TIRANE- Pas vdekjes së Major Sokol Fekës më datë 27 janar në Malaga të Spanjës me 1 ton hashash, Ministria e Mbrojtjes mohoi çdo implikim të ushtarakëve të saj të përfshirë në trafikun e drogës.

Kur kanë kaluar më shumë se një javë, vijnë edhe ndalimet e para të dy oficerëve të lartë të ushtrisë, një Major dhe një Kapiten, të cilët akuzohen se janë bashkëpunëtorë të majorit prej vitesh, por në bazën ushtarake të Farkës, pasi për akuzat e tjera ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete nga asnjë autoritet përgjegjës.

Nga ana tjetër, janë në procedim edhe katër oficerë të tjerë, të cilët shërbenin në Drejtorinë e Zbulimit dhe personelit në të njëjtin regjiment ku shërbente dhe piloti Feka prej 18 vitesh. Për të hedhur dritë të plotë mbi dyshimet e ngritura, Policia Ushtarake ka bërë kallëzimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

majori haki
(Ne foto, major Haki Koxha)

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes, e cila përmes një deklarate thekson se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë prej më se një viti kanë nisur një proces gjithëpërfshirës e të vijueshëm për forcimin e disiplinës dhe rregullit ushtarak brenda strukturave të tyre. Ngjarja e ndodhur me Major Sokol Feka, përbën një shtysë në kryerjen më me cilësi të këtij procesi.

Shoqërimi 
Sipas të dhënave që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes bëhet me dije se dy personat që janë ndaluar janë që të dy miq të të ndjerit Sokol Feka. Ndonëse njëri me gradën Major dhe tjetri atë të Kapitenit, ata ishin të kudondodhur në sipërmarrjet e pilotit të talentuar, i cili humbi jetën në Malaga, teksa pilotonte një helikopter me rreth një ton drogë. Sipas burimeve, saktësohet se dy të ndaluarit, janë major Haki Koxha, 36 vjeç, dhe kapiten Vladimir Ademi, 35 vjeç.

Gjithashtu mësohet se janë shoqëruar edhe 6 persona të tjerë, që të gjithë ushtarakë karriere, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre në Policinë Ushtarake dhe pritet që për fatin e tyre, por edhe të dy personave që rezultojnë të përfshirë sipas Ministrisë në historinë e drogës ku humbi jetën Feka, do të vendos Prokuroria, e cila ditën e djeshme ka nisur më fund edhe hetimet për materialet që i janë referuar nga Policia Ushtarake. Sipas të dhënave, në prokurori janë përcjellur edhe disa fakte ku pretendohet se do të fundosin djemtë elitë të Forcave të Armatosura.

Dy të ndaluarit kishin dijeni për lëvizjen e Fekës!
Përgjatë verifikimeve që janë kryer në bazën ajrore të Farkës, që prej të nesërmes së dhënies së lajmit të vdekjes së major Fekës është hasur në prova të mjaftueshme sipas Policisë Ushtarake që dy të ndaluarit e tyre kishin dijeni mbi lëvizjet e shokut të tyre. Sipas të dhënave, njëri nga të ndaluarit, ka kryer një sërë trajnimesh bashkë me Fekën, ndërsa policia ushtarake dhe SHIU, pas verifikimeve të shumta të aktivitetit të viktimës prej më shumë se tri vitesh, ka hasur në faktin se dy të ndaluarit, pra Ademi dhe Koxha, kanë dijeni për të gjitha lëvizjet jashtë vendi të Fekës.

Sipas tyre, dy ushtarakët janë fajtor për thyerje disipline, ndërkohë që sipas burimeve të gazetës, mësohet se mes të shoqëruarve është edhe një tjetër ushtarak me gradën e majorit S.Ç, i cili është lënë i lirë, por që nga vertifikimet që ka kryer Shërbimi i Inormativ i Ushtrisë, ka dyshime se edhe ky është në dijeni të lëvizjeve të Fekës jashtë vendit dhe se asnjëherë nuk ka raportuar, paçka se ka detyrim ligjor. Deri mbrëmjen e djeshme, mësohet se janë pezulluar 7 ushtarakë, ndërsa pritet të vendoset edhe mbi fatin e dy shokëve të Fekës.
 
Reagimi, Kodheli: Investigojmë lidhjet e Majorit me kolegë  
“Rasti Feka është një rast që më ka bërë pa as më të voglin dyshim, të ridimensionojmë të gjithë rregulloret mbi të cilat funksionon FA. Pa as më të voglin dyshim ne kemi filluar investigimin e menjëhershëm të implikimit që mund të kishte majori me kolegë të tjerë. Unë i kam kërkuar javën që shkoi Prokurorisë së Përgjithshëm, kryeprokurorit Llalla, të hapë procesin dhe po ashtu kam bërë një kërkesë dje përpara largimit tim për ardhjen në Bruksel, një tjetër kërkesë për t‘u involvuar në të gjithë investigimin që Policia Ushtarake, që Shërbimi Informativ Ushtarak është duke bërë lidhur me këtë detaj.

Lidhur me largimet që Ministria e Mbrojtjes ka bërë me propozim të Shtabit të Përgjithshëm të disa funksionarëve të lartë të FA, qoftë të kolonel Demirajt, qoftë të një piloti tjetër, kolonel Çunajt e kështu me radhë, duhet të dini që një arsye pse këtë zotërinj janë larguar nga FA, është pikërisht mosmarrja e lejes në daljet e tyre jashtë. Çështja është nën investigim, unë besoj shumë në atë çka FA-të bëjnë, respektimin e disiplinës dhe përmbushjen e misionit të tyre sa fisnik aq dhe kushtetues”.
 
Aksidenti, Major Feka vdiq në Malaga të Spanjës  
Një javë më parë, një lajm do ët trondiste mbarë vendin; një pilot i FA kishte humbur jetën teksa drejtonte një helikopter të mbushur me drogë dhe që vinte nga Maroku në drejtim të Spanjës. Emri i të ndjerit u bë publik menjëherë pasi ai kishte udhëtuar  me të gjitha dokumentet e tij personale dhe profesionale, ndërsa trupi i tij vijon të jetë ende në morg në Malaga. Që ditën e që u publikua ngjarja, MB bëri me dije se piloti kishte ikur pa leje! 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)