Juristi Kreshnik Spahiu ka folur mbrëmjen e sotme në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, lidhur me hetimin e SPAK për drejtuesen e shkarkuar të SHISH, Vlora Hysenin, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më herët për dosjen e AKSHI-t.
Gjatë fjalës së tij, Spahiu theksoi se masa e sigurisë së vendosur ndaj Hysenit duhet të ishte më e rëndë sesa ‘arrest shtëpie’.
Për ‘përplasjet’ e Hysenit me Klodiana Lalën, Spahiu tha se ish-kreu i SHISH tregoi një mënyrë jo-profesionale komunikimi dhe bëri shantazh të hapur ndaj gazetares.
“Masa e sigurisë duhet të bëhej më e ashpër duke parë një reflektim tërësisht banal të kreut të Shërbimit Sekret, Vlora Hyseni, e cila në pafytyrësi, një grua që duhet të përfaqësojë një institucion me dinjitet, sulmon një grua tjetër, gazetare, në ditën më të zezë të saj, duke e akuzuar për bashkëpunim me shërbimin serb. Po mirë, ajo kishte pritur të shkojë në pranga që të kujtohet për një dosje të një gazetareje që shkon në hotel me agjentë serbë? Është tërësisht jo profesionale, jo ligjore dhe një shantazh i hapur”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu shtoi se Hyseni nuk ka tradhtuar shtëpinë e vet, por shtetin shqiptar, pasi pozicioni që ajo mbante ka një rëndësi kyçe për sigurinë e vendit.
Spahiu shtoi gjithashtu se të paktën duhet të kishte pasur një kërkim falje publike nga ana e Hysenit, për të gjithë situatën në të cilën ajo gjendet.
“E dyta është e papranueshme që pas gjithë këtij skandali të madh të mos ketë një ‘pardon’ publik, të mos ketë një skuqje, të mos ketë një zverdhje, të mos ketë një ndryshim të pigmentit të saj, është e frikshme sesa e akullt është ky njeri, sepse me veprimet e saj Vlora Hyseni nuk ka tradhtuar shtëpinë, por Shqipërinë. Nuk bëhet fjalë këtu për një marrëdhënie erotike dhe sentimetale, sepse ajo nuk është një individ personal dhe masa e sigurimit, absolutisht SPAK është treguar profesional, duke e zhveshur atë nga pozicioni i saj publik, duke e pezulluar nga detyra dhe duke marrë masën e arrestit shtëpiak”, shtoi Spahiu.







Komente
Komento