Shqipëria mori tre pikë të vyera në ndeshjen kundër Andorës jo më shumë në aspektin e numrave se sa të moralit pasi humbja ndaj Turqisë kishte tronditur shumë ambientin “kuq e zi”. Si pasojë e asaj disfatë pozicioni i trajnerit është vakant pas largimit të Panucci-t.

Për momentin përfliten shumë emra për të zëvendësuar italian, ndër të cilët më kryesori është ai i Edy Reja-s, 73-vjeçarit i cili të premten pas ndeshjes me Turqinë mbajti një takim me presidentin Armando Duka. Ndonëse në të ardhmen Reja mund të bëhet trajner i Shqipërisë objektiv i italianit në rastin në fjalë ka qenë për të parë nga afër disa nga kuqezinjtë.

Burime të “Repor TV” shprehen se Reja ishte në “Loro Boriçi” për tre lojtarë në veçanti: Ardian Ismajlajn, Fredik Veselin dhe Myrto Uzunin.

Gjithashtu sa i përket trajnerit të ri ai nuk do të zgjidhet brenda këtij muaji. Aktualisht presidenti Duka ndodhet në Andorë për të parë nga afër ndeshjen e Kombëtares U-21. Ai do të qëndrojë atje deri të mërkurën dhe në Shqipëri pritet të rikthehet në orët e vona të datës 27 mars.

Më pas Duka do të marrë pjesë në një takim në Kosovë me datë 28 dhe 29 mars ku të pranishëm do të jenë të gjithë presidentët e federatave të futbollit në rajon. Në këto kushte zgjedhja e trajnerit në mars nuk është një opsion. Sërish burime brenda federatës për “Report TV” bëjnë me dijë se trajneri i ri me shumë mundësi do të prezantohet në 10 ditët e para të muajit prill.

Aktualisht preferenca të Dukës janë trajnerë me shumë ekperiencë dhe trajner shqiptar, të cilët e njohin mirë mentalitetin e këtushëm.