Ambasadorja amerikanë Yuri Kim në një postim në rrjetet sociale thekson se pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese janë shqyrtuar 100 çështje. Diplomatja amerikanë paralajmëron se çështje edhe më të vështira po vijnë. Kim nënvizon se SHBA do të jetë krah me Shqipërinë derisa sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht funksional.

‘Pas 3 vjet paralizimi, Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në Dhjetor 2020. Që atëherë, Gjykata ka shqyrtuar 100 çështje dhe ka lëshuar 25 vendime. Çështje edhe më të vështira po vijnë. Reforma në drejtësi është e vërtetë. SHBA do të jetë me Shqipërinë derisa sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht funksional.’- shkruan Yuri Kim.

Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese njoftoi se që prej janarit të këtij viti ka shqyrtuar 100 kërkesa; 25 prej tyre në seancë plenare, kurse për 75 është vendosur moskalimi në seancë plenare.

Ndër vendimet e moskalimit, 50 prej tyre janë dhënë nga kolegjet, ndërsa 25 janë dhënë nga Mbledhja e Gjyqtarëve. Në njoftim thuhej se GJK i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe zgjidhjes në një kohë sa më të shkurtër të mosmarrëveshjeve kushtetuese.