Avokatët e Arben Ahmetajt nuk arritën të bindin PS e PD, të cilët vendosën t’i sugjerojnë Kuvendit t’i heqë imunitetin. Në mbrojtjen e tyre në mbledhjen me dyer të mbyllura, 2 avokatët e ish ministrit përdorin argument kryesor se kërkesa e SPAK nuk ka asnjë shkak të ligjshëm. Sipas mbrojtjes, SPAK ka hetuar jetën personale të Ahmetajt.
“Të favorizuar edhe nga pozita e tij politike vulnerabël, hetuesit i rikthehen nje metode të vjetër hetimi: nuk synohen faktet penale, po fillojnë dhe hetojnë personin! Provat që shoqërojnë kërkesën, demonstrojnë qartë se hetuesit kanë kaluar në sitë të gjithë jetën private dhe financiare të ish-ministrit. Historia e inceneratorëve ka filluar aty nga viti 2014. Ç’punë kanë hetuesit me kompanitë e tij “Hermes” dhe “H-Communications”, me biznesin e tij të filluar 15 vjet më parë, kur ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror, ç’punë kanë hetuesit me deklarimin e pasurisë së tij pas zgjedhjes deputet, të ciulat nuk kanë asnjë lidhje me faktin penal që ata pretendojnë se ka ndodhur?”- thuhet në deklaratën e avokatëve.
Në mbrojtje, dy avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori ndalen edhe te dakordësia që ka dhënë dikasteri i drejtuar nga Ahmetaj për inceneratorët.
‘Së pari, shprehja “parimisht dakord”, është një qëndrim politik i ministrit Ahmetaj: pra, në kuadrin e politikave qeverisëse të MZHETS, ministri nuk mund të shprehej kundër një projekti që synonte të menaxhonte mbetjet urbane dhe të prodhonte prej tyre energji në qytetin e Elbasanit. Së dyti, ministria që ai drejtonte nuk kishte asnjë detyrim për ndjekjen e procedurave, verifikimin e shoqërisë konçesionare apo aftësive të saj teknike. Së treti, kjo dakordësi në parim nuk prodhoi asnjë pasojë juridike, sepse për shkak të vërejtjeve të disa ministrive dhe enteve që ligji i ngarkonte të jepnin mendim, ky projekt nuk u kthye në vendim të Këshillit të Ministrave. Ministri nuk kishte asnjëlloj vendimmarrjeje nëse do të kishte garë apo, cila do të ishte forma e konçensionit që do të aplikohej dhe cila kompani do të zgjidhej.’- thanë avokatët.
Para deputetëve, avokatët mohojnë që mes pasurive të tjera, vilat në Hamallaj dhe Palasë u përfituan nga lidhjet e Ahmetajt me biznesmenët e inceneratorëve, siç referohet në dosjen e SPAK.
“Pretendohet nga akuza se Erjola Hoxha, bashkëjetuese nga viti 2022 e deputetit Ahmetaj, ka përfituar nga Klodian Zoto një vilë në Hamallaj. Është e vërtetë se Klodian Zoto e ka porositur këtë vilë, por nuk ka paguar asnjë grosh për t’u bërë pronar i saj. Në kushtet kur ai është tërhequr, kjo vilë është përfituar mbi bazën e një kontrate të rregullt nga z.Gerian Kuka. Ky i fundit, fillimisht ia ka dhënë me qira dhe më pas ia ka shitur Erjola Hoxhës, me fonde plotësisht të ligjshme dhe të justifikuara dhe të transferuara tek shitësi në rrugë bankare. Nëse del emri Klodian Zoto, hetuesve “prifti u duket si korofillak”. Po Klodian Zoto nuk e ka zotëruar kurrë këtë pasuri, ka pasur një ide që ta kishte, por nuk ka financuar; atëhere, si mund të pretendohet që ai ka falur një pasuri që nuk e ka zotëruar ndonjëherë. Një situatë e ngjashme është edhe ajo e vilës në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Shoqëria “Inerte” SHPK ia ka shitur një zonje me shtetësi zviceriane, të quajtur Elda Dinaj, e cila ka marrëdhënie të ngushta që nga koha e viteve të rinisë me znj. Mançka. Blrësja ka paguar këstin e parë, me transaksion të rregullt bankar nga Zvicra. Punon në një kompani prestigjoze dhe zotëron fonde për ta mbuluar jo vetëm këtë investim, por dhe investime të tjera të bëra në Shqipëri. Nisur vetëm nga fakti se për mobilimin e kësaj vile dhe mirëmbajtjen e saj interesohej Albina Mançka, atëhere kjo quhet një pasuri e vënë në rruga korruptive.”- thanë avokatët.
Sipas avokatëve Arben Ahmetaj ndodhej jashtë për të ngutshme familjare ndërsa nuk kishte pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste një kërkesë të tillë para Kuvendit.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Lajmi kryesor: