Dokumentet arkivore, nga Fondi i Komitetit Qendror zbardhin gjithë dilemat e kësaj përmbysjeje, madje edhe shumë prapaskena të disa prej debateve e diskutimeve më të bujshme në fushën e letrave e arteve në fund të viteve ’60-të.
Pas shumë trazirave në fushën e artit dhe letërsisë, krerët e regjimit vendosën të forcojnë diktatin dhe kontrollin. Lidhja e Shkrimtarëve, me ngjarjet e vitit 1968 kishte dalë nga binarët. Diskutimet rreth romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë, të poemës “Grada krutane” e Kolë Jakovës, operas “Skënderbeu” të Preng Jakovës dhe disa ekspozita në fushnë e artit pamor ishin kthyer në shqetësim për Komitetin Qendror të PPSH dhe drejtuesit e Partisë në Tiranë.
Dosja me këtë problematikë është arshivuar në fondin e Komitetit Qendror dhe përmbledh dy dokumente voluminoze me informacione të hollësishme rreth problemeve, që kishin konstatuar drejtues të lartë të PPSH-së në Lidhjen e Shkrimtarëve, shkaqet dhe shkaktarët e tyre si dhe ndryshimet që duheshin bërë në atë institucion, i cili që prej krijimit në 1945, nuk kishte pësuar asnjëherë ndryshime të mëdha.
Të dy dokumentet e kësaj dosje janë hartuar dhe firmosur nga Sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës Manysh Myftiu.
Dokumneti i parë mban datën 19 nëntor 1968 dhe pas një tabloje që prezanton problemet në organizatën bazë të Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve, shpreh hapur pakënaqësitë e krijuara për drejtuesit e Lidhjes. “Pa vënë në diskutim meritat dhe besnikërinë e shokëve që punojnë sot në Lidhje ne mendojmë se disa prej tyre si Shefqet Musaraj, Foto Stamo, Baki Kongoli, Aleks Çaçi, mbase edhe vetë Dhimitër Shuteriqi, kanë mbetur prapa nga gjendja e sotme revolucionare, nuk po e kuptojnë atë si duhet dhe nuk po përpiqen seriozisht për t’iu futur luftës për revolucionarizimin e gjithë punës së Lidhjes dhe gjithë krijimtarisë letrare e artistike. Prandaj mendojmë se disa nga shokët që janë sot në krye të Lidhjes duhet të qarkullojnë, bile përpara se të mblidhet kongresi i tyre…”
Arsyet e detajuara që shpjegojnë këto trazira në kupolën drejtuese të Artit dhe Letërsisë, i shpjegon më qartë dokumenti i dytë i kësaj dosje. Në të zbërthehen imtësisht se pse dhe kush i shkaktoi diskutimet e romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë dhe shumë prapaskena nga diskutimet rreth veprave të Kolë Jakovës, Preng Jakovës dhe disa artistëve të artiti pamor pas hapjes së një ekspozite me titulin “Për Skënderbeun” dhe dy diskutimeve të tjera mbi këtë fushë.
Dokumentin e parë do ta sjellim të plotë sot për lexuesit e Shqiptarja.com, ndërsa dokumentin e dytë do ta botojmë në ditët në vijim.
Dokumenti i plotë
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË TIRANË
Nr. 71
Tiranë, më 19.11.1968
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
TIRANË
Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin “Mbi thirrjen në Byronë e Komitetit të Partisë të Tiranës të organizatës bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe masat që duhen marrë”.
SEKRETAR I PARË I KP TË TIRANËS
(Manush Myftiu)
(firma, vula)
INFORMACION
MBI THIRRJEN NË BYRONË E KOMITETIT TË PARTISË SË TIRANËS TË ORGANIZATËS-BAZË TË LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE DHE MASAT QË DUHEN MARRË
Prej disa kohësh, shqetësimet e Komitetit të Partisë së Tiranës për organizatën-bazë të partisë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për rolin e saj udhëheqës, kanë qenë të vazhdueshme. Kjo për arsye se në situatën revolucionare që karakterizon sot të gjithë partinë dhe popullin tonë, komunistët e këtij sektori nuk po vihen akoma në pozita luftarake pararojë për t’iu përgjigjur dhe për të zbatuar konkretisht detyrat e mëdha që caktuan para sektorëve të artit dhe letërsisë Kongresi i 5-të i BPSH, fjalimi i shokut Enver i 6 shkurtit, deklarata e KQ të PPSH dhe i Këshillit të Ministrave të RPSH “Mbi zhvillimin e thellimin e mëtejshëm të lëvizjeve revolucionare dhe të iniciativave krijuese të masave punonjëse”, si dhe dokumentet e tjera të partisë. Këtë shqetësim ne e shprehëm edhe në raportin që i paraqitëm sekretariatit të KQ në tetor të vitit 1967 “Si po punohet për forcimin e partisë në sektorin e arsimit dhe të kulturës”.
Komiteti i Partisë i Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjallërimit dhe forcimit të organizatës-bazë të Lidhjes, si dhe zhvillimit të drejtë të krijimtarisë artistike.
a) Në dhjetorin e vitit 1956 byroja e Komitetit të Partisë së qytetit diskutoi dhe mori një vendim “Mbi gjendjen dhe punën e organizatave-bazë të partisë në institucionet e artit e të kulturës”.
b) Në një plenum të veçantë, në korrikun e vitit të kaluar, Komiteti i partisë diskutoi raportin “Të revolucionarizojmë kulturën, artin dhe shkencën në qytet dhe në fshat, t’i bëjmë ato të masave dhe të forcojnë udhëheqjen e partisë”, në të cilin bëhej një analizë e gjendjes, e problemeve kryesore të organizatës-bazë të Lidhjes, si dhe të sektorëve të artit e të letërsisë. Në vështrimin përkatës, organizatës-bazë të Lidhjes iu caktuan një sërë detyrash të rëndësishme për revolucionarizimin e saj dhe të krijimtarisë letrare e artistike.
c) Në byronë e Komitetit të Partisë në tetor të 1967-ës, u diskutua përsëri për këtë çështje me rastin e paraqitjes në sekretariatin e KQ të PPSH të raportit “Si po punohet për forcimin e partisë në sektorin e arsimit dhe të kulturës”.
Por, me gjithë këto, rezultatet e deritanishme, për sa i përket jetës së organizatës-bazë të Lidhjes janë të vogla, ecja është e ngadaltë, sepse me atë ngritje ideologjike dhe me atë përbërje të kuadrit drejtues që ka sot në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve, revolucionarizimi ndeshet në pengesa, kryesisht të karakterit subjektiv.
Duke e vlerësuar si serioze gjendjen e kësaj organizate-bazë, sidomos tani që komunistët, që janë edhe drejtues të Lidhjes, ndodhen para Kongresit II të Shkrimtarëve e Artistëve, duke pasur për qëllim që t’u jepet atyre një ndihmë akoma më e madhe për të dalë nga gjendja e prapambetur, ne kërkuam që ta analizojmë më thellësisht punën e tyre, të njiheshim më nga afër me problemet që i preokupojnë ata, me shqetësimet e tyre si dhe me rrugët që duhen ndjekur për të çarë përpara.
Kështu më 19.01.1968, përpara byrosë së Komitetit të Partisë të Tiranës, u thërrit e gjithë organizata-bazë e Lidhjes e përbërë prej 10 komunistësh.
Gjendja e organizatës-bazë në dritën e raportit të paraqitur dhe diskutimeve të komunistëve
Në tërësi, raporti i paraqitur në emër të organizatës-bazë të Lidhjes nuk prekte çështje themelore dhe ishte një vetëdënim pa rrugëdalje. Ky raport nuk jepte pasqyrë reale të gjendjes, nuk ishte ndërtuar në bazën e një qëndrimi kritik e luftarak ndaj punës, për të vënë në dukje dobësitë e pengesat dhe për të përgjithësuar eksperiencën e mirë, nuk prekte çështje të koncepteve të gabuara ose frenuese si dhe çështje të luftës ideologjike, qoftë edhe brenda në organizatën-bazë. Një ndër dobësitë më të mëdha të raportit, ishte dhe ajo që nuk jepte qartë dhe konkretisht rrugëdalje.
Sigurisht, nga një raport i tillë, byroja e Komitetit të Partisë e pati shumë të vështirë të njihesh me gjendjen reale të organizatës-bazë si dhe të nxirrte konkluzione të sakta. Anëtarët e byrosë i bënë një seri pyetjesh sekretarit të organizatës-bazë për të sqaruar më mirë disa çështje lidhur me problemet e ndryshme. por përgjigjet që u dhanë, qoftë të sekretarit të organizatës-bazë, qoftë edhe të tjerëve qenë të cekëta dhe nuk qëllonin në shenjë. Gjithashtu, në përgjithësi edhe diskutimet e atyre shokëve komunistë që morën fjalën, sqaruan shumë pak gjëra. Ata nguruan të shprehnin hapur pikëpamjet, konceptet dhe shqetësimet e tyre, që ziejnë përbrenda.
Foto Stamo foli për punën pa ngritur ndonjë problem. Shefqet Musaraj, i cili gjatë dy viteve ka qenë drejtuesi kryesor i Lidhjes, e zhvilloi diskutimin me gjëra shumë të vogla dhe justifikuese. Komunistë si Llazar Siliqi dhe Andon Kuqali, të cilët kanë shumë përbrenda, preferuan më mirë të mos flisnin. Ndërsa komunisti Dhimitër Shuteriqi që është Kryetar i Lidhjes diskutoi mjaft në përgjithësi dhe nuk e zbërtheu situatën. Komunisti Aleks Çaçi nuk erdhi se ishte i sëmurë. Ra në sy edhe një gjë.
Në raportin e paraqitur, edhe në diskutimet e bëra nga disa shokë të Lidhjes në byro shprehet mendimi se ka ardhur koha dhe duhet bërë një qarkullim i kuadrit drejtues. Por ajo që ra në sy më shumë, nga diskutimet e vetë shokëve të Lidhjes, është se ata i shmangen telasheve të diskutimit të hapur të problemeve, nuk i janë futur dhe nuk dinë si t’i futen punës për revolucionarizimin e punës së tyre. Kanë edhe pikëpamje të ndryshme, të cilat nuk i rrahin as në organizatën-bazë as edhe në mbledhje e takime të tjera. Heqja dorë, pothuaj fare, nga mbledhjet për diskutimin e veprave, heqja dorë nga artikujt kritikë dhe për çështje parimore, heqja dorë nga mbledhjet e këshillit drejtues, plenumeve etj., ose bërja e tyre shumë keq pa rezultat, nuk vjen për shkak se nuk dinë të organizojnë, siç mundohen ta paraqitin, por kryesisht për arsye se nuk angazhohen dhe i shmangen mbajtjes qëndrim, sepse nuk duan të mbajnë përgjegjësi.
Një problem tjetër që del nga shumë të dhëna është se shokët komunistë që drejtojnë sot në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve nuk kanë mundur të gjejnë rrugët për t’u lidhur me të rinjtë, me forcat e reja krijuese, por në mjaft raste i kanë acaruar punët me ta aq sa të mos gëzojnë edhe besimin e tyre. Kjo mund të thuhet sidomos për Shefqet Musarajn dhe Foto Stamon, por edhe për të tjerët. Duke u nisur nga pozita shoqërore ose sentimentale ndodh që këta shokë preokupohen shumë p.sh. për çështjen e Petro Markos, Nexhmedin Zajmit, ose Spiro Xhajit e ndonjë tjetër dhe nuk shihet po ai preokupim për dhjetëra e qindra talente të reja.
Komunistët e organizatës-bazë të Lidhjes u përpoqën që dobësitë e tyre kryesore t’i lidhnin kryesisht me faktorë organizativë.
Mendimet tona për kapërcimin e kësaj gjendjeje
1) Ne mendojmë se ky hov i madh revolucionar që ka shpërthyer në të gjithë vendin, ka bërë që jehona e tij të ndihet edhe në organizatën-bazë dhe në punët e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Por këtu nuk është çështje jehone, nuk mund të kënaqemi edhe me disa rezultate që kanë filluar të duken, të cilat nuk janë aq rezultat i ndonjë pune të shokëve që drejtojnë në Lidhje, se sa i një shpërthimi që ka filluar në talentet e reja. Prandaj shtrohet çështja, jo për disa masa të pjesshme dhe të sipërfaqshme, por për masa të thella shëruese.
Pa vënë në diskutim meritat dhe besnikërinë e shokëve që punojnë sot në Lidhje ne mendojmë se disa prej tyre si Shefqet Musaraj, Foto Stamo, Baki Kongoli, Aleks Çaçi, mbase edhe vetë Dhimitër Shuteriqi, kanë mbetur prapa nga gjendja e sotme revolucionare, nuk po e kuptojnë atë si duhet dhe nuk po përpiqen seriozisht për t’iu futur luftës për revolucionarizimin e gjithë punës së Lidhjes dhe gjithë krijimtarisë letrare e artistike. Prandaj mendojmë se disa nga shokët që janë sot në krye të Lidhjes duhet të qarkullojnë, bile përpara se të mblidhet kongresi i tyre.
Shokëve që do të mbeten dhe atyre që do të sillen të rinj t’u flitet hapur ku janë të metat e Lidhjes, të metat e tyre dhe çfarë kërkohet nga ata. Të ndihmohen për të bërë një shikim kritik të gjendjes, koncepteve, metodave të punës dhe formave të organizimit, gjë që është penguar dhe pengohet nga disa shokë, të cilët drejtojnë prej kohësh në Lidhje dhe që sa herë flitet për këto çështje zënë një pozitë mbrojtëse, ose përpiqen, që shkakun e gjendjes aktuale ta kërkojnë, pa të drejtë, kryesisht në faktorë të jashtëm.
2) Organizata-bazë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe komunistët e saj, duhet t’i futen seriozisht punës për revolucionarizim duke zbërthyer drejt këtë formulë: artin revolucionar do ta bëjnë revolucionarët, dhe revolucionarë janë ata që marrin pjesë në revolucion.
Për këtë është e domosdoshme që shkrimtarët dhe artistët të marrin pjesë rregullisht në frontet e ndryshme të luftës bashkë me masat, të punojnë në ndërmarrje bashkë me punëtorët, në fshat, në ndërtimet e aksionet e mëdha, të hidhen në revolucionin ideologjik e kulturor, në revolucionin tekniko-shkencor etj. Vajtja poshtë në mënyrën si është bërë, duke i caktuar me punë në disa vende të ngrohta, nuk u ka shërbyer shumë për t’u lidhur me masat, prandaj duhen gjetur forma të tjera për një lidhje më organike. Lidhja e shkrimtarit dhe artistit me një ndërmarrje, ku ai shkon rregullisht një ose dy herë në javë dhe bën punën fizike, ose kalimi për një kohë të gjatë me punë efektive në ndërmarrjet ose në fshat, mund të japë rezultate më të mirë.
Kurse për përvetësimin e ideologjisë së partisë, marksizëm-leninizmit, kaq i domosdoshëm për ata sot, sepse për të kuptuar dhe për të shpjeguar fenomenet që ndodhin përpara syve tanë, nuk është e mjaftueshme të jesh politikisht me partinë, por edhe ideologjikisht, duhet menduar për forma më efektive me seminare periodike pranë Lidhjes ose Institutit të Lartë të Arteve.
3) Komunistët e organizatës-bazë të partisë dhe Komiteti Drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve duhet që me guxim dhe me një ritëm më të shpejtuar të hedhin poshtë disa koncepte dhe të vënë në jetë koncepte më revolucionare për çështjet e letërsisë dhe të arteve, të ndryshojnë metodën e punës, të adoptojnë metoda pune më revolucionare dhe të zbatojnë më mirë vijën e masave, të ndryshojnë edhe format e organizimit, që nga vetë Komiteti Drejtues, në mënyrë që ai të jetë efektiv dhe jo për formë. Është e domosdoshme të organizohen rregullisht diskutime krijuese, ku të bëhen debate dhe luftë kundër pikëpamjeve të huaja si dhe tendencave frenuese. Njëkohësisht shtypi i Lidhjes duhet të bëhet më luftarak.
4) Perspektiva është, sigurisht, tërheqja e forcave të reja krijuese nga masa e gjerë e rinisë, nga radhët e punëtorëve, fshatarëve, ushtarëve dhe inteligjencies së re. Prandaj duhet treguar një kujdes i madh për të rinjtë, t’u hapen atyre faqet e revistave, t’u lihet vend në skenat tona etj. Kujdes duhet treguar edhe për të gjithë ata që gjatë këtyre 25 viteve kanë dhënë një kontribut, të cilin partia e ka vlerësuar dhe e vlerëson shumë, të cilët me siguri do të japin akoma vepra të mira. Prandaj duhet punuar me kujdesin më të madh si për të parët, ashtu edhe për të dytët.
5) Mendojmë se komunistët e organizatës-bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, Komiteti Drejtues dhe në përgjithësi masa e shkrimtarëve dhe e artistëve nuk janë përgatitur si duhet për të shkuar në Kongres, sepse:
a) Çështjet themelore nuk janë diskutuar dhe nuk janë rrahur mendimet për të sqaruar e zbërthyer kërkesat që shtron sot partia përpara letërsisë dhe arteve. Vetëm kohëve të fundit vihet re diçka në këtë drejtim, të cilës disa prej tyre kanë tendencën t’i japin formën e një lufte personale.
b) Duken shenjat e disa grupimeve (në kuptimin e atyre njerëzve që kanë pikëpamje të njëjta dhe të ndryshme nga të tjerët), të cilat nuk janë ballafaquar akoma, por që prapa shpine nuk lënë gjë pa thënë për njëri-tjetrin. Shpërthimi i tyre në Kongres nuk do të ndihmojë për sqarimin e situatave. Megjithëse ka mundësi të mos shpërthejnë as në Kongres, të qëndrohet në gjëra të përgjithshme, gjë që është edhe më e dëmshme, sepse kështu nuk sqarohet asgjë dhe Kongresi nuk do t’ia arrijë qëllimit.
6) Në qoftë se mendohet që Kongresi të mbahet në prill, atëherë mendojmë se nga Komiteti Qendror i Partisë dhe nga Komiteti i Partisë për Tiranën u duhet dhënë atyre një ndihmë nga afër për hartimin e tezave, diskutimin e tyre, si dhe për raportin që do t’i paraqitet Kongresit.
SEKRETARI I PARË I KP TË TIRANËS
(Manush Myftiu)
(firma, vula)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 janar 2016
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)