Ypi: Kataklizma

Ypi: Kataklizma

Edison Ypi

Pas tërmetit kataklizmik që pas pak pritet të ndodhi në Ballkan, Serbia me gjithë serbët do fundoset e tëra. Thuhet se do udhëtojnë disa vite nën tokë derisa të dalin në sipërfaqe në Rusi, në Siberi, në Kamçatkë, dhe të ngulen përgjithmonë atje. Por çfarë do ndodhi saktësisht me ata të mjerë, një Zot e di. Me të vetmin kusht që të mbillet me grurë dhe të mos vjedhi asnjë kokërr mafja marksiste leniniste e UÇK-së, fusha e mbetur nga fundosja e Serbisë do njihet ndërkombëtarisht si Kosovë.

Shqipëria, gjysma e Montenegros, Serbia e fundosur, Kosova, Maqedonia perëndimore, Çamëria, do rrethohen nga një humnerë e thellë e pakalueshme shkaktuar nga Kataklizma. Kjo sipërfaqe në formën e një kështjelle të stërmadhe, do jetë shteti me mbi 10 milionë shqiptarë që tash e tutje e deri në amshim do quhet Dardania.
Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Rumania, Sllovenia, edhe ato do preken nga kataklizma, por pak, sa do tu rrafshohen kryeqytetet, dhe aq. Greqia do shkërrmoqet e tëra në ishuj të vegjël. Pas Kataklizmës, mes Greqisë e Turqisë do fillojnë konflikte të shumta për pronësinë e ishujve dhe ujrave që mund të shkaktojnë luftra rajonale ose dhe globale.

Pas Kataklizmës së tërmetit, lumenjtë e Shqipërisë që do fillojnë të rrjedhin në të kundërt, ujin e Jonit dhe Adriatikut do ta marrin do ta hedhin në Detin e Zi. Askush nga kopilat e gjyshit tim nuk e di si do ndryshojë klima e Luginës së Vjosës nga uji i kripur që do rrjedhi në sens të kundërt. Sipërfaqja e mbetur nga zbrazja e dy detrave do mbillet me hashash medicinal dhe do shpallet protektorat ndërkombëtar. Protektorati në fjalë nga Venecia në Korfuz do ketë në krye një guvernator të përhershëm kolonjar me nënë çame dhe grua përmetare.U pëlqen a s'u pëlqen popullatave lokale, Kataklizma s'të pyet, Thethi me Malin e Dajtit dhe Korabi me Gramozin do ndërrojnë vendet.
Liqerin e Pogradecit me gjithçka ka rretheqark Kataklizma do ta çvendosë të tërin në Kosovë. Me këtë rast, liqenin që ja solli Kataklizma, kosovarët do ta shfrytëzojnë për peshk koran dhe për plazh.

Duke bërë plazh rreth Liqerit të Poradecit diku mes Mitrovicës dhe Pejës, pra duke kufizuar vajtjet në jug të Shqipërisë, do evitohet edhe rreziku që për hir të plazhit dhe Pavarësisë të gjitha çikat e Kosovës të quhen "Vlora". Ndërkohë, gropa e mbetur bosh në Pogradec nga arratisja e liqerit në Kosovë, do mbushet me të ngrëna e të pira që do dalin nga nëntoka si, mish, pilaf, kos, pastërma, raki etj. Poradecarë, mokrarë, starovarë, gorarë, oparakë, etj, do mërziten pak për shkak të ikjes së beftë të Liqerit të dashur, ama shqiptarët fukarenj që do vinë nga an e anës me lugë në brez, do tu vërsulen të ngrënave duke falenderuar Zotin që notin në gjol ua zëvendësoi me mbushjen e barkut.

Labëria do ndohet më tresh nga hone të thella të pakalueshme me gjarpërinj. Secilën nga tre llokmat e Labërisë do ta marri në patronazh për riedukim, njërën Përmeti, tjetrën Gjirokastra, të tretën Berati.
Karaburuni do bashkohet me Sazanin dhe Zvërnecin. "Gjiu i Vlorës" me ujë të kripur që do bëhet "Liqeri i Vlorës" me ujë të ëmbël, do jetë aq atraktiv sa do vinë nga fundi i botës për ta parë.

Nëpër kanionet e Osumit në Skrapar që pas Kataklizmës do thellohen dyfish, nuk do rrjedhi më ujë, por vetëm raki. Nuk do jetë ndonjë përparësi kushedi se çë ndaj krahinave të tjera. Se ndërkohë përrenjtë e Mokrës do rrjedhin gjalp të shkrirë, ata të Gramshit qumësht dhie, të Dumresë dhallë, të Dibrës komposto molle, të Shkodrës mjaltë blete. S'dihet pse disa përrenjtë e Matit do rrjedhin uthull dhe ata të Myzeqesë Whiskey.

Për shkak të ndryshimit të klimës, drejtimit të erërave, temperaturës së atmosferës dhe lagështirës së tokës si pasojë e thyerjes së relievit nga Kataklizma, tash e tutje duhet të merren disa masa preventive. Elbasanllinjtë duhet të mbajnë gjithmonë shami me vete se do tu rrjedhin vazhdimisht qurrat nga hundët. Pukjanët të jenë të përgatitur se do ti heqi barku natë e ditë. Shkodrianët të përgatiten ti rrëfejnë më bukur barcaletat. Tepelenjotët ta harrojnë se do vazhdojnë të punojnë të gjithë në Ministrinë e Brendëshme. Më me fat do jetë Korça. Pas Kataklizmës, të gjitha vajzat e Korçës do kenë arësye të plotë për të dalë nga shtëpia pa lejen e mamasë. Kjo sepse një ditë në vit nga qielli i Korçës do bjeri një shi që po të pish gjysëm filxhan kafeje nga uji i atij shiu, të ngrihet dhe të mbetet i ngrehur për tërë jetën, edhe pasi ke vdekur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat