Zbërthehet në gjykatë skema gruas së Gjin Gjonit për ‘pengmarrjen’ e dyqaneve në Rinas, 3 institucione dhe 2 kompani akuza për mashtrim  

Gjyqtari pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Avni Sejdi, ka mbyllur sot shqyrtimin gjyqësor për konfliktin e paprecedentë mes kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi dhe Ministrisë së Financave, për licencën për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Në fillim të seancës së sotme, gjyqtari Avni Sjedi njoftoi rrëzimin e kërkesës së kompanisë amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), për përjashtimin e tij nga gjykimi i çështjes, për njëanshmëri. Kujtojmë që kompania amerikane ICDF ka fituar tenderin dhe ka lidhur një kontratë me TIA që në korrik të 2019 për menaxhimin e ambienteve tregtare, të cilat sot i kontrollon familja Gjoni, përmes dy vendimeve paraprake të dy gjyqtarëve pa Veting, Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi. Elona Çaushi vijon të shfrytëzojë ambientet Duty Free pavarësisht se ka humbur tenderin, i ka mbarur kontrata dhe Ministria e Financave i ka anuluar licencën. 

Gjatë seancës së sotme, e cila u karakterizua nga debate të forta, palët ndërgjyqëse paraqitën argumentet e tyre. Përfaqësuesit e kompanisë së Elona Çaushit kërkuan rrëzimin e vendimit të Ministrisë së Financave, për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit tregtar në Rinas, me argumentin se Albania Duty Free Distribution ka paraqitur dokumentacionin e plotë ligjor për rinovimin e autorizimit. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Avokaturës së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme Doganave, kompanisë amerikane International Cruise Duty Free dhe të koncesionarit Tirana International Airport kërkuan lënien në fuqi të vendimit të ministrisë, duke theksuar se kompania e gruas së Gjin Gjonit ka mashtruar kur ka aplikuar për rinovimin e licencës, duke fshehur disa rrethana, të cilat nuk lejonin rinovimin, siç ishte humbja e tenderit për qyqanet dhe mbarimi i kontratës. 

Tre institucionet shtetërore, kompania amerikane ICDF dhe TIA zbërthyen në gjykatë të gjithë skemën dhe manovrat e kompanisë së Elona Çaushi për të kontrolluar dyqanet jashtë vullnetit të TIA, e cila tha sot se ADFD-ja po i mban dyqanet me zot, pasi TIA nuk dëshiron që të ketë asnjë marrëdhënie juridike me ADFD-në. Po cila është skema? Albania Duty Free Distribution është njoftuar në 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për ambientet Duty Free. Tenderin e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila ka lidhur edhe kontratën me TIA në 31 korrik 2019, e cila parashikonte marrjen në dorëzim të ambienteve që në 15 shtator 2019. Pas njoftimit të humbjes së tenderit, kompania e Elona Çaushit ka tentuar të negociojë me TIA, për t’i dhënë një ofertë më të mirë. Pas refuzimit, ka nisur presionin me letra, duke i kujtuar TIA-s se ADFD-ja mund ta merrte licencën lehtësisht për këtë aktivitet, ndërsa kompanitë e tjera, e kishin të vështirë. 

Kur TIA ka lidhur kontratën me kompaninë amerikane ICDF, kompania e Elona Çaushit ka vënë në lëvizje segmente të drejtësisë. Zonja Çaushi ka kërkuar në gjykatë vijimin e aktivitetit në Rinas, pavarësisht rrethanave të mësipërme. Padia fillimisht nisi të shqyrtohej nga gjyqtari i Tiranës Arjan Aliaj në 1 gusht 2019, por çuditërisht, përfaqësuesi i Albania Duty Free Distribution nuk është paraqitur në gjykim, pa shkaqe të arsyeshme, sipas vendimit të gjykatësit Aliaj, i cili pushoi çështjen. Në të njëjtën ditë, kompania e Elona Çaushi përsëriti padinë, e cila u shqyrtuar nga Mimoza Kajo-Brahimi. Kjo e fundit vendosi në favor të Elona Çaushit, duke i zgjatur kontratën me TIA-n në mënyrë arbitrare. Para gjykatëses, Elona Çaushi ka pretenduar se tenderi i shpallur nga TIA për menaxhimin e të njëjtave ambiente “deri në atë moment nuk kishte konkluduar me një fitues”. Por, në një letër drejtuar TIA-s në 5 korrik 2019, zonja Çaushi shkruan: “Ne morëm pjesë dhe humbëm. Morëm vesh nga partnerët tanë që ka fituar ICDF”.

Argumenti kryesor i ADFD-së ishte sipas Kodit Doganor dhe vendimit të qeverisë nr. 199, 2017, Ministria e Financave duhet ta lajmëronte 60 ditë para përfundimit të kontratës. Por, po sipas këtyre ligjeve, duhej që ADFD-ja të lajmëronte para ministrinë, për një rrethanë të re që i cenonte kontratën dhe për pasojë autorizimin, siç ishte humbja e tenderit. Megjithatë, me këtë vendim gjykate, kompania e gruas së Gjin Gjonit i është drejtuar ministrisë për rinovimin e licencës. Në këtë pikë, sot në Gjykatën Administrative, Ministria e Financave, Avokatura së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme Doganave, kanë parashtruar tre argumente. Së pari, ADFD-ja, sipas ligjit, duhet të aplikonte për licencë tek zyra doganore kufitare, dhe jo tek ministria dhe as tek Drejtoria e Përgjithshme Doganave. Së dyti, sipas ligjit, ADFD-ja duhet të aplikonte për licencë të re dhe jo rinovim. Së treti, sigurimi i padisë me vendim të Mimoza Kajo Brahimit, nuk ka vlerën një kontrate. 

Në 15 gusht 2019 është bërë aplikimi rinovimin e licencës Duty Free në Aeroportin, ndërsa zëvendësministri i Financave Elton Haxhi e ka firmosur, rinovimin një ditë më pas, pra në 16 gusht. Ministria, pasi është informuar se dokumentacioni i ADFD-së nuk ishte i saktë, me kërkesë të TIA, i ka anuluar licencën më datë 30 shtator. Gjatë seancës së sotme gjyqësore, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thanë se kishin vepruar në mirëbesim, pra nuk se nuk e dinin se kompania e gruas së Gjin Gjonit, po fshihte rrethana që diktonin refuzimin e autorizimit. “Paditësi nuk ka informuar sipas ligjit doganat dhe ministrin për mbarimin e kontratës me TIA”, thanë përfaqësuesit e ministrisë. Sipas ligjit, pa pasur një kontratë, nuk mund të kesh një licencë për aktivitetin në fushën e Dytu Free. 

Por, Elona Çaushi nuk ndalet këtu. Në 8 tetor të 2019, gjyqtari Avni Sejdi, me një vendim të ndërmjetëm ka pranuar kërkesën e Albania Duty Free Distribution për pezullimin e efekteve të vendimit të Ministrisë së Financave për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free. Sot përfundoi gjykimi në themel nga gjyqtari Avni Sejdi. Vendimi përfundimtar për këtë konflikt pritet të merret brenda muajit shkurt. Ndërkaq, një betejë tjetër vazhdon në Gjykatën e Tiranës, për vendimin e gjyqtares së Mimoza Kajo Brahimit. Të dy gjyqtarët që kanë mundësuar që familja Gjoni të kontrollojë dyqanet në Rinas, duke mos lejuar kompaninë amerikane të zbatojë kontratën, nuk kanë dalë para Vetingut, ndërsa kanë deklaruar shuma parash të dhuruara të afërmit.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Labi: 01/02/2020 14:30

    Je yll bote lum kush shijon arome tende.ahhh

    Përgjigju
  • goni: 31/01/2020 20:11

    xhin xhon

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD, faturinoja e revoltuar nga bllokimi i rrugës: Jemi transport publik, në autobus ndodhen gra shtatzënë

Protesta e PD, faturinoja e revoltuar nga bllokimi i rrugës: Jemi transport publik, në autobus ndodhen gra shtatzënë