David McAllister, është një nga politikanët më me influencë në Europë, edhe pse nuk është bërë ministër apo komisioner i Bashkimit Europian.

Një gjerman me origjinë baba skocez dhe nënë gjermane, zoti McAllister, është një prej figurave më të rëndësishme të kristiandemokratëve të kancelarit Frederich Merz. Pikërisht origjina e tij familjare përbën edhe thelbin e vlerave të Europës së sotme.

Babai i tij ka qenë një ushtarak britanik që ka marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore për çlirimin nga nazizmi, i cili u martua me nënën e tij gjermane, një mësuese muzike Ushtaraku skocez zgjodhi të jetojë në vendin ku gjeti dashurinë e jetës. I diplomuar në një nga universitetet më të mira të Saksonisë së Ulët, që qendër ka Hanoverin, e prek bregun veriperëndimor gjerman në Detin e Veriut, McAllister është një nga politikanët më të rëndësishëm të këtij landi mjaft të populluar dhe të industrializuar. Si rrjedhim me mjaft potencial për politikën e partive kryesore në vend.

Europeist i bindur, madje edhe në gen, ai është një nga njerëzit më të afërt të ish-kancelares Angela Merkel dhe sot është praktikisht kreu i korrentit apo fraksionin politik që në një farë mënyre është oponent me kancelarin Merz.

Stabililiteti i tij në një post politik si kreu i komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian, nuk është gjë tjetër veçse një shenjë e influencës së rëndësishme të Gjermanisë, CDU-së, e natyrisht e politikanit me shumë përvojë David MCAllister.

Nuk është aspak rastësi që prej 20 viteve tashmë, Gjermania ka një rol dominant në Komisionin Europian, diplomacinë, e natyriisht Parlamentin Europian. Fuqia ekonomike e saj kthehet natyrshëm në një influencë politike primare.

McAllister, është një prej politikanëve që e kanë nisur këtë kurs të ri politik gjerman pas viteve 2000 nën udhëheqjen e koleges dhe mikes së tij të ngushtë Angela Merkel.

Për Tiranën, David McAllister është një njohje e vjetër. Përveçse një përkrahës dhe njohës i Ballkanit, në vitin 2017, ai erdhi në Shqipëri për të zgjidhur ngërçin e vështirë të 2017-s, kur PD e Lulzim Bashës si regjent por e Sali Berishës si shef real u fut në çadër, duke rrezikuar mosmbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që mund ta fuste vendin në një bllokadë të rëndë.

David McAllister u dërgua nga kancelarja Merkel si mediator për krizën, e kishte më shumë karrota për Bashën e Berishën sesa shkopinj. Madje asnjë shkop nuk mbante në valixhe. Me një plan prej 20 pikash, McAllister propozoi një qeveri të përbashkët PS-PD deri në zgjedhje, ku opozita do të kishte zv.kryeministrin, kreun e KQZ, Avokatin e Popullit, zgjedhjen e një Presidenti konsensual, shtyrjen e zgjedhjeve më 16 korrik e mjaft pika të tjera.

Kjo paketë ishte si një bekim për PD-në, dhënë nga një aleat i tyre, pasi McAllister është nënkryetar i Partive Popullore Europiane.

Por si Sali Berisha, si Ilir Meta e rrëzuan paketën McAllister, madje edhe duke e tallur në studio e panele ku e quajtën Big Mac. Kuptohet pse Meta e kundërshtonte, ngaqë donte të bëhej vetë President, por kundërshtimi i PD-së ishte krejt pa një logjikë normale politike.

Gjë që u shpreh edhe nga diplomatët e politikanët europianë, e sidomos të CDU-së. Mësohet se vetë David McAllister deklaroi në atë kohë se marrëveshje më të mirë se kaq nuk do ta gjeni.

Por, duket opozita e cila me fitoren e mandatit të parë të Donald Trump trumpetoi rrëzimin e Edi Ramës, priste që të vinte një delegacion nga SHBA për të zgjidhur krizën.

Dhe në të vërtetë erdhi: “Buldozeri” Hoyt Brian Yee, numri dy i DASH, i cili nuk kishte asnjë karrotë për Sali Berishën, por një shkop të madh, sa e shastisi doktorin, i cili e shprehu vetë më pas në media.

Më pas Edi Rama hyri në dhomë me Lulzim Bashën, ku dolën me një qeveri të përbashkët më të butë se Big Mac-u, por që e përçau keq opozitën dhe i dha Edi Ramës fitoren e dytë në zgjedhje.

Ai refuzim i të mirave që solli McAllister atëherë, natyrisht që ka mërzitur atë vetë, CDU, PPE e natyrisht Angela Merkelin e Berlinin zyrtar. Ndaj qëndrimi i sotëm ndaj Sali Berishës nuk ishte asgjë tjetër veçse karma.

Megjithatë, politikisht është një vulë e thatë, e vendosur nga lideri i qendrës së djathtë europiane e një nga më influentët e kontinentit. Pas këtij qëndrimi nuk mund të hezitohet aspak se nëse nuk është përjashtuar PD është futur në frigoriferin politik për këndvështrimin e PPE.

Mund të thotë ndokush, se në këtë status ndodhet edhe FIDEZ e Viktor Orbanit? E vërtetë, por ai është në pushtet prej 4 mandatesh dhe politikisht është larguar nga PPE dhe është një lider i së djathtës sovraniste e populiste.