Policia e Tiranës ka zbardhur djegien e automjetit të një 26-vjeçareje dy ditë më parë në rrugën ‘Theodhori Bej’.

Si autor i dyshuar i djegies së automjetit është arrestuar një 28-vjeçar. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, për shkak të një konflikti të mëparshëm me një familjar të saj.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se materialet për ngjarjen iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fire Trail”.  Zbardhet djegia e qëllimshme e një automjeti, ndodhur dy ditë më parë.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 26-vjeçare, në orët e para të datës 06.03.2026 në rrugën “Theodhori Bej”, për motive të dobëta.

Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 02:00, të datës 06.03.2026, në rrugën “Theodhori Bej”, ishte djegur automjeti tip “Peugeot” në pronësi te shtetases M. T., 26 vjeçe, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Fire Trail”, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi L. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta, për shkak të një konflikt të mëparshëm me një familjar të saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime te mëtejshme.