Vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit për ta pasur të pandehurin Sali Berisha në gjendje të lirë, ka çuar në delir të gjithë establishmentin opozitar të doktorit.
Është i vërtetë ky delir apo është PR? Duket më shumë e dyta, e kjo nga argumentet, ku përmendet pa asnjë lidhje Gjykata e Strasburgut, ku këto ditë ka çuar edhe grupe të gatshme mediatike.
Të cilat sipas të gjitha gjasave, siç kanë bërë gjithë këto vite do të sjellin histori të ndryshme nga ato që sjell propaganda, që në thelb është e rreme si deklarata e Sali Berishës ndaj prokurorit të SPAK, e që sot e hëngri gënjeshtrën pa djathtë; thatë fare.
Por kjo nuk është asgjë para një fakti që është politik, madje shumë i madh politik, për të cilin opozita që është rreth Sali Berishës.
E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për segmentin e PD që kontrollon, por për atë mediatik dhe të biznesit që ka krijuar idenë se Sali Berisha është një i burgosur politik.
Ky është një narracion që një militant i PD-së, sinqerisht nuk e bën dot me në koleg të tijin në një kafe. Pasi i dalin llogaritë gabim. Flasin për kullën e Ramës në Surrel, por kanë vilën e Berishës në Lalës, flasin për pasuri të kundërshtarëve por kanë 19 kulla që janë ngritur në territorin e ish-klubit Partizani, ku familja e Berishës është zotëruesja e tyre.
Aty ku sot janë 19 kullat, e deri para pak vitesh ishte klubi Partizani, ka qenë në komunitet shumë miqësor ndaj Partisë Demokratike. Njësia 7 ka qenë një nga zonat që ka votuar disa herë PD-në. Nuk bëhet fjalë ër zonën e aviacionit që janë të ardhur, por ish-klubi Partizani, apo zona e 21 dhjetorit, e rrugët që e përshkojnë këtë zonë. Me banorë autoktonë, kryesisht me origjinë nga jugu e mjaft ortodoksë. Në vitin 2005 votuan Lulzim Bashën në një shumicë thuajse plebishitare.
Ndërkohë edhe në zgjedhjet e tjera PD ka pasur gjithmonë fetën e saj, Agron Shehaj sot ka shtabin e partisë së tij aty, ngase ka parë që ka shumë të djathtë, ndërkohë një nga pionierët e turizmit shqiptar, Zak Topuzi, është një nga demokratët më të dashur të zonës. Po sot? Shiko zgjedhjet e fundit lokale se sa demokratë braktisën votimet vendore, pikërisht prej aferës Partizani.
E gjithë rruga "Kongresi i Lushnjës", "Ylbere Bylykbashi" apo i gjithë ish- territori i klubit Partizani ka qenë një bastion i PD-së ndër vite e vite. Partia Socialiste ka arritur rezultatin më të mirë në vitin 1997 me profesor Et’hem Rukën.
Në zgjedhjet e fundit lokale, pikërisht aty ku janë 19 kullat, rezultati është drastik.
Dosja Partizani është nga rastet më flagrante të korrupsionit të madh. Edhe pse sot, Edi Rama, apo analistë e quajnë këtë si akuzë për kafe, ajo përbën një standard ku një kryeministër i jep familjes së vet, një pronë që e konsideron si të tijën. Politika e mbështetësve të mazhorancës për ta quajtur kafe këtë nuk kuptohet, por njerëzit e kanë marrë vesh prej vitesh kur ka ndodhur.
Ndaj diferenca e PD-së në territorin e bashkisë së Tiranës shkon mbi 6 mijë vota, e nëse i shtohet atyre të qarkut kjo diferencë rritet shumë, pasi është Gërdeci, që sot voton pa presionin e pushtetit. Gërdeci, ku viktimat dhe të plagosurit nuk ishin shumica nga fshati por nga rrethinat pranë. Po t’i shtosh dosjen 21 janari?
Sado që të vijojë mbrojtja e Sali Berishës duke sulmuar e mallkuar çdo qeveritar të PS-së që kanë 12 vjet në pushtet, e i merr brenda të gjitha të sharat, nuk do arrijnë dot të bindin njerëzit për këto tre dosje. Por që thonë se ka edhe të tjera… /TEMA/