarëve të Kosovës me Perëndimit, nuk ofroi asnjë argument, asnjë ide apo kundër ide, por vetëm propagandë të verbër gjoja nacionaliste, të mbushur me sllogane e sofizma.

Siç po ndodh sot, kur Albin Kurti nuk ka asnjë argument, arsye, për të shpjeguar aksionin e tij antiamerikan dhe mllefin e ushtrisë së tij të gatshme kundër SHBA-së, ku domunohet nga fanatikët dhe ekstremistët islamikë.

E mbulon mungesën e argumentit me parrulla të gatshme e bajate gjoja patriotike. Njëjtë sin ë vitin 1996, ndaj ka nxjerrë nga sunduku marrinat e Sali Berishës, duke ja servirur si një menu e përbashkët, një çorbë, e cila e servirur e nxehtë ndoshta nuk e shijon njeri, por thjesht i djeg gojën.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT