Ylli Pata: Pse ju lutet Alibeaj kandidatëve të Foltores?

Ylli Pata: Pse ju lutet Alibeaj kandidatëve të Foltores?

Enkelejd Alibeaj

I freskët sapo doli vendimi i KAS për të regjistruar PD-në në zgjedhje, Enkelejd Alibeaj, i bëri thirrje sërish kandidatëve të foltores që të bashkohen në një sigël në 14 maj.

Ndërkaq, Dashnor Sula, një deputet i grupit Alibeaj deklaroi se në Elbasan, ai dhe deputetët e qarkut, duke përfshirë edhe Gazmend Bardhin, e pranojnë Luçiano Boçin si kandidat të tyre në Elbasan.

Po a do të pranojnë kandidaët e Berishës që të dalin me siglën e PD-së? Logjikisht që jo, pasi ata janë rreshtuar me foltoren, e cila është angazhuar në një koalicion politik me Ilir Metën, Nard Ndokën dhe Vangjel Dulen në bashkinë Himarë.

Sipas të gjitha gjasave, xhanëm e deklaroi edhe Ilir Meta, kandidatët e “primareve” janë garuesit e grupimit Berisha-Meta-Ndoka në zgjedhjet e përgjithshme vendore të 14 majit.

Ndërkaq, batareja e sulmeve nga njerëzit e foltores për Enkelejd Alibeajn dhe partinë e tij, vijon me bombardime të njëpasnjëshme, konstante dhe me municion të shtuar.

Atëherë, kur “kandidatët e primareve” kanë partinë e tyre përkatësisht koalicionin “BF” (Bashkë Fitojmë), kur për 24 orë nuk lenë sharje pa i thënë, përse Enkelejd Alibeaj vijon lutjen ndaj tyre?

Në distancë duket si një kurth dinak politik, për të provokuar reagime të ashpra, e më pas për t’i nxjerrë në publik përpara elektoratit opozitar, si shkaktarët e përçarjes brenda opozitës Berishën e foltoren, ndërkohë që PD nuk resht së luturi që të garojnë së bashku në zgjedhje.

Logjikisht kjo duhet të jetë taktika e Alibeajt, pasi nuk ka arsye që të vijojë t’i lutesh e përgjërohet dikujt që nuk lë orë të ditës pa të quajtur të “shitur te Edi Rama”.

Gjithsesi, sado edhe taktikisht ta përdorë këtë lutje, njerëzit e kanë shumë të qartë se çfarë po luhet, që kur Sali Berisha tentoi të marrë PD-në, pasi e kishte “braktisur” vetëm formalisht.

Gjërat janë krejt të qarta për opozitarët që nuk janë me Sali Berishën, të cilët pikërisht kur e përjashtoi Lulzim Basha nga grupi i PD-së, u ndjenë të çliruar nga pesha e rëndë e doktorit në parti.

Kjo sepse Sali Berisha nuk është larguar asnjë ditë prej PD-së, deri në kohën kur u shpall Non Grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka qenë njeriu që vendosi Lulzim Bashën në krye të PD-së, me anë të një procesi të trukuar, të ndikuar e të manipuluar. Ka qenë Sali Berisha, i cili gjatë regjencës Basha, ka ndikuar thuajse në të gjithë vendimet më të rëndësishme të PD-së si opozitë. 

Që nga guerrilja e gjatë kundër reformës në drejtësi, ku dhe nisi përplasja e fortë me SHBA-BE, tek çadra e 2017-s, djegia e mandateve e 2019-s dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Të gjitha këto vendime fatale për një parti politike, që kanë sjellë këtë traumë politike në vend, jo vetëm janë ndikuar nga Sali Berisha, por janë marrë prej tij. Aq i fortë ka qenë ndikimi i kreut të foltores, sa edhe zgjedhjen e Celibashit apo të Elvis Çefës së KQZ-së vetëm dy vite më parë ishin pjesë e lobimit të tij.

E pikërisht nga përjashtimi i Berishës në shtatorin e 2021-shit, nisi një luftë reale brenda PD-së ku pati një lëvizje me disa faza. Lëvizje që pati mjaft njerëz që donin të përfitonin për karrierë politike, si shumë emra të larguar nga Lulzim Basha apo pretendues të rinj si Evi Kokalari, të cilët e kuptuan se katapultimi nën Berishën e ka propabilitetin zero. Por lëvizja më reale që ka ndodhur brenda PD-së, është ajo e grupit që po formëson një qëndrim politik për një të djathtë pa Sali Berishën.

Natyrisht, kjo lëvizje është në sythin e saj, por fakt është që strukturat e PD-së, kryesisht në bastione e kanë formësuar këtë qëndrim me rezistencën thuajse dy vjeçare ndaj sulmeve të egra por edhe dinake të foltores.

Sali Berisha, e ka pasur qëllim apo plan thënë më mirë, që në fillim se si do të dilte në zgjedhjet lokale i strehuar në siglën e Ilir Metës. Pasi në fund të fundit këtë bëri edhe me 6 mars. Një proces politik, që edhe sot e kësaj dite, foltoristët e quajnë të suksesshëm dhe një dëshmi se Sali Berisha ka shumicën e opozitës shqiptare.

Po si mund të kenë shumicën dy politikanë që kanë perceptim negative të mbi 70% të popullsisë shqiptare, ku brenda është një fetë e madhe opozitare?

Nëse Sali Berisha e Ilir Meta do të kishin hallin e fitores si të bashkuar zgjedhjet lokale të 14 majit, ata thjesht do të bënin kolaicion me të gjitha partitë politike opozitare, duke përfshirë Enkelejd Alibeaj, duke bashkuar në mënyrë aritmetike të gjitha faktorët e aktorët. Të cilët së bashku do të bashkonin të gjitha votat për të mundur mazhorancën.

Por nuk e kanë bërë qëllimisht, pasi synimi i tyre është që të jenë ata opozita, e më pas natyrisht të avancojnë për të konsoliduar pozicionin e tyre, duke u bërë kështu “alternative me zor” ndaj socialistëve, ku të presin sa të bjerë Rama, që të vijnë ata.

Ndaj lutja e Alibeajt dhe e të tjerëve, duket si një frazë që nuk përban brenda asnjë pikë realiteti. Nuk mund të ketë komplekse partia kryesore e opozitës, kur ish-udhëheqësi i tyre është kthyer në kundërshtarin më të fortë të Partisë Demokratike. Realitet që e tregoi të qartë më 6 marsin e vitit të shkuar. Berisha dhe Meta, së bashku me Ndokën sot janë rivalë të fortë të PD-së, e kjo nuk do mend as kalem.

PD përveç një riorganizimi dhe strukturimi të trupave të saj në territor, i duhet të avancojë drejt shoqërisë, drejt atij që quhet elektorati gri, për të hyrë krejt me mendësi të re në protagonizmin politik. E kjo së pari me kandidatët e 14 majit. Pikërisht mënyra si zgjidhen dhe kë ata përfaqësojnë do të krijojnë një profil politik. Ndërkaq, si Berisha ashtu edhe Meta nuk kanë kohë për të menduar e lodhur për një riformatim. 

Ata ecin vetëm me markën që përfaqësojnë. Jo më kot Sali Berisha si program ka ata që i quan arritje gjatë kohës së qeverisë së tij. Të cilin e shpalosi edhe në Mallakastër, edhe pse atje ndodhet një nga vulat më të frikshme të qeverisë së tij, ku Uzinën e përpunimit të naftës ja dha Rerzart Taçit, së bashku edhe me Albpetrolin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale