/ATSH/- Kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli deklaroi sot se gjatë dy javëve të fundit ka pasur një katërfishim të subjekteve që po sigurojnë punonjësit e tyre.
Gjatë inspektimit në një sipërmarrjeje private në Berat, Ylli tha se "në kuadër të operacionit kundër informalitetit kemi dalë në terren për të monitoruar punën. Kërkojmë që inspektorët tanë të jenë korrektë, të komunikueshëm, të bëjnë atë çfarë përmban ligji, në mënyrë që gjithçka ta shkojë në favor të biznesit".
Kreu i Inspektoriatit nënvizoi se, përmes këtyre aksioneve synohet rritja e ndërgjegjes së vetë subjekteve private për të qenë korrekt me ligjin duke siguruar punonjësit.
"Gjatë këtyre dy javëve kemi një rritje me katërfish të subjekteve që vetë po sigurojnë punonjësit. Pra, vetë biznesi po ndërgjegjësohet. Nga ana tjetër kërkohet që edhe vetë punonjësit të mos punojnë pa u siguruar", theksoi Kreu i Inspektoriatit të Punësi.