Ylli Pata: Sinjalet e koduara që erdhën nga zhurma që u bë për SPAK

Ylli Pata: Sinjalet e koduara që erdhën nga zhurma që u bë për SPAK

Yuri Kim

Në opinionin publik, e gjithë “zhurma” që shoqëroi zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, u komentua kryesisht si një garë ndërmjet SHBA dhe Edi Ramës për emra preferencial. Ky përfundim nuk se vinte nga ndonjë fakt konkret apo deklaratë e posaçme nga ana e ambasadores Yuri Kim apo shefit të mazhorancës, Edi Rama, por njerëzit që e sollën, thirreshin në “burimet” e tyre, që tashmë na kanë mbirë në bark për vite e vite.

Megjithatë, ndoshta edhe ka qenë kështu, por realisht, e gjithë zhurma që shoqëroi eventin “elektoral” në Prokurorinë e posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kishte më shumë zhvillime se kaq, kishte më shumë sinjale, madje të forta, që kanë nevojë për tu analizuar. SPAK është institucioni më “trendy” i shtetit shqiptar së fundmi, por ngritja e tij ka qenë një rrugë e mundimshme, e me pengesa që prej vitit 2016 kur u miratua reforma në drejtësi.

Kush e ka ndjekur që në fillim këtë odise të vështirë, shikon edhe 3 vjet më parë, sinjale amerikane që afroheshin tek një simpati ndaj Altin Dumanit që u zgjodh dje kreu i SPAK. Por natyrisht fitoi dikush tjetër. Kjo “simpati” nëse mund të quhet, ka edhe shkaqet e saj, e u pa që në vettingun e tij. Pasi ishte nga të paktët subjekte që  nuk kishte probleme me justifikimin e pasurisë ngaqë bënte një jetë modesete.

E ky lloj modeli, normalisht që mund të ketë simpatinë jo vetëm të ndërkombëtare, por edhe të publikut shqiptar. Pasi në logjikë, një nëpunës shteti që nuk e ka problem që të jetojë normalisht me rrogën e shtetit, është fiks metafora që njerëzit kanë në kokë kundër modelit të zyrtarit që zhytet në luks, e kërcet me perceptimin popullor.

Por përveçkëtij aspekti, Dumani, nuk kishte edhe një tjetër avantazh, ngase ishte një nga “djemtë e fermës” që mund të quhen pararendësja e SPAK-ut në Shqipëri. Ishte viti 2015, kur një grup prokurorësh të trajnuar në SHBA për luftën ndaj korrupsionit, erdhën të formonin në Shqipëri “Task forcen” kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme. Asnjëri prej tyre nuk mori dekret nga Presidenti i atëhershëm Nishani, e natyrisht emërim nga Prokurori i Përgjithshëm i kohës Adriatik Llalla. i cili e shpërndau task forcën si zogjtë e korbit.

Ndërkaq, mund të ketë vlejtur edhe eksperienca proactive e kreut aktual të SPAK gjatë dosjeve që ka ndjekur në detyrën e prokurorit ndër vite. Një prokuror, më shumë se masat e arrestit, apo procedurën e sigurisë për një person nën hetim, aftësinë e ka në dosjen hetimore. Ajo është baza, faktet dhe provat që arrin të fusë në çështje, tregon jo thjesht përgatitjen juridike, por kurajon për të ndëshkuar një subjekt që ka abuzuar.

Dy prokurorët tashmë legjendarë, Giovani Falcone e Paolo Borselino, nuk kanë qenë partizanë të arrestimeve të forta, por ishin simpatizantë të dosjes së qepur mbi çështjen që hetonin. Falcone e Borselino, kanë një report mbi 10 vjeçar në vendosmërinë e tyre për të hetuar krerët e mafies siçiliane, trafiqet e tyre, paratë që investonin, lidhjet politike në territora apo edhe korruptimin e shoqërisë, medias, njerëzve të kulturës dhe artit nga kultura mafioze.

Por ata vepruan fort, pra hapën të famshmin maksiproces kundër Cosa Notra-s siçiliane, vetëm në momentin kur në letra kishin qepur paratë në bankat e Zvicrës, e arritën të siguronin, falë edhe bashkëpunimit me FBI e prokurorinë e New Yorkut, dëshmitarin xhevahir: Tomasso Buscietta.

Që të kthehemi në temë: nuk është e re apo më mirë të thuhet nuk ishte e re, një lloj preference amerikane por edhe europiane ndaj Dumanit edhe në raundin e parë të zgjedhjes së kreut të SPAK, kur u zgjodh Arben Kraja.

E kjo është e ditur, por jo e dokumentuar, pra e vulosur siçthonë sot profanët me “burime të besueshme”. Pasi çdo prokuror i SPAK është një autritet ligjor që ka kaluar filtrin e vettingut por edhe të votimit në KLP. Çdo prokuror i SPAK është zyrtar që kontrollohet 24 orë në ditë sipas protokollit ligjor, e kalon prova të përditshme për pastërtinë. Çdo prokuror i SPAK, ka fuqi të njëjtë ligjore si edhe kreu i këtij institucioni, i cili është në thelb një prokuror i Prokurorisë së Posaçme.

Sot në SPAK, ka prokurorë që kanë firmosur arrestime, përgjime, ndalime edhe sekuestrime ndaj përbindshave të narkotrafikut, që kanë miliona euro, por edhe kanë krye vrasje pa fund. E kanë dhënë prova “heroizmi” pa protagonizëm edhe shumë më të mëdha. DIA që është FBI-ja italiane, ka bërë të ditur mëse njëherë që SPAK është partnere e besuar e saj, pasi i ka trajtuar me respekt e korrektësi hetimet që antimafia italiane kanë kryer mbi narkotrafikantët shqiptarë.

Krahu i SPAK që është marrë me trafikun e rëndë të narkotrafikut, e ka kaluar provën e besueshmërisë. Sot prokurorët e SPAK janë më të besueshëm se shumë zyrtarë shqiptarë për shembull nga strukturat italiane të antikrimit, ato holandeze, gjerman etj.

Pra në thelb, SHBA nuk ka dhënë një mesazh për të rrëzuar njërin e ngritur tjetrin, e këtu pa grimasa, por për të dhënë një model. Që duket qartë se ishte kreu aktual Altin Dumani.

Kjo është e vulosur. Tani të vijmë tek sinjalet politikë të kësaj zhurme, që nuk kanë pak. Ambasadorja amerikane në më shumë se njëherë përmendi realisht “nyjën gordiane” të asaj që njerëzit perceptojnë për SPAK, apo edhe në përgjithësi për elitën apo kastën 30 vjeçare të tranzicionit.

“Ti jepet fund pandëshkueshmëria”. Kjo aksiomë ka qenë që në fillim të reformës prioritet, por tani, pasi kaloi faza e konstituimit apo kolaudimit së SPAK, tani duhet të veprojë, e këtu kreu i ri është në sprovë të madhe.

Pandëshkueshmëria, është në radhë të parë aktivizimi i një politike hetimore që nuk lë pa lagur ata që e kanë bërë baltë, që kanë abuzuar, jetojnë në luks të shfrenuar, kanë pasur hetime ndaj tyre, por i kanë penguar. Qoftë me vendime politike, logjore apo ekstraligjore.

Pra në thelb, të hetohen ata që i kanë shpëtuar drejtësisë, duke e penguar atë, ndërkaq është krejt e natyrishme, e lejueshme, e madje dhe e mundshme hetimi i abuzimit të epokës së pandëshkueshmërisë.

Sot, drejtësia e re, e ka më të lehtë që të hetojë një njeri që ka pushtet, sesa një pjesë e të “Pandëshkueshmëve”, pavarësisht se edhe hetimi i njerëzve me pushtet është i vështirë.

Ndërkaq, sinjali tjetër politik që erdhi nga zhurma e SPAk ishte natyrisht një konfigurim i ri politik në lidhje me antikorrupsionin. Kundër SPAK, sot është vetëm Sali Berisha, Ilir Meta dhe grupi rreth tyre, që mund të përkufizohen me metaforën që Ylli Manjani, një mbështetës i Foltores tha të enjten të Fevziu në lidhje me amerikanët dhe SPAK. “Aleate Leshi”, tha Manjani duke replikuar me gazetaren Fatjona Mejdini, pasi për ta leshi është thjeshtë e vetëm një fakt, se një SPAK apo SHBA mund të hetojnë dhe ndëshkojnë referimin e tyre politik.

Ndërkaq, mazhoranca, edhe pse mjaft herë brenda saj ka pasur e do të ketë korrente për ta vonuar e rellativizuar reformën në drejtësi, politikisht në fund reforma është kryer nga kjo mazhorancë. Përveç PS-së, edhe PD-ja zyrtare dhe korrentet e tjera në opozitë nuk e kontestojnë reformën në drejtësi. Thjesht ata nuk e duan të jetë pro mazhorancës por e paanshme. Në 2016-n nuk ka qenë kështu, pasu u tentua të krijohet një ndarje pro dhe kundër reformës, e për të u krijuan rrëmuja edhe “parti referendumesh”. Por që kurrë nuk e çuan në referendum. Le ta bëjnë sot, mundësitë i kanë, madje të votohet një ditë me zgjedhjet lokale…

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia