PRISHTINË- Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zbogar, theksoi sot se kontesti rreth ndërmarrjes "Trepça" duhet të zgjidhet brenda institucioneve të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve, që janë të pranishëm në qeveri dhe Kuvend.
"Nuk është në interes të askujt që 'Trepça' të shkojë në likuidim, sepse kështu do të humbnin mijëra vende pune. Qeveria doli me propozim javën e kaluar dhe fatkeqësisht në atë seancë, ministrat serbë nuk ishin të pranishëm, por unë i jam informuar se sot në mëngjes ata u takuan prapë dhe ministrat serbë ishin aty, prandaj kjo është mënyra për të gjetur zgjidhje. Meqë ka ministra serbë në qeveri, duhet të diskutohet nga brenda dhe të gjenden zgjidhje brenda sistemit. Serbët janë edhe në parlament dhe duhet të gjendet një zgjidhje brenda dialogut të brendshëm", ka deklaruar Zhbogar, bën të ditur gazeta Express.