Ta dëshmosh diktatorin është punë po aq serioze sa dhe të dëshmosh krimet e tij. Nuk e bëjnë dot nostalgjikët, as zagarët e kockave të portaleve dhe gazetave, dhe as ata që duke rrëfyer si i kanë matur sheqerin, pulsin, tensionin, më tepër janë kujdesur të publicizojnë veten. Libër për diktatorin mund ta shkruaj vetëm dikush që diktatorit i ka prekur mishin. Dikush që përmes asaj prekje, ja ka ditur sa të trashë e kishte lëkurën, ku e kishte depozituar dhjamin, sa të fortë e kishte kockën, në cilat skuta e kishte strukur dellin. Vetëm një njeri i tillë mund të shkruaj libër të vlefshëm për brezat e tashëm dhe të ardhëm, që gabimet dhe krimet e të kaluarës shkaktuar nga diktatori më i egër dhe më i fëlliqët i botës të mos përsëriten. E pamundur diktatori ynë të mos ketë pasur masazhator.
Duhet gjetur ai masazhator. Duhet lutur të shkruajë një libër mbi përvojat me vlerë të pallogaritëshme të prekjeve mbi mishin e diktatorit, shtypjeve, përdredhjeve, kërcitjeve, piskamave të frikës, ofshamave të kënaqësisë, britmave të qefit. Me jo më tepër se 100 faqe, jo më pak se 10 milionë ekzemplarë të shitur, përkthyer minimumi në 30 gjuhë, libri i masazhatorit të mishit të diktatorit do bëhet bestseller. Përveçse vetë masazhatori do ketë fitime kolosale që nuk i ka parë as në ëndërr, libri do ketë vlerë të paçmuar kombëtare dhe ndërkombëtare si dëshmi psiko-fiziologjike e dorës së parë mbi variacionet e shëndetit të diktatorit. Pas leximit dhe studimit me kujdesin më të madh të çdo fjale dhe tingulli të librit të masazhatorit, ekspertët më në zë të planetit nga mjeksia, neurologjia, psikiatria, psikanaliza, psikoterapia, fizioterapia, kinematika, robotika, fizika, kimia, biokimia, biologjia, pas një pune të gjatë e të mundimshme që mund të zgjasi edhe me vite, do dalin me rekomandime drejtuar qeverive të botës për parandalimin e diktatorëve dhe diktaturave. Librin e masazhatorit Hollivudi do ta bëjë film. Regjizor do jetë Peter Weir ose Giuseppe Tornatore. Rolin e diktatorit do ta luajë Geoffrey Rush.
Bota mbarë do ndali frymën kur ta lexojë në libër ose ta shohi në film si ofshante diktatori kur masazhatori i shtrëngonte muskujt e qafës apo si djersitej kur masazhatori me gishtin e mesit i ledhatonte diktatorit lulen e ballit mu aty ku diktatori meritonte një breshëri të tërë kalashnikovi nga ata që prodhonte Poliçani. Një kapitull nga më interesantët në librin e famshëm do jetë përshkrimi me imtësi i shetitjes së gishtit të madh të dorës së djathtë të masazhatorit mbi tabanin e këmbës së diktatorit vrasës sipas hartës refleksologjike të gjitha organeve, zemra, mushkria, mëlçia, tiroida, stomaku, sytë, veshët etj, pa harruar pankreasin problematik të diktatorit, atë që me aq zotësi e eksploroi Kalo Blloku dhe me aq pathos e interpretoi Isuf Diabeti.
Faqe me interes të veçantë në atë libër do jenë gjithashtu ato ku masazhatori do rrëfejë imtësisht për gulçet, fërgëllimet, rrënqethjet, gjatë prekjeve në zonat erogjene të trupit të diabetikut diabolik që pa ju dridhur qerpiku vrau mijëra shqiptarë dhe u nxiu jetët qindra mijërave të tjerë.
Disa nga çështjet e tjera të rëndësishme mbi të cilat do hedhi dritë libri i ardhshëm i masazhatorit të mishit të diktatorit do jenë; Në të thatë, apo me lubrifikant, vaj ose vazelinë, e preferonte masazhin diktatori ? Me apo pa brekë kishte qef të masazhohej ? Në kurriz apo me bark shtrihej ? A gudulisej ? Nëse po, me çfarë lloj hingëllimash reagonte ? A lëshonte piskama qefi gjatë prekjeve ? A i kërciste dhëmbët gjatë shtypjeve. A bërtiste gjatë shtrëngimeve ? A këndonte apo fërshëllente gjatë masazhit ? Nëse po, cilat këngë apo melodi ? Kur e kërkonte masazhin, para, gjatë, apo pas, plenumeve, kongreseve, dënimeve, vrasjeve, pushkatimeve ?
Dëshmia do ishte më e plotë dhe më e vlefshme nëse masazhatori i ka bërë masazh edhe gruas së diktatorit. Në këtë eventualitet masazhatori do duhet të qartësojë në librin e tij nëse kishte ose jo mes diktatorit dhe gruas së tij ndonjë xhelozi lidhur me cilësinë e masazhit, vendet e prekjeve dhe shtrëngimeve, apo me vetë masazhatorin.
Duke i shkriftuar muskujt, masazhatori i ka shtuar diktatorit fluksin e gjakut në rrëmba, pra e ka frymëzuar dhe fuqizuar për krime dhe vrasje të tjera. Për këtë shkak, me të drejtë masazhatorit mund ti duket vetja bashkpuntor në krim. Ashtu është. Por s'ka problem. Ky fakt s'ka pse ta dekurajojë masazhatorin për të shkruar librin. Në mos ky, një tjetër masazhator do bënte të njëjtat masazhe, të njëjtat krime. Zoti gjithmonë lë një rrugëdalje për mëkatarin. Në këtë rast ajo rrugëdalje do jetë rrëfimi i përpiktë dhe pa hile i masazheve kriminale në një libër. Nëse, me gjasa, kjo do ndodhi, libri jo vetëm do pasurojë autorin aq sa s'ja ka marrë mendja, por do jetë i vlefshëm për miliona njerëz të tjerë të tashëm e të ardhëm anekënd botës.
Libri nga masazhatori që diktatorit shqiptar i ka prekur mishin, do ti japë njerëzimit dëshmi të paçmuara për të dalë në përfundime me vlerë të pallogaritëshme për tu mbrojtur nga dinosaurët e pushtetit të pakufizuar.
Përveç librit të shkruar nga masazhatori, nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë të ditur perversitetin e diktatorit tonë sa kohë nuk na ndihmon dot ai që duke e pasur diktatorin dashnore, jo vetëm i prekte mishin, por edhe i hynte brenda, Dem Xhepa. Të gjindet me çdo kusht ku ndodhet masazhatori. Edhe prapa Diellit po të ketë vajtur. Të peshohet me flori për të shkruar librin e mahnitshëm të prekjeve dhe piskamave që do marri Çmimin Nobel.