Ylli Pata: Sulmoi edhe ambasadorin britanik si i korruptuar, ku po shkon Sali Berisha!

Ylli Pata: Sulmoi edhe ambasadorin britanik si i korruptuar, ku po shkon Sali Berisha!

Sali Berisha

Për çdo individ të logjikshëm, sulmet, akuzat, “argumentet” që Sali Berisha lëshoi ndaj SHBA dhe qeverisë së saj pas shpalljes non grata të tij, ishin thjesht pjesë e mllefit dhe inatit personal, pa një pikëtakimi në ndonjë molekulë të realitetit.

Megjithatë, një pjesë e militantëve të Partisë Demokratike, një vit më parë, të shokuar nga vendimi i fortë i qeverisë amerikane, shikonin rreth e rrotull teori, shtigje, që në fakt ishin më shumë sebepe për tu kapur, e për të mos e pranuar atë realitet të qartë e me vulë të thatë.

Bëhej fjalë për një vendim i qeverisë së SHBA, i cili nuk e ka as vuqinë e një udhëzimi dikasteri tek ne, që ndryshohet pas 24 orësh, apo një qëndrim politik i një kancelarie politike.

Plus, që sanksionimi i politikanëve të lartë me “dekoratën” non grata deri më sot ka arritur një numër që ka kaluar qindrat në të gjithë kontinentin. Që nga Amerika Latine, në Azi, por edhe në zemër të Europës.

Madje janë ndëshkuar edhe zyrtarë dhe personazhe të rëndësishme të shteteve anëtare të Bashkimit Europian; si Rumania dhe Bullgaria. E pas këtij sanksionimi, nuk pa pasur asnjë reagim nga Brukseli zyrtar, përveç miratimit të qartë dhe reflektimit thuajse në një linjë me SHBA-në.

Qeveria Amerikane, pak vite më parë ndëshkoi me Non Grata Liviu Dragnea-an, ish-kryetarin e Parlamentit të Rumanisë, me akuzën se kishte penguar drejtësinë, duke shkarkuar Prokuroren Speciale kundër korrupsionit: Laura Kodruta Kovesi. Institucion që është homolog me SPAK-un tonë. Madje zonja Kovesi ka trajnuar vite më parë prokurorët shqiptarë përpara se të ngrihet Prokuroria Speciale kundër Krimit e Korrupsionit.

E pasi SHBA ndëshkoi politikanin që shkarkoi prokuroren Kovesi, Bashkimi Europian e emëroi atë Kryeprokurore e të gjithë Europës për luftën ndaj korrupsionit.

Sinjal krejt i qartë, se nuk kemi të bëjmë me një linjë politike të një individi apo korrenti politik në SHBA, por me një aksion që është pjesë strategjike në lidhje me vendet si Shqipëria që janë demokraci të brishta. Plus, që ky aksion nuk nisi me ardhjen në pushtet të Presidentit Joe Biden, por që në mandatin e Donald Trump. Kur u shpallën Non grata Adriatik Llalla, Vangjus Dako e Tom Doshi, si dhe Sali berishës i ndaluan vizën për SHBA.

Me fjalë të tjera, të nxitur edhe nga bombardimi mediatik i mbështetësve të Berishës, mjaft prej njerëzve të opozitën patën vështirësi të gëlltisin atë ndëshkim të rëndë nga SHBA.

Por me kalimin e kohës, kur koha nisi të vendosë gjërat në vendin e vet, thuajse të gjithë njerëzit që nuk kanë një lidhje të afërt apo klienteliste me Sali Berishën, e kanë kuptuar dhe asimiluar ndëshkimin nga SHBA, si një akt, ku në radhë të parë duhet të marrë një qëndrim opozita.

Megjithatë, për një kohë, mjedisi mbështetës i Berishës, bombardoi ambasadoren amerikane në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të SHBA, duke krijuar edhe një fabul se ka një bërthamë anti-Berisha në SHBA. Më vonë, u pa e qartë se asnjë pjesë e politikës apo mjedisit amerikan nuk kontestoi apo diskutoi vendimin e qeverisë së SHBA.

Një vit pas Amerikës, erdhi edhe ndëshkimi i dytë i foertë për Berishën, nga një vend gjithashtu i madh, i rëndësishëm, fuqi botërore, pasi është edhe një nga shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bëhet fjalë për Britaninë e Madhe, e cila, shkoi përtej arsyeve të SHBA, duke e lidhur Berishën si një politikan që ka mbështetur dhe është në lidhje me segmente të frikshme të krimit të organizuar në Britani, e vende të tjera.

Berisha nuk e pranoi sërish këtë ndëshkim, ç’ka logjikisht edhe kuptohet. Asnjëherë një i akuzuar rëndë nuk e ka pranuar fajin apo dyshimin për fajin që i kanë vënë. Por e rëndësishme është sjellja e tij në mjedis apo shoqëri.

Sali Berisha, mbrëmë akuzoi edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për korrupsion, kur dihet që diplomati aktual është i sapoemëruar, e dosja në Londër mund të jetë përgatitur prej kohësh. Një kancelari kaq klasike e antike si Home Office e Mbretërisë së Bashkuar, konsiderohet si një nga institucionet më perfekte dhe rezultative në botë.

Nëse Sali Berisha, do të ishte në pozitën e tij të tërhequr nga politika, e do të mbronte veten duke akuzuar zyrtarët e qeveritë e dy shteteve më të rëndësishme të Perëndimit si SHBA e Britania e Madhe, kjo do të konsiderohej një qëndrim personal i një ish-zyrtari të mërzitur e mllefosur.

Por kur këto akuza hidhen nga një politikan aktiv, që jo vetëm se është deputet, por që pretendon të qeverisë një shtet anëtar të NATO-s, pra të Perëndimit, atëhere kemi të bëjmë me një pozicion të qartë politik.

Që nuk ka dyshim se është një pozicion politik antiperëndimor. Nëse shikon akuzat e Vladimir Putinit që bën si në daljet e tij në publik, ashtu edhe të propagandës së tij, ata akuzojnë Perëndimin si një organizëm i korruptuar dhe i kalbur. Njëjtë siç në Luftën e Ftohtë, Shqipëria Komuniste, apo edhe vendet që ishin në krah të Bashkimit Sovjetik thonin për Uashingtonin e Londrën.

Shto këtu edhe nxitjen e një aksioni në rrjetet sociale për të akuzuar e sharë pa fre zyrtarët e SHBA, Britanisë e BE-së në rrjete sociale e televizione, atëherë kjo nuk është aspak një mendim apo kundërmendim, por përbën qëndrim politik krejt të qartë anti-perëendimor. i cili sipas të gjitha gjasave po synon që në vijim të krijojë një bërthamë politike antipod me politikat amerikane, britanike dhe europiane në Shqipëri.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjergj: 14/10/2022 22:33

    Departamenti i shtetit dhe ministria e jashtme e Mbretèrisè sè Bashkuar, kanè fakte mjaftueshèm pèr tè marrè njè vendim karshi njè plehre lèpirèse tè varkave tè Volorekès. Po ky SPAK a ka ndonjè prokuror tè gjallè apo janè tè zènè me pastrimin e potureve?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rey Manaj 'në modë', pas Bundesligës kërkohet edhe nga rivalët turq

Rey Manaj 'në modë', pas Bundesligës kërkohet edhe nga rivalët turq