Ylli Pata: Regjenca pa kuptim e Bardhit dhe Tabakut në krye të PD

Ylli Pata: Regjenca pa kuptim e Bardhit dhe Tabakut në krye të PD

Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi

Nxitimi i Gaz Bardhit për të komanduar lidershipin e komanduar të Partisë Demokratike pas largimit të Lulzim Bashës, nuk ka asnjë kuptim politik. Përveçse për të sistemuar vetë Bardhin e Jorida Tabakun, që kanë mbetur në një udhëheqje që prej kohësh nuk eksizton më, lidershipi i vjetër nuk ka asnjë kartë përfaqësimi të demokratëve.

Pas zgjedhjeve të 6 marsit 2022, shpërtheu një histeri nga një grup drejtuesish të PD-së kundër Lulzim Bashës, duke u mbështetur tek një argument apo qëndrim, i cili nuk kishte fundament.

Sipas atij grupi që pjesën më të zhurmshme pati Grida Dumën e Ervin Saljanjin, Lulzim Basha duhej të largohej për arsye se ikja e tij do të ndihmojë bashkimin e demokratëve që u ndanë pas shpalljes Non Grata të Sali Berishës, e sidomos pas daljes së foltores.

Foltorja e Berishës, ka qenë që në momentin e parë që ka dalë një grup politik që kërkonte të merrte pushtetin në PD, por asnjëherë nuk guxoi të vepronte brenda suazave staturore e rregullave të partisë më të madhe të opozitës. Siç ka ndodhur gjithmonë me Sali Berishën, ai rregullat i konsideron si instrumente të synimeve të tij, pra një llastik që hapen e mbyllen sipas midesë, e jo kufij ku nuk mund të kalohen.

Të gjitha hapat organizativ që ka bërë Foltorja e Berishës kanë qenë devijim, shkelje e kapërcim të rregullave dhe institucioneve të PD-së. Nga fillimi e në fund. Duke u arritur deri aty, sa më 6 mars 2022, Foltorja, pra Berisha me pasuesit, vendosën që nën një sigël elektorale me emrin e Monika Kryemadhit, të dilnin kundër PD-së në zgjedhje.

Në çdo parti a subjekt politik botëror, kjo nuk quhet gjë tjetër veçse një rrugë e re politike, e nuk ka lidhje me një fraksion apo grupim korrentesh brenda partisë. Në çdo parti normale, ai që del në zgjedhje, pra kandidon kundër forcës politike që i ka takuar, konsiderohet automatikisht i larguar nga ajo pari. E është krejt e qartë, pa pasur nevojë edhe për vendime shtesë.

Megjithatë, drejtuesit e PD-së, pas 6 marsit i kërkuan Lulzim Bashës të bëjë një hap pas, duke e konsideruar një shkak që pengon bashkimin e demokratëve. Siç dihet Basha iku, por bashkimi i demokratëve nuk ndodhi. Sepse Sali Berisha, donte thjesht të merrte drejtimin e PD-së, ku mënjanoi mjaft aspirant që i kishte pëlqyer foltorja si trampolinë. Evi Kokalari është vetëm njëra e më e njohura, pasi aty ka pasur shumë që janë zhgënjyer.

Gjithsesi, pas ikjes së Lulzim Bashës, dy ishin institucionet që u ruajtën në PD. Lidershipi i komanduar dhe ai i grupit parlamentar, që përfaqësoheshin nga Enkelejd Alibeaj dhe kolegji i kryetarëve, që përbënin dhe strukturën më solide në territor.

Tashmë është e qartë se një grup i madh deputetësh e ka humbur lidhjen me territorin dhe kanë tentuar që të lëvizin në lobe pushteti për të siguruar rikandidimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme. E kështu nisi një lëvizje fluide e parlamentarëve të PD-së herë me foltoren, herë me PD zyrtare, ç’ka krijoi një kaos për një kohë të gjatë. Por zgjedhjet e 14 majit, e ndanë me thikë situatën.

Kryetarët e PD-së, së bashku me pak vetë në kryesi, kërkuan që partia të përfaqësohej në zgjedhje me kandidatë në të gjitha bashkitë. Kjo nuk u pranua, pasi pjesa më e madhe e kryesisë, ku Gazmend Bardhi e Jorida Tabaku ishin zëdhënës, kërkuan që PD të përkrahte kandidatët e foltores. E më 14 maj, version i Gaz Bardhit e Jorida Tabakut humbi ndjeshëm. Kryetarët e degëve të PD-së, bashkë me bërthamën që kërkonin kandidimin arritën të siguronin më shumë se 100 mijë vota mbijetese për PD-në.

Bardhi nuk ka kuptim që pas kësaj humbjeje politike të opsionit të tij të drejtojë apo edhe të jetë regjencë e një partie, ku nuk e do asnjëri. Ndërkaq, edhe në grupin parlamentar, mund të vendoset si përfaqësues një deputet me autoritet të lartë intelektual, i cili së paku nuk është përfshirë në dy grupet. E dy nga këta janë ose Agron Gjekmarkaj ose Flutura Açka. 

Ose të zgjidhet nga kolegji i kryetarëve që tashmë është forumi politik që arriti të mos e shuajë PD-në në zgjedhjet që u rrezikua nga ithtarët e një bashkimi fals, që realisht përbën një nënshtrim ndaj Sali Berishës.

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon