Zbulohen nudot e
thyera të Janaq Paços

Zbulohen nudot e <br />thyera të Janaq Paços
TIRANE- Drama e vetë-thyerjes së rreth 30 skulpturave nudo, pas goditjes që iu bë artistit në Plenumin e IV, do të kujtohet sot në dokumentarin "Legjenda Janaq Paço" që do të shfaqet në Sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo është përpjekja e parë filmike për të përmbledhur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e skulptorit të madh shqiptar, por zanafilla nis nga një libër i Gjergj Frashërit që po përgatitet për botim. Autori i këtij libri Gjergj Frashëri ruan prej vitesh arkivin më të pasur për jetën dhe veprën e skulptorit të madh shqiptar. Duke e njohur personalisht Janaq Paçon, autorin e dhjetëra skulpturave lirike (siç janë ndot) dhe epike (siç janë ato Skënderbejane), profesor Frashëri pohon disa nga fotot dhe zbulimet që ka bërë shërbyen si një ndihmesë e madhe për dokumentarin "Legjenda Janaq Paço" që do të shfaqet sot në orën 18.00 në MHK. Gjergj Frashëri zotëron dhjetëra fotografi të bëra nga vetë autori para se t'i vetë-thyente nudot në vitin 1977. Këto foto. Janaq Paço ia besoi atij bashkë me dokumentacionin personal në shenjë mirëbesimi. "Dokumentari është përgatitur si skenar dhe si regji nga autorja Nadire Buzo, tashmë e njohur nga disa dokumentarë autobiografikë". Buzo është ndihmuar gjithashtu nga teknika e studios së RTSh-së dhe nga Pluton Vasi. Për studiuesin Frashëri: "Paço është përfaqësues i skulpturës moderne shqiptare."
gjergj frasheri
Me sa jemi të informuar, ju prof. Frashëri keni ndihmuar në përgatitjen e këtij dokumentari në mënyrë të ndjeshme me dokumentacionin tuaj mbi skulptorin Paço që e keni mbledhur gjatë jetës?
-Fillimisht më duhet të bëj të njohur se nuk jam lidhur rastësisht me historinë e artit shqiptar në përgjithësi. Qysh në vitit e fundit të gjimnazit, rreth vitit 1965, kam filluar të mbledh dokumentacion mbi degët e arteve shqiptare, pikturë, skulpturë, art të aplikuar, fotografi, karikaturë e të tjera, për historinë e tyre dhe për krijuesit e tyre. Gjatë jetës , paralel me profesionin tim kryesor si arkeolog, historian dhe restaurator kam shkruar e botuar me qindra e qindra faqe mbi këto hapësira të artit shqiptar dhe i kam botuar në disa nga enciklopeditë më të mëdha botërore të kësaj fushe. Paço (1914-1991) është një nga themeluesit e shkollës së skulpturës realiste shqiptare, me zanafillën e saj nga skulptura realiste romantike shqiptare e lindur prej lëvizjes patriotike të Rilindjes Kombëtare. Janaq Paço së bashku me Odise Paskalin janë krijuesit e skulpturës së re shqiptare të shek. XX. Të dy sollën në vendin e tyre flladin e skulpturës botërore të Kohës së Re, Paskali nga Italia, Paço nga Greqia, pra nga dy vende atdhe të skulpturës, fqinjët historikë të skulpturës së lashtë të trojeve shqiptare. Të dy ishin krijues të shkollës së parë shqiptare në kohën e mbretërisë kur forcat krijuese patën një zgjim, kur figurën njerëzore në skulpturën e kavaletit e sollën synimet për pavarësi të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë dy bustet realiste të "Skënderbeut" prej M. Toptanit (1899 dhe 1917), që përshkohen nga fryma romantike. Skulptura realiste moderne shqiptare u zhvillua në vitet '20-'30' të shekullit XX, me O. Paskalin, të pasuar nga krijimet e para të skulptorëve të pas Luftës si J. Paço, K. Hoshi, A. Mano, Ll. Nikolla etj....

Ju keni pasur njohje nga afër me skulptorin Paço, a ka ndikuar kjo më pas në interesin që keni pasur për veprën e tij?

-Është e vërtetë që kam pasur afri me skulptorin e shquar, por për vlerësimin e veprës së tij ka qenë e kundërta. Kam qenë unë që i jam afruar skulptorit për t'i fituar zemrën, pasi isha i bindur se vepra e tij qysh herët ka zënë vend kryesor në artit realist shqiptar, madje në artin modern realist, madje në artin tonë qytetar, jo atë politik. Isha unë që e ndoqa punën e tij nga pas dhe jam përpjekur t'a dokumentoj atë hap pas hapi, derisa fitova besimin e tij, që të më linte me mirëbesim dhe korrektesë pothuaj të tërë dokumentacionin e veprës dhe të jetës intime të tij. Ndaj ndjehem shumë i detyruar, që jo vetëm veprën e tij, por edhe jetën e sfilitur të tij, që është tipike e jetës së klasikëve shqiptarë edhe në fushat e tjera, ta nxjerrë në dritë nëpërmjet një libri, ku studentët e shumë prej nesh kanë shumë për të mësuar dhe frymëzuar.

Kemi dëgjuar se Paço ka realizuar disa nudo në studion e tij, të cilat ka qenë i detyruar t'i vetë-shkatërrojë një kërcënimi në vitet '70'.

-Vend të veçantë në krijimtarinë e Paços zë skulptura e parkut të cilën ia kushton dashurisë për jetën dhe bukurisë njerëzore. Skulptura e Parkut i mori Paços një angazhim të madh. Me ndjesinë dhe guximin e një artisti të vërtetë Paço zgjodhi për skulpturën e tij dekorative Bukurinë Femërore - Nudon. Kjo ishte në atë kohë vetvetiu një gjini shumë e vështirë për të hyrë natyrshëm dhe pa pengesa në artin realist shqiptar, sepse e kaluara jonë osmane e kishte lënë shumë të prapambetur mentalitetin qytetar të shoqërisë. Prej vitit 1956 dhe deri më 1977 Paço konceptoi dhe realizoi dy koleksione nudosh, të dalluara nga zhanri artistik: a)një grup prej 17 Nudosh në madhësi pak më të vogël se natyrale në periudhën 1956-'71 dhe grupin me 15 kompozime dekorative nudosh në madhësi të vogël (bocete) në periudhën 1970-'77. Grupi kryesor i nudove përbëhej nga 17 punime, prej të cilave 11 punime ishin afër madhësisë natyrale, 4 punime ishin në lartësinë 2 m dhe dy punë të tjera ishin 90 cm të larta. Qysh me punimin e parë të këtij koleksioni, "Vajza e menduar" 1965 (gips, 71 cm, Gal. Art. Tiranë) doli në pah individualiteti i artit të tij, konkretizohet me pastrimin më në thellësi të formës, thjeshtimin e stilizimin e mëtejshëm të saj, për rritjen e emocionit ekspresiv në kontaktin direkt me mjedisin qytetar. Të gjitha këto nudo ishin realizuar me një kualitet të spikatur dekorativ nëpërmjet një lëvizjeje të butë individuale të linjave të kurbëta. Por më 23 Qershor 1977 mbas një paralajmërimi (urdhri) të verbër të Ministrisë së Brendshme dhe në bashkëpunim me personalitetet (drejtuese) të Arteve Figurative në Shqipëri, vetë skulptori i vrau nudot e tij duke i kthyer në copa allçie.
Ndërsa koleksioni me 15 kompozime dekorative nudosh është krijuar nga Paço gjatë viteve 1970-'77. Janë modeluar në plastelinë dhe janë derdhur më pas në allçi (30-50 cm). Kjo lloj skulpture është një novacion i Paços, si zhanër, si kompozim, stilistikë dhe formë. Aty synohet një nivel i ri i formës së pastër. Autori kërkon nëpërmjet këtyre veprave të demonstrojë konceptin e tij, se skulptura e vërtetë bashkëkohore është vetëm formë e pastër (e mbyllur). Këto bocete ai i bëri me qëllim që të realizohen si skulpturë parku (duke u zmadhuar e derdhur në bronz). Paço i mendonte ato të vendosura 20-30 cm mbi tokë dhe në vende që të kishin kontakt sa më të afërt e më të shpeshtë me njerëzit. Këto skulptura u thyen të gjitha më 1977, por autori në vitet e fundit të jetës së vet 1987-1988 i modeloi përsëri në plastelinë disa prej tyre dhe i derdhi në allçi...

Ju lutem, është përfolur shumë rreth së vërtetës së fatit të keq të veprave të autorit. I ka thyer vërtet Paço krijimet e tij?

-Paço u kallëzua në atmosferën e rënduar politike të brendshme që u krijua pas e plenumit IV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës në mesin e viteve 70'. Ai u kallëzua me tendencë, me helmin e xhelozisë së "dashamirësve" të tij, anëtarëve të Lidhjes së Artistëve. (Mjerisht individë të tillë, me përjashtim të ndonjërit që ka vdekur, janë sot në kulmin e suksesit të karrierës së tyre). Thyerja e nudove të tij, i dha atij si alternativë për të gjetur qetësi politike. Sot nuk dëshiroj të flas rreth kësaj çështjeje. Ndjehem mirë, që nesër në darkë do të mblidhen admirues të Paços në sallën e Muzeut Historik Kombëtar dhe do të shohim Dokumentarin e përgatitur për atë nga një grua qytetare shqiptare. Kaq mjafton njëherazi. Xhelozia profesionale e disa kolegëve me pushtet ndaj Paços nuk ka qenë vetëm drama e vetë-thyerjes së Nudove. Paço nuk pati kurrë një katalog të veprës së tij, të iniciuar nga segmentet qeverisëse. Nuk pati kurrë një studio për të qenë. Donte një studio ku të ekspozonte punët me radhë dhe jo t'i vinte njëra mbi tjetrën dhe të mos i prisheshin nga lagështia. Thyerja e nudove ka qenë një moment shumë i vështirë për Paçon. Ai u mbyll në vetvete. Nuk kishte frikë, por ndjehej thellësisht i fyer, i poshtëruar. I kishin marrë lirinë e krijimit, për vepra që do të qytetëronin shoqërinë shqiptare. Kishte idenë sikur dikush e ndiqte. Ishte nervoz dhe më pas i ra parkinsoni. Trupat e nudove të mëdha u thyen prej vetë atij, ndërsa kokat e nudove mbetën në studio deri, kur i doli pronari i tokës në vitin 1990. Që nga momenti kur theu nudot Janaq Paço e pati të vështirë të ngrinte kokë. Nuk ftohej më nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe vetvetiu ai u tërhoq nga rezja e saj. Veprat e tij u spekuluan nga injoranca, se kishin të bënim me nudizmin, me femrën e zhveshur lakuriq. Përkundrazi, këto vepra nuk kanë shoqe në artin shqiptar, të cilat arritën t'i kemi në foto të zakonshme. Bota nuk e njeh akoma Janaq Paçon tonë, skulptorin me botëkuptimin për idealen e figurës njerëzore, humanitetin, pastërtinë dhe për dashurinë që i mungojnë ende sot qytetërimit shqiptar.

Pak më parë theksuat, se vepra monumentale historike e Paços përbën një vlerë themelore në artin tonë të skulpturës qytetare në gjysmën e dytë të shek. 20.
-Tema historike është Apogjeu i vlerave artistike të Paços. Nga 1949 deri më 1959 punoi për monumentin "Skënderbeu" i vendosur në Krujë. Më 1968 u inagurua vepra "Skënderbeu" i Tiranës, ku ai ishte bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon. Më 1982 përfundon grupin skulpturor "Skënderbeu me popullin" që është vendosur në hyrje të Muzeut Historik të Krujës (me bashkautor Genc Hajdarin). Idealin e tij për të përjetësuar në skulpturë heroizmin, dashurinë dhe humanizmin shqiptar, ai e shpalosi me një konsekuencë të çmueshme në kërkimin e vazhdueshëm të vlerës estetike. Ndjenja e vëllimit plastik si tek busti "Qemal Stafa" 1949 (bronz, 90 cm, Tiranë) dhe përsosja e formës në stilistikë si te vepra ekuestër "Skënderbeu" 1949 - '55 (bronz, 6 m, Krujë), përbëjnë esencën e artit origjinal të Paços dhe në të njëjtën kohë ato mbeten dy vepra fondamentale të skulpturës moderne monumentale shqiptare. Të dy këto vepra të skulpturës monumentale të shesheve të realizuara shumë herët, njëra në gjininë e portretit monumental më 1949, tjetra në atë të ekuestrit më 1959, përgatitën për mendimin tim, edhe dramën e tij. Ato shkaktuan xhelozinë dhe kundërshtinë politike. Ka qenë një duel shumë i ashpër në skulpturën shqiptare. Në njërën anë Paço dhe Paskali me shkolla të traditës klasike evropiane, të cilët deri në fund të viteve 50' krijuan themelin e skulpturës realiste në Shqipëri. Në anën tjetër skulptorët që erdhën nga shkolla ruse dhe të Lindjes pikërisht në mbarim të viteve '50, shumë më tepër në numër dhe të përkrahur politikisht nga sistemi. Paço u rreshtua në periudhën 1960-'90 në anën viktimave përfaqësuese e kësaj beteje, që u fitua përkohësisht nga arti politik. Prej mesit të viteve 60' Paço u tkurr. Nudot e tij janë shprehja e kësaj proteste. Detyrimi që i bëri sistemi që t'i vriste ato me dorën e tij, është dëshmia më e qartë e dhunës që arti politik ushtroi në Shqipëri prej viteve '60' dhe që vazhdon edhe sot. Paço sot është i harruar dhe ky është rezultati i kësaj lufte.


BIOGRAFIA/ VLERAT E SKULPTURES SE JANAQ PACOS

Paço lindi më 1914 me origjinë nga fshati Badëlonjë i Përmetit. Ishte fëmija i tretë midis pesë djemve e tre vajzave). Modelimet e para si fëmijë i filloi në baltën e Vjosës dhe derisa vdiq i lëvizte gishtat si një virtuoz në piano, sikur luante me baltën e fëmijërisë. Më 1926 familja e tij shpërngulet në Tiranë, ku mori arsimin e përgjithshëm në Gjimnazin e Shtetit dhe e përfundoi atë në Selanik (1932-'34). Andrea Kushi ishte mësuesi i tij i parë në Tiranë.

Nga Selaniku iku në Athinë, ku kreu Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës për skulpturë (1934-'39). Studimet i kreu me profesorin grek Kostandinos Dhimitriadhis (1881-1943). Si gjatë studimeve ashtu edhe pas tyre, deri në vitin 1942 kur profesori i tij vdiq, Paço ishte asistenti dhe punonte në studion e tij në Athinë, si përgatitës i veprave të tij. Duhet vënë në dukje, se Paço punoi fillimisht pra me K. Dhimitriadhis, i cili ishte i ndikuar nga arti i skulptorit, gafistit dhe piktorit francez, August Rodenit (1840-1917), themeluesit të stilit impresionist në artin e plastikës prej dekadave të fundit të shek. 19. Vetë Dhimitriadhis ishte një nga artistët grekë (piktorë e skulptorë), që në artin e Paraluftës në Greqi, themeluan impresionizmin deri dhe fouvizmin, pra format moderne dhe tendencat avaguardiste të gjysmës së parë të shek. 20. Mbi këtë bazë mësimore Paço e zbuloi krijimtarinë e tij dhe shkëlqeu veçanërisht në portretin, në nudot dhe vepra monumentale historike, si askush tjetër në artin tonë të skulpturës qytetare në gjysmën e dytë të shek. 20. 

(Foto: Nudo e ulur, nr. 5. (Tejshikim) veper e Janaq Paços)

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës