Nëse ke bindjen se militantët politikë nuk janë dukuri tipike komuniste, bolshevike, staliniste, marksiste leniniste, por demokratike, të ka zënë kapsllëk vdekjeprurës teorik dhe praktik. Nuk ndreqet me llafe dhe këshilla ky kapsllëk. Vetëm me shkulje të hallateve dhe nxjerrje të syve me pirun.
Një kapsllëk goxha i përhapur është kapsllëku kur të duket se seriozitetin e pamjes së jashtëme nuk e ke të mjaftueshëm. Ky kapsllëk shërohet kollaj. Mbaj kravatë. Dhe çlirohesh. Nuk vuan më. Merimangat te brima e bythës do të paksohen. E di dhe vet që je kaps nga mendja, domethënë hajvan. Por duke parë që inferiorët rretherrotull kanë arritur majat, thua me vete; I kam të gjitha që kanë të tjerët, shkollën, kulturën, inteligjencën, imagjinatën. Pse ofiqet e larta i mbajnë dhe lavdinë e gëzojnë ata që nuk i meritojnë ? Kapsllëku kreativ në fjalë shërohet në këtë mënyrë; Mahniti budallenjtë duke thënë kudo dhe pa u ndalur çfardolloj idiotllëku që të vjen në mendje.
Gjithmonë gjinden budallenj ta ndjekin dhe ta ngrenë në qiell më budallain mes tyre për ti falur Lavdinë e munguar padrejtësisht. Ose vërsulju shaj e mallko si të vijë doresh më të mëdhenjtë e Historisë së Kombit. Ata para të cilëve je më i vogël se një kokrrizë rëre. Hodhitë e kudondodhura të budallenjve nuk do vënë aspak në dyshim superioritetin tënd ndaj tyre, përkundrazi, do thonë; "Kollosët ndeshen me kollosët". Dhe ja ku u ndreq. Bytha u lirua. Kapsllëku u shërua. Një tjetër lloj kapsllëku, është ai i injorantit që duke mos pasur haber nga gjuhët dhe qytetërimi perëndimor, apeninik, iberik, anglosakson, hidhet në lindje, bëhet mbrojtës i zjarrtë i gjoja qytetërimeve dhe gjuhëve lindore, turke, arabike. Kjo simptomë kapslliku intelektual duket e pashërueshëm por e ka një ilaç. Përplase kokën pas murit nja njëzet herë derisa ta bësh cop e çikë dhe të çlirohesh nga ky kapsllëk.
Nuk je, por për shkak të kapsllëkut cerebral, mbahesh për artist i talentuar, ta zemë piktor. Bam e bum nëpër fejsbuka dhe instagrama, meazallah, suksesi futet në çdo skutë, vetëm tek ty nuk vjen. Nuk të njeh askush. Çdo dit e më tepër kapsllëk artistik. Mos u ngut. Në vendin e shqipeve kapsllëku artistik nuk është nga më të vështirët për tu luftuar. Hap një ekspozitë me ca shgarravina të përsëritura ose ca njolla me ngjyra si demek art modern. Vër ca zagarë, mes tyre dhe ndonjë zgërbo të huaj të bëjnë ca komplimenta të pështira, dhe ja ku kapsllëkun e zhduke dhe piktor me famë botërore u bëre.
Nga kapsllëku artistik mund të vuash edhe kur e di dhe vetë se shkrimtar nuk je, por nga brenda gjoksit të buçet një zë që të ulurin se je. Ke provuar të tëra mënyrat, truket, marifetet, me libra bosh nga brenda dhe zhurmë nga jashtë, promuovime me ujë të gazuar dhe kikirika dhe komplimentuesa hipokritë, por kapsllëku bashkë me krruajtjet respektive, nuk largohet as nuk paksohet për qamet, vetëm shtohet. Mburru sa të duash se ke kaq romane, aq tituj të përkthyer e botuar në kaq e aq gjuhë të botës, dhe të tjera rrena. Ky lloj kapsllëku, nuk ka shërim. Do vuash derisa të kalbesh.
Nëse ke qënë spiun është e natyrshme të ndjehesh kaps. S'ka kapsllëk më të bezdisshëm se spiunllëku dhe hemorroidet e tij. Pisk e ke. Megjithatë e ka një ilaç simptomatik. Në dijeni dhe aleancë me ca spiuna si vetja, vëru syrin disave që me spiunllëkun s'kanë pasur asnjë lidhje. Një fjalë këtu, një kunj atje. Hidh dyshime mbi ta. Në të gjitha mënyrat. Bëj xheste mosbesimi ndaj tyre. Për shembull rrudh turirin ose kafsho buzën kur bie fjala për ta. Ose, në mënyrë që ta shohin të gjithë, tregohu i ftohtë kur përshëndetesh në vende publike ose kafene, ku kurrë nuk duhet ti ftosh në tavolinë. Nuk mund të paksohet ndryshe kapsllëku i spiunllëkut. Se për ta zhdukur nuk e zhduk dot edhe botën ta përmbysësh.
Të ka zënë kapslliku i frikacakut që mbahet për trim, i të mos pasurit asnjë vlerë njerëzore, i të qënit i padobishëm, shoqëruar me dallkaukllëkun, mburravecllëkun, edepsizllëkun, domethënë i atyre taksirateve që përbëjnë kapsllëkun patriotik ? S'ka kapsllëk më të mënxyrshëm. Je për të qarë hallin. Që të mos mbetesh si qen rrugësh, merr masa të menjëhershme. Sajo disa pseudonime bombastike për në rrjetat sociale. Për shembull "shqipja dy krenare" ose "antokomunisti i papërkulur" ose "shpëtimtari i atdheut", apo të tjera turpe e tmerre të tilla. Rrethoju me flamura kuq e zi. Bëj shkabën me gishta. Vrit e prit në erë si Don Kishoti me retorikë socrealiste nga ajo më e neveritëshmja.
Cilëso spiun, tradhëtar, shqipfolës, cilindo atdhetar të ndershëm me emër e mbiemër që të del përpara. Ti fshehtas me dëngla, ata me emër e mbiemër dhe me arsyetime, kapsllëku patriotik, si i pa shërueshëm, është mënyra më efikase për ti hapur vetes namin e bastardit. Me një kollajllëk sikur po flet për futbollin, flet e bërtet për shtetet, kombet, vendet, gjeopolitikën, merr nëpër gojë personalitete të shquar dhe të nderuar nga e gjithë bota. Gjynah prej Zotit ta lësh të vejë dëm tërë këtë erudicion, të mos i zbrazësh diku ti dëgjojë populli këto njohuri që i ke mbledhur me aq mundim nëpër gazeta, banaqe, muhabete. Për fat, ky kapsllëk ka ilaç të kollajtë dhe të sigurtë. Merr në telefon ndonjë televizor në mëngjez.
Me ton sikur po mban fjalim, mos lër kalbësirë cerebrale pa zbrazur. Nga mesi i fjalimit futi një kushtrim popullit shqiptar për syçelësi. Në fund bëj një thirrje ambasadorëve akredituar në Tiranë, si dhe udhëheqësve më të rëndësishëm të botës për më tepër kujdes ndaj shqipërisë që po rrënohet dhe shqiptarëve që s'kanë të hanë as bukë thatë, përndryshe mallikim i Zotit rëntë mbi ata pushtuesa, kolonizatorë, hajdutë, të korruptuar, njerëz të pervertuar, etj. etj. Lirimi që do ndjesh nga zhdukja e befasishme e kapsllëkut pas telefonatës dhe kushtrimit do jetë një ndjesi lehtësimi që ja kalon asaj të seksit. Ka dhe kapsllëqe të tjera. Por po e lemë me kaq. Se po fole gjatë për kapsllëqet, nisin krruajtjet.
Komento