Janë të paktën 5 vendvarrime ku ka dyshime të forta se gjenden eshtrat të personave të zhdukur gjatë rregjimit komunist. Hetimet e Autoritetit për informimin mbi Dosjet e ish Sigurimit të shtetit, kanë gjetur konfirmim dhe nga zbatimi i teknologjive të avancuara. Për Report Tv, Autoriteti zbulon dhe emrat e personave të identifikuar të varrosur në to. Mes personave të cilëve nuk u gjenden eshtrat Autoriteti ka regjistruar rreth 410 raste.
***
Në mjediset e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit ndodhet një hartë e Shqipërisë, ku janë vendosur shenja për çdo raportim të familjarëve, shoqatave apo veprimtarëve të kujtesës për vendvarrime të dyshuara, vendekzekutime ose vende ku mendohet, përmes rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, se ka mbetje mortore.
Autoriteti po kryen verifikime për 17 vendvarrime të dyshuara, ku të dhënat nga familjarë, të cilët kanë ofruar edhe materiale gjenetike, janë ndërthurur edhe me dokumente të kohës.
Ndërsa, falë bashkëpunimit me ekspertë antropologë, arkeologë dhe njohës të fushës nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), për të paktën 5 raste probabiliteti për gjetjen e eshtrave është shumë i lartë.
“Bëhet fjalë për vendvarrimin e Rrmajit në Shkodër. Bëhet fjalë për dy vendvarrime pothuajse të konfirmuara, që do të konfirmohen 100% kur të bëhen gërmime në kishën e Shpalit dhe në Spaç të Mirditës, ku mendohet që janë varrosur katër heronjtë e revoltës së Spaçit. Bëhet fjalë për malin e Gramozit, në Shel Gurë, ku është një qytetar i cili është vrarë në tentativë për të kaluar kufirin. Bëhet fjalë edhe për një vendvarrim në Himarë, në Shën Vasil.”, thotë drejtuesja e AIDSSH-së, Gentiana Sula.
Shkodër: Vendvarrimi pranë varrezave të Rrmajit është i periudhës 1948-1953, kohë kur regjimi ushtronte hapur brutalitetin ndaj kundërshtarëve të vet, përfshirë disidentë politikë dhe klerikë.
Ka qenë proces “i natyrshëm” marrja e tyre me dhunë dhe ekzekutimi duke i mbështetur te muri juglindor i varrezave katolike (që populli do ta quante “Muri i Gjakut”), e më pas varrimi (groposja ekzaktësisht pak metra larg tij).
Spaç, Mirditë:
Në burgun e Spaçit reagimi shtetëror ishte drastik.
Në kohën kur shpërtheu revolta dhe doli hapur urrejtja dhe kuraja e të burgosurve ndaj regjimit, territori i burgut u rrethua edhe me tanke e trupa ushtarake.
Shtypja e revoltës ishte me pasoja të rënda për qindra të dënuar që u torturuan, një pjesë u ridënuan me shumë vite të tjera burg, dhe katër më kurajozët (që shteti komunist i cilësoi si organizatorë) u dënuan me vdekje, me pushkatim, menjëherë pas revoltës në vitin 1973.
Shpal, Mirditë, kai të dhëna për vendvarrimin e eshtrave të të vdekurve gjatë vuajtjes së dënimit.
Shën Vasil, Himarë: Në Shën Vasil ka dokumente dhe dëshmi për vendvarrimin e tre personave, për të cilët familjarët e tyre kanë kërkuar pranë Autoritetit ndihmë për gjetjen e eshtrave.
Shelegur, Kolonjë: Në Shelegur është lokalizuar vendvarrimin e dyshuar për shtetasin Dhimitër Kono.
Luigj Ndou i ICMP-së tregon se vlerësimi i këtyre vendvarrimeve u krye me metoda jo-invazive. Ndërsa në dy vendvarrime të dyshuara në Shpal dhe Shën Vasil u pa i arsyeshëm kërkimi shtesë duke përdorur teknologjinë e Radarit me Penetrim të Thellë (GPR) dhe sistemit LIDAR.
Sipas Genta Sulës: “ICMP-ja me ekspertizën e vet pothuajse konfirmon që ia vlen të gërmohet, sepse ka tjetërsime terreni dhe ka të ngjarë që të ketë mbetje mortore. Tani duhet gërmuar për t’u verifikuar dhe për t’u avancuar fazat.”
Në Shkodër, ndonëse të dhënat janë për 13 persona, dyshimet çojnë në një numër disa herë më të madh.
Raportet e detajuara të hartuara nga ekspertët e ICMP-së ndodhen mbi tryezën e Sulës. Ato do të jenë pjesë e dokumentacionit që do t’i dorëzohet prokurorisë.
“Ajo që mendoj unë se do të jetë ngërçi është leja e gërmimit, e cila duhet patjetër të bëhet e mundur përmes urdhrave që jep policia, prokuroria dhe në momentin që bëhet gërmimi. Pastaj aty Autoriteti natyrisht do të bëjë çmos që të vijojë me hapat e tjerë, por akoma nuk është thyer ajo pengesa e lejes së gërmimit",- thotë Sula.
Po sa janë hapësirat për të hetuar mbi këto krime?
“Prokuroria deri tani ka mbrojtur idenë që veprat janë parashkruar, ndërkohë që fshehja e eshtrave, për mendimin tonë, është një krim jo i parashkruar, por i vazhduar”, thotë Sula.
Në Shqipëri është folur për disa mijëra të zhdukur që u ekzekutuan me vendime gjykatash, u vranë në tentativa për t’u arratisur nga kufiri, nga burgjet dhe kampet apo vdiqën në burgje ndërsa vuanin dënimin.
Por deri më tani, Autoriteti ka arritur të regjistrojë 410 raste personash të zhdukur, të raportuar nga familjarët e tyre pranë këtij institucioni.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre rezultojnë të dënuar politikisht, të ekzekutuar me vendim gjyqësor të manipuluar apo të vrarë pa gjyq. Raste të tjera lidhen me vrasjet në kufi, vdekjet në burgje dhe në qelitë e hetuesisë, duke e bërë këtë një nga kapitujt më të errët dhe ende të pazbardhur plotësisht të historisë së vendit.
Komente









