Ylli Pata: Nga 'Rama ik', te 'Veliaj ik'

Ylli Pata: Nga 'Rama ik', te 'Veliaj ik'

Edi Rama dhe Erion Veliaj

Askush nuk ka shpikur rrotën. Thjesht rrota po ecën sipas një destinacioni të njohur e stërnjohur në nahinë tonë politike. Që me hyrjen e Edi Ramës në politikë si protagonist, ndryshoi loja e madhe e aktorëve kryesorë.

Nëse socialistët, bataretë e tyre i drejtuan ndaj Sali Berishës, që vazhdojnë edhe tani, nga ana tjetër, lufta ka qenë pak më e diversikuar. E kjo nga viti 2000, kur në skenë hyri Edi Rama, një lojtar i kategorisë superiore që luante për podiumin tri vendësh.

Lufta ndaj Edi Ramës, për Sali Berishën erdhi natyrshëm, por edhe në bazë të konkujturave dhe intrigave të pallatit. Rama hyri në lojë jo si “djalë i sjellshëm” apo “çun Tirone”, por sapo doli në podium i futi një të bërtiture që edhe sot e kësaj dite mbahet mend. “O doktooooor, po ne do fitojmë, o doktooor”. Ajo britmë ishte realisht sinjali i hyrjes në fushë të një peshe të rëndë, përveç Fatos Nanos, kryetar i PS-së dhe Ilir Metës, kryeministër i vendit.

Sali Berisha nga ana tjetër,  i duhej që të luftonte tre pesha të rënda. Si një lojtar i shkathët, doktori, me logjikë s’mund të hapte betejë me të tre njëherësh. “Divide et Impera” ka thënë për së pari një nga shtetarët më të mëdhenj të historisë botërore, Filipi, babai i Aleksandrit të Maqedonisë. Maksimë që Jul Çezari e kishte një nga protokollet e politikës së tij, së bashku me një pasardhës të vonë të tij, Napolon Bonapartin e Francës.

Natyrisht doktori nuk ngjan me Filipin, jo se s’ka një djalë si Aleksandri, që më pas e vrau, po nxënës i tij nuk se është aq i keq. E në këtë rast, Sali Berisha, i gjendur përballë triumviratit narcistik të socialistëve që u dukej vetja më i madh se Filipi e Napoloni, zgjodhi një taktikë të njohur. “Afrohu e Largohu”, marrëveshje dhe luftë deri sa të përçajë tre emra, që veç e veç nuk kishte takat t’i mundte.

E në mënyrë perfide, duhet thënë perfekte, Sali Berisha u kthye në një përcjellës e trasmetues i një përplasje transversale i rrymave dhe rrjedhave të mazhorancës. Duke mbajtur njërën anë, e sulmuar tjetrën, e anasjelltas, sipas konjukturës. Por edhe më shumë se kaq, duke i ofruar marrëveshje palëve në përplasje të triumviratit socialist, të cilët si Pompeu, Çezari apo Marco Licinio, ju skuqeshin sytë nga inati për njëri tjetrin.

Sali Berisha, sulmoi egër Fatos Nanon, për të bërë më pas një pakt me Pandeli Majkon e Ilir Metën, kur ata u zgjodhën në qeveri. Më pas bëri pakt me Ilir Metën, për të rrëzuar Kryeprokurorin e Republikës Arben Rakipin, çka ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme që e kuotuan Sali Berishën si një lojtar rangu. I eksituar, doktori fliste me filosofi. Nxori shprehjen  e famshme “aleancat fluide”, sa reporterët që frekuentonin selinë blu ishin aq entuziastë sa Berisha. Sa pjesa më e madhe e tyre ishin kthyer në një variant koresponent të Agron Llakajt, sa imitonin doktorin në tiket e tij ditore.

Por nuk mbaron me kaq, pasi hoqi Kryeprokurorin, Berisha bëri marrëveshje me Fatos Nanon për të zgjedhur Presidentin e Republikës, Alfred Moisiun. Marrëveshje që ishte një paketë politike, ku Nano i kërkoi Berishës të hiqte qafe Fatos Klosin dhe Edi Ramën, së bashku me substraktet politike të saj si Meidani, Gjinushi etj, etj.

Berisha e respektoi marrëveshjen “deri në detaj”. Kjo lëvizje e ktheu doktorin e rrënuar të 1997 plotësisht në politikën e lartë. Ai ishte jo vetëm referencë e politikës por edhe biznesit, që për të zgjidhur një hall i drejtoheshin doktorit, i cili në bazë të shantazhit e marrëveshjes e kthente në deal. E pas deal-it natyrisht që kishte gold.

Sali Berisha u kthye në vitin 2005, pikërisht se tregoi që ishte në gjendje për të qenë realisht “king makeri” politik i sherrit mes të majtës.

Ajo ishte një shkollë jo vetëm për Berishën, por të gjithë detashmentin e tij, si dhe personazhet e grupimeve të vogla politike, që lëviznin sipas konkujturës për të fituar pikë.

Rasti më i rëndësishëm është ai, “The Philosopher”: Nard Ndoka. i cili, me një dëshmi xheneriku në xhep arriti që të bëhet në vitin 2007-Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë. Një histori tipike për librin Guiness. Vetëm, se kjo u realizua falë një marrëdhënie me Tom Doshin, i kërcënonte mazhorancën qeverisëse Sali Berishës.

Kjo lloj loje u kthye më pas në sport kombëtar. Sa partitë e vogla u kthyen në një lloj fenomeni, të cilën Berisha e përdori bukur në zgjedhjet e vitit 2009, sa u quajtën treni me shumë vagonë.

Por natyrisht ishte hera e fundit, e një performance vagonësh, pasi marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008 parashikoi një tharje të fushës nga “bukuroshët e fshatit”.

Nejse erdhëm në epokën “Rama”, një epokë që po zgjat pak si shumë, ku kryeministri i Shqipërisë është plakur më shumë në pushtet sesa në pritje të tij. Berisha e aleatët e tij, ku numrin një e zë shoku i vjetër Ilir Meta, kanë bërë shumë për të rrëzuar kundërshtarin e gjatë, po nuk ja kanë arritur. Çfarë nuk kanë bërë gjithë këto vite, por më kot.

Rama e ka seriozisht garimin për mandatin e katërt si kryeministër, që sondazhet ja japin krejt bujarisht. E në këtë lojë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, si lojtarë më të fortë në lojën kundër, i janë kthyer marifetit të vjetër.

“Divida et Impera”. Sulm ndaj njerëzve që po projektohen në të ardhmen. Erion Veliaj, është në një farë mënyre si Edi Rama, pavarësisht në masë e vend të ndryshëm. Po konsumon mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës, si Rama të njëjtin si kryeministër.

Edi Rama mund të garojë për të katërtin, Veliaj jo, nuk ja lejon ligjin. Gjasat janë që të hyjë në lojë si lojtar politik i nivelit të lartë. E PS, natyrisht që konsiderohet një kuçedër me më së paku dy koka që u ka bllokuar ujin, pra karrierën të gjithë aspirantëve të një “politike të re”, edhe pse janë fëmijë të baballarëve të vjetër. E kotë të përmendim emra.

Lufta ndaj Veliajt është një “back to the future”, një udhëtim në kohë imagjinar, që në vizion e në program kjo opozitë nuk e bën dot.

Megjithatë mënyra më e mirë do të ishte sikur kjo opozitë të nxirrte një person apo skuadër që të sfidonte qoftë Edi Ramën apo Erion Veliajn, në ide, vizion, mentalitet apo edhe oratori. Sepse kështu ndodh në vende të tjera, por jo tek ne, ku bëhet gjithçka që të mos ndodhë ky ndryshim. E kur nuk e mundin dot kundërshtarin, duan ta largojnë me “kokëheqje”. Shpesh edhe ka ndodhur, por a mund të ndodh sot? Si vështirë!/Tema

B.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion