Hudhra është prej mijëra vjetësh një nga mrekullitë natyrore më të njohura për vetitë e saj shëruese. E njohur si “antibiotik natyral”, ajo përmban substanca aktive që luftojnë infeksionet, forcojnë imunitetin dhe ndihmojnë në pastrimin e trupit nga toksinat. Por çfarë e bën hudhrën kaq të veçantë dhe si mund ta përdorim në mënyrë të sigurt dhe efektive për të përmirësuar shëndetin tonë? I ftuar në “Rreze Dielli” në Report TV, nutricionisti i njohur Altin Joka këshilloi disa kombinime të saj duke e konsumuar me limon, portokall dhe kivi.
“Hudhra është burim i vitaminës C e kombinuar me xhinxherin, çajin e luleve të blirit, mjaltin dhe perimet e gjelbëra, një furnizim i trupit me minerale dhe vitamina”, u shpreh Joka.
Sipas nutricionistit që hudhra të japë efektin e saj të plotë ka një sekret, ajo duhet shtypur.
“Hudhra duhet shtypur dhe lënë 7-8 minuta, në mënyrë që alina prezente tek hudhra të kthehet në alicinë, antibiotiku më i fuqishëm natyror”.
Joka u ndal edhe tek disa kombinime të cilat janë shumë të mira për t’i konsumuar:
1 lugë vaj ulliri, dy thelpinj hudhër, limon dhe një majë luge mjaltë duhet konsumuar esëll për imunitet shumë të mirë. Hudhër me 2-3 limonë me lëng dhe lëvore, 600 ml ujë dhe dy lugë gjelle mjaltë të mirë, lihet në frigorifer, kjo përzjerje detoksifikon mëlçinë. Një tjetër recetë do ishte 4-5 thelpinj hudhër me xhinxher, mjaltë dhe ujë të vakët.
“1 ml lëng hudhër është baraz me 60 ml gram penicilinë, pra hudhra ka nivele të larta të metioninës, serinës e të shumë aminoacideve, ka sulfite të larta , B6, B1, B3, ka fibra, është e jashtëzakonshme. Ul kolesterolin, ul tensionin, lufton parazitët e zorrës, problemet me kancer të pankreasit, lufton ftohjet, lufton mbipeshën, lehtëson reumatizmën, si dhe është mjekuese për plagët. Në shumë studime ngrënia e hudhrës ul rrezikun për kancer, riparon madje edhe AND. Gjithashtu për diabetin është fantastike, pasi ul nivelin e sheqerit në gjak”, u shpreh Joka.
Por si mund të hamë hudhër dhe të mos mbajmë erë?
Përdorni dafinë, majdanoz, koper, bëni gargarë me xhinxher ose sodë. Uthulla e mollës gjithashtu e heq aromën si dhe lëngu i limonit. Por, kujdes nuk duhet ta teproni me hudhrën, duhen 2-3 thelpinj në ditë, pasi nëse ju e konsumoni me shumicë, mund të dëmtoni mëlçinë, rrisni nivelet e ankthit dhe të aritmisë, pra duhet ngrënë me sasi të reduktuar.
“Hudhra shqiptare më e mira në botë, ajo dallohet sepse ka formë të çregullt, nuk është uniformë, ka aromë të mirë. Zgjidheni atë, pasi hudhrat kineze kanë dalë me pesticide”, këshilloi Joka.
Si duhet gatuar hudhra?
Në gatim hudhra humbet pak vlerat, nëse e gatuajmë me vaj ulliri mbeten vlerat në vaj, ndërsa nëse e gatuajmë me vaj industrial e dëmtojmë atë. “Gërshetoni vaj ulliri dhe gjalpë fshati. E mira është që hudhra të hahet e freskët në tarator, fasule, etj. Ndërsa lëvozhgat e hudhrës mund të bëhen çaj të kombinuara me gjethe rozmarine, ndaj mos i hidhni!”, përfundoi nutricionisti Joka.
Komente












