Zaloshnja: Është dyfishuar efikasiteti i karburantit apo… evazioni me të?

Zaloshnja: Është dyfishuar efikasiteti i karburantit apo… evazioni me të?

Foto ilustruese

Para dy muajsh, deputeti demokrat Dashnor Sula publikoi një tabelë me të dhëna mbi numrin e automjeteve të regjistruara dhe mbi sasitë e karburanteve të importuara në dekadën e fundit. Deklaroi atëherë deputeti Sula: “Si Deputet i Shqipërisë i kërkova informacion Drejtorisë së Transportit Rrugor të më vendoste në dispozicion numrin e automjeteve të regjistruara në Shqipëri nga viti 2011 e deri në vitin 2021. Ndërkohë, meqenëse naftën që nxjerr AlbPetroli e eksporton të gjithën jashtë për ta përpunuar, kërkova nga Drejtoria e Doganave të më vendoste në dispozicion sasinë e karburantit të importuar nga viti 2011 e deri në fund të vitit 2021.”

Nga të dhënat zyrtare që siguroi deputeti Sula, rezulton se mesatarisht një automjet aktiv më 2011 ka konsumuar rreth 1400 litra karburant në vit (570.4 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 410.6 mijë automjete aktive). Ndërsa më 2021 sasia e karburantit të konsumuar mesatarisht nga një automjet aktiv u përgjysmua – zbriti në rreth 700 litra karburant në vit (536.3 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 740.7 mijë automjete aktive).

Në qoftë se të dhënat zyrtare janë të sakta dhe nuk ka patur evazion fiskal në dogana, i bie që ose është dyfishuar efikasiteti i përdorimit të karburantit, ose janë përgjysmuar kilometrat e përshkuara  mesatarisht nga çdo automjet. Në fakt, të dyja këto hipoteza nuk qëndrojnë.

Së pari, është e vërtetë që përmirësimet në cilësinë e karburantit dhe në cilësinë e automjeteve sjellin rritje të efikasitetit në konsumin e karburantit. Por edhe vendet më të përparuara nuk kanë arritur të kenë rritje të efikasitetit më shumë se 10% përgjatë një dekade. Ndërsa ne e paskemi dyfishuar efikasitetin e përdorimit të karburantit brenda një dekade!!!

Së dyti, kilometrat e përshkuara mesatarisht nga një automjet aktiv nuk kanë si të jenë përgjysmuar në vitin 2021, krahasuar me vitin 2011. Gjatë kësaj dekade janë shtuar dhe përmirësuar ndjeshëm rrugët në mbarë Shqipërinë, e si rrjedhim janë shtuar ndjeshëm udhëtimet turistike brenda vendit si në verë edhe në dimër (numri i dhomave të hoteleve pothuaj është dyfishuar në gjithë vendin).

Vjet nuk ishte as vit karantine pandemie (si parvjet) e as vit inflacioni çmimesh karburanti (si sivjet). Dhe krahasuar me 2011-ën, vjet automjetet mund të kenë përshkuar mesatarisht më shumë kilometra, e jo t’i kenë përgjysmuar ato…

Analiza e mësipërme na çon tek shtegu më i mundshëm: evazioni fiskal në dogana. Për të furnizuar 740 mijë automjetet aktive të vjetshme nevojitej shumë më tepër karburant se sa ç’u zhdoganua zyrtarisht vjet. Se sa më tepër nuk mund të matet me saktësi, sepse duhen të dhëna të hollësishme mbi markat dhe vjetërsinë e automjeteve, si dhe mbi kilometrat e përshkuara nga to.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja