Me mbylljen e mandatit në Tiranën zyrtare, ambasadorja amerikane Yuri Kim pritet të marrë një nga pozicionet më të rëndësishme në Departamentin e Shtetit, atë të zëvendës ndihmës sekretares për Çështjet Europiane.

Këtë detyrë diplomatja amerikane pritet ta marrë nga data 10 korrik, megjithëse njoftimi zyrtar ende nuk ka dalë.

Por përkohësisht, Kim do të ushtrojë edhe detyrën e ndihmës sekretares në këtë departament, deri në emërimin zyrtar atje, të ambasadorit Jim O’Brien.

O’Brien, shefi i ardhshëm departamentit të çështjeve Evropiane në DASH, aktualisht drejton departamentin që sanksionon individë që cenojnë politikat e sigurisë kombëtare amerikane në botë, siç është dhe rasti i Sali Berishës në Shqipëri.

Yuri Kim është në përfundim të mandatit si ambasadore në Tiranë dhe pritet të zëvendësohet nga David Kostelançik.

Në janar 2023 Presidenti amerikan Joe Biden emëroi David J. Kostelancik, dhe më 30 mars 2023 gjatë seancës së konfirmimit para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, ai parashtroi përparësitë e tij si ambasador në Shqipëri.