Zbrazja e Shqipërisë, 'amnistia' Bardhi dhe liria e shtypit

Zbrazja e Shqipërisë, 'amnistia' Bardhi dhe liria e shtypit

Gazment Bardhi

Problemi më i madh (nga të fundit) i ditëve të sotme, që iu adresua Shqipërisë, lidhej me lirinë e shtypit. Më pas, ashtu si ndodh rëndom, një grup fantazmash pjesë të strukturave të organizimit të gazetarëve shpjeguan pse media nuk është e lirë. Pati pak vend për amnistinë, e cila për fat të keq, megjithëse u damkos nga media dhe vazhdimisht iu kërkua transparencë PS-së dhe “Rithemelimit”, nuk ndodhi. Gazmend Bardhi, shefi i grupit parlamentar dhe protagonisti zyrtar i “Rithemelimit”, pas sarkazmës dhe kinse betejës së përhershme në parlament tregoi se ishte bashkëpunëtori kryesor, i asaj që media e paralajmëroi: Flirtit dhe nënshtrimit ndaj maxhorancës. E habitshme ishte se edhe vetë një pjesë e zyrtarëve të Rithemelimit nuk e dinin draftin dhe në studio televizive kumtonin se është e pamundur të amnistoheshin njerëzit e korrupsionit! Ndodhi e kundërta.

Ulsi Manja, Ministri i Drejtësisë nga ana e tij siguroi se nuk kishte amnisti për korrupsionin, kurse Bardhi nga e tij, bënte shoë-n e madh publik: Kurrë ata, paçka se i do maxhoranca. Ashtu si ndodh me këto dy forca politike, pas kinse luftës, ku arrijnë madje edhe deri te molotovi, në fund do e gjejnë gjithnjë gjuhën. Pa e zgjatur, në fund, amendamenti “Bardhi” propozoi praktikisht të ndalohet ulja e dënimit për zyrtarët e lartë (nivel ministri, kryetar bashkie…., të parashikuar në pika “b”, “c” dhe “ç” të nenit 75/a), por të përfitonin nga Amnistia të gjithë zyrtarët e tjerë, të dënuar për veprat penale që gjenden në pika “a” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale). Media do e zbardhte më vonë, kur i gjithë konfigurimi i amnistisë do të dilte në shesh dhe një kontingjent i tërë të korruptuarish do jenë të lirë.

Dhe, ndërsa Manja tashmë e ka më të thjeshtë “justifikimin moral” se një grup zyrtarësh të maxhorancës janë para SPAK-ut me çështje shumë më të mëdha, shqetësimi është se rruga e Bardhit dhe e Rithemelimit është po ajo. Projeksioni i të ardhmes dhe shpresa mbeten të errëta. Janë dy forca, siç kanë bërë ndër vite, që e shqyen vendin. Ndoshta folja është e rëndë, por kupton sepse lajmet e ikjes masive të njerëzve nuk bëjnë “më përshtypje”. Por, akoma më e rëndë është braktisja e shkollës prej kësaj arsye. Në një reportazh të fundit të BIRN-it kumtohej se vetëm: “Në qarkun e Shkodrës, 19 shkolla publike janë mbyllur në 5 vitet e fundit, ndërsa dhjetëra të tjera janë kthyer në shkolla me klasa kolektive si pasojë e emigrimit – një proces që i dëmton fëmijët dhe vështirëson punën për mësuesit”. Po të shtrihej kjo statistikë për vendin rezultati do të ishte edhe më i dhimbshëm.

Ky është një nga leximet më të pakta, sepse publikut në masë jo të vogël fatkeqësisht i interesojnë më shumë bëmat e BB VIP dhe ndodhitë me “velinat”, sesa shqetësimet reale. Por edhe këtu qëndron një problem, që po e godet median përditë: marrja dhe përcjellja e temave nga jashtë Tiranës. Çka përcillet në mediat kryesore është thjesht ajo që ndodh me politikën dhe debatet shterpë, që nuk tregojnë asgjë apo më keq akoma: patetizmin për amnistinë dhe arrestimet në pritje të SPAK-ut në vend të shqetësimeve reale. Media tek ne, ashtu si vite më parë, armikun më të madh kanë informalitetin, fondet e munguara për rritjen e cilësisë dhe zhbërjen e interesit të publikut, ndaj lajmet për rrethet janë gjithnjë e më të pakta dhe esenciale. Ato reportazhe, që vinë duke e sheqerosur Shqipërinë dhe duke u justifikuar se po japin bukurinë harrojnë se reportazhi e ngjyen penën në dhimbje edhe kur jep “bukuritë” e pamata dhe “trimëritë e vjetërsinë” tonë pakufi.

Shqipëria po rrudhet aq shumë saqë edhe rezultatet e Census-it tashmë nuk “i interesojnë” shumë kujt. Veço ankesën e bizneseve për fuqi punëtore, konsumit dhe mbi të gjitha anketimeve, ku shumë fasha duan të largohen, që të ndalosh së marri me median dhe me kinse ankimtarët për lirinë e saj. Publiku edhe në diktaturë e gjen informacionin, por Shqipëria nuk po gjen më njerëzit. Këtë kujton në këtë weekend, kur Bardhi & Co bëjnë moralistin dhe të gjithë qahen për lirinë e shtypit. Ne po e braktisin të gjithë pak e nga pak Shqipërinë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë