Parimi “ne bis in idem” është një garanci thelbësore që shteti nuk e ndëshkon qytetarin dy herë për të njëjtin fakt. Kështu u shpreh Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një konference shkencore juridike të zhvilluar sot në Tiranë.

Aktiviteti u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, me fokus parimin “Ne Bis in Idem” në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Gogu theksoi se ky parim nuk është thjesht një formulë juridike, por një mbrojtje konkrete për qytetarët.

“Ne bis in idem nuk është vetëm një formulë juridike, por një garanci konkrete për qytetarin, që shteti nuk e përdor forcën e tij dy herë për të njëjtin veprim,” u shpreh ministri.

Ai u ndal edhe te zhvillimet e fundit në jurisprudencën europiane, duke përmendur rolin e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij po sjellin një qasje të re në interpretimin e këtij parimi.

Sipas Gogut, sfidat më të mëdha lidhen me rastet kur një veprim mund të ndiqet njëkohësisht si shkelje administrative dhe si vepër penale, si dhe me situatat ndërkufitare kur një ngjarje ka pasoja në më shumë se një shtet.

“Për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm të përafrojë legjislacionin me Bashkimin Evropian, por të sigurojë që këto parime të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe në shërbim të qytetarit,” theksoi ai.

Në fund, ministri vuri theksin te nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm mes gjyqtarëve, avokatëve dhe botës akademike, duke e cilësuar këtë konferencë si një hap konkret drejt forcimit të standardeve europiane në sistemin e drejtësisë në vend.