Një operacion policor është zhvilluar këtë të martë, për arrestimin e Ylli Zallës në Fushë-Krujë, por i shpalluri në kërkim për posedimin e një arsenali armësh ka arritur që t’i shpëtojë efektivëve.

Sipas informacioneve Policia kishte zbuluar vendndodhjen e tij në Zallë të Fushë-Krujës, por nuk ka mundur që ta vërë në pranga.

Kush është Ylli Zalla?

Ylli Zalla, 49 vjeç, është një person me precedentë të mëparshëm dhe emri i tij është i lakuar edhe në ngjarje kriminale. Më 20 shkurt të këtij viti, policia zbuloi një arsenal armësh në fshatin Zall që dyshohet se i përkisnin 49-vjeçarit.

Ai rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua një tjetër arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe miku u tij, Muçi Shaljani.

Atij iu gjetën në banesë 3 kallëpë tritoli, 12 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë, 3 ndezës granatash, kapsolla detonatorë me 5 celularë, 2 automatikë, 2 pushkë, 8 krehra, pjesë armësh, 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 2 kg e 25 gramë kanabis sativa. Fillimisht u dyshua se autorët e atentatit në Rinas mund t'i kishin siguruar armët në këtë banesë, por ekspertiza e përjashtoi këtë pistë.

12 vjet më parë Zalla është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.

__________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë